Politike

Letra VI, Rama: Po rrezikoni negociatat. PD: Letrat, luftënxitëse

Refuzimi i njëpasnjëshem i ftesave për dialog nga ana e Lulzim Bashës nuk e ka dorëzuar Edi Ramën që të kërkojë përmes letrës së gjashtë publike dialog, por këtu paralajmëron se koha po përfundon dhe akuzon opozitën se rrezikon hapjen e negociatave të anëtarësimit me BE-në këtë vit.

“Shqipëria duhet të hapë negociatat për anëtarësim patjetër këtë vit dhe fatkeqësisht, Ju po bëni çmos t’i pengoni ato. Por jini po ashtu të sigurtë se populli shqiptar, përfshirë edhe çdo demokrat të arsyeshëm, që kurrë s’ka votuar e mbase s’do votojë ndonjëherë për Partinë Socialiste, nuk ka për t’Jua falur një paudhësi të tillë”, shkruan Rama.

Kryeministri thotë se nëse Partia Demokratike vazhdon në këtë rrugë, ajo do të ndëshkohet me votë nga qytetarët edhe më keq se në zgjedhjet e 2013.

“Çfarë keni parë e provuar në zgjedhje të shkuara, do t’Ju duket lule në krahasim me mësimin që do merrni kur t’Ju kërkoni përsëri votën një ditë, nëse s’do të ktheni rrugë sot përpara se sa nesër të jetë shumë vonë”, shton ai.

Rama paralajmëron se afatet po përfundojnë.

“Zoti kryetar, letrave të mia po i vjen fundi. E fundit për të tentuar Dialogun është edhe kjo javë, e cila mbyllet me çeljen zyrtarisht të fushatës së 30 qershorit”, e nis letrën e tij Kryeministri.

https://www.facebook.com/edirama.al/posts/10156709862386523

Ai thotë se në pesë letrat e mëparshme ka shteruar të gjitha ato çfarë ka për t’i thënë rivalit të tij politik dhe në letrën e gjashtë bën një përmbledhje. Sipas përmbledhjes së Ramës, aksioni i opozitës niset nga dy frikat më të mëdha të Lulzim Bashës. E para është frika nga humbja në zgjedhje dhe e dyta frika nga drejtësia.

“Frika nga zgjedhjet dhe paniku nga drejtësia, Ju kanë qorruar e shurdhuar dhe shtyrë në rrugën e një lufte imagjinare çlirimtare nga tirania! Të cilën duhet ta bëni me veten ne fakt, për të përmbysur tiraninë e frikës brenda Jush, sepse Shqipëria s’është në duart e asnjë tiranie, po në duart e një shumice të zgjedhur demokratikisht, për të qeverisur deri në vitin 2021”, shkruan ai.

Pas shprehjes së bindjes se zgjedhje parlamentare para 2021 nuk do të ketë dhe se zgjedhjet vendore më 30 qershor do të realizohen, Rama thotë se mbështetja për kauzën e udhëhequr nga Lulzim Basha po bie.

“Mbështetja Juaj në aventurën pa rrugëdalje vjen duke rënë, e sado t’i tërhiqni e t’i shtriqni trupat e ndjekësve si çamçakiz në bulevard, për të krijuar efekte fotografike e televizive masiviteti, nuk bëni tjetër veçse gënjeni veten Tuaj dhe ata që duan të gënjehen me idenë, se disa mijëra punonjësit e bashkive blu dhe masa modeste e militantëve bashkëngjitur tyre, janë populli i Shqipërisë në protestë kundër qeverisë! Kjo gënjeshtër mund t’Ju mbajë me gajret edhe për ca kohë, Juve e lidershipin politik të grupimit Tuaj. Por besomëni që zgjimi nga ëndrra me sy hapur e largimit të qeverisë pa zgjedhje apo e moslejimit të zgjedhjeve, do të jetë shumë i dhimbshëm për atë grupim e për Ju si udhëheqësi i saj, nëse do të vijoni shurdhërisht në rrugën pa dalje, ku po marshoni verbërisht”, shkruan Kryeministri.

Ftesën për dialog e përsërit pa kushte.

“Ju ftoj përsëri që sa pa u djegur çdo afat kohor, të nisim Dialogun pa kushte dhe të fillojmë të shkruajmë bashkarisht, një faqe të re bashkëpunimi politik duke mos humbur më tej kohë, energji, mundësi zgjidhjeje, me këtë avaz të padobishëm për vendin, për njerëzit e për opozitën po se po!”, thotë ai.

Përgjigjet PD: Letra luftënxitëse

Përgjigjen për letrën e gjashtë, Edi Rama e mori nga Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi. Ai kujton një episod nga protesta e fundit e opozitës dhe shpreson që letra e gjashtë publike e Edi Ramës të jetë edhe e fundit.

Sekretari i Pergjithshem i PD, Gazment Bardhi

“Në momentin kur përpiqesha të ndaloja qytetarë të zemëruar tek Parlamenti, njëri prej tyre, rreth 50 vjeç, i revoltuar nga ndërhyrja ime, më tha: “Pse ma heq të drejtën të marr hak? Edi Rama me ka lënë fëmijët pa bukë. Tani tallet me mua me ato letrat në Facebook. Episodi i babait që lufton për mbijetesë në regjimin e panjerëzishëm të Edi Ramës, m’u kujtua tani, kur lexova letrën e gjashtë (shpresoj të fundit), në të cilën ai vazhdonte të tallej, të fyente dhe të provokonte me mijëra e mijëra protestues”, thotë Bardhi.

Sekretari i PD-së thotë se Edi Rama po shpërfill shkaqet e vërteta të krizës, problemet e qytetarëve dhe si rrugë ka zgjedhur fyerjen e tyre sa heqë që ka mundësi. “Duke mos patur ndjeshmërinë më të vogël për mijëra prindër që nuk kanë me çfarë ushqejnë fëmijët, duke u hakmarrë politikisht dhe duke dërguar tatimet në bizneset e qytetarëve që dalin në protestë, duke mos hequr dorë nga kërcënimi për prishjen e shtëpive që pengojnë planet e tij korruptive, Edi Rama nuk bën asgjë tjetër me letrat e tij, veçse nxit dhunë dhe provokon qytetarët që u ka shkuar thika e pushtetit të tij në palcë”, thotë ai.

Bardhi i lexon letrat e Ramës si luftënxitëse.

“Në vend që të shkruajë letra luftënxitëse, që me hipokrizi i quan “ftesa për dialog”, Edi Rama bën mirë të kuptojë se ai është i pafuqishëm të ndalë triumfin e shqiptarëve të bashkuar. Kauza jonë për zgjedhje të lira e të ndershme, për të ndërtuar Shqipërinë si gjithë Europa, është kauza më e drejtë për të cilën shqiptarët kanë luftuar këto 29 vite, që pas rrëzimit të diktaturës. Vetem një qeveri e dalë nga zgjedhjet e lira e të ndershme, është garanci për mireqenie, punësim dhe zhvillim për qytetarët shqiptarë”, mbyll reagimin e tij Gazment Bardhi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë