Pas ftesë publike të kryeministri Edi Ramës, kryedemokrati Lulzim Basha e konsideroi si një hile të Ramës ftesën për zgjidhje të krizës dhe diskutim të reformës zgjedhore. Basha tha se problem nuk ka qenë Kodi Zgjedhor, por mënyra e zbatimit të tij. Duke vlerësuar gatishmërinë për zgjidhjen e krizës politike, Basha deklaroi nga selia e PD-së se më parë duhet të pranuar se si u krijua një krizë e tillë, duke deklaruar se duhet një vullnet politik për zgjidhjen e saj. "Sot për gjithë shqiptarët prioritet është zgjidhja e krizës. Zgjidhja e krizës politike është prioriteti absolut i Shqipërisë, i PD-së dhe opozitës së bashkuar. Këtë krizë nuk e ka shkaktuar as Kodi Zgjedhor dhe as Kushtetuta e Shqipërisë. Ato nuk janë përgjegjëse as për Valdrin Pjetrin apo për Mark Babanin, as për Jorgo Kajmakun dhe as për vjedhjen e evidente të votave edhe në procesin monist e antikushtetues të 30 qershorit. Raportet e OSBE/ODIHR janë të qartë në 2005, 2009 ku shprehet se korniza ligjore është plotë, por mungon vullneti politik", u shpreh Basha.
Për liderin e opozitës kryesore sipas tij është gjendet shkaktari i kësaj krize, duke drejtuar gishtin te kryeministri Edi Rama
“Zgjidhja e krizës politike, duhet të vijë vetëpërmes vullnetit politik. Nuk mund të fshihemi pas letrave dhe fletërrufeve publike dhe as pas kërkesave të pasinqerta. Nuk mund të fshihemi edhe pas provokimeve të rënda siç është ai ftesës nga një individ, Damian Gjiknuri që është ndër të dyshuarit kryesor i dosjes 184. Në qoftëse se ideja e reformës zgjedhore përfshin edhe Damian Gjiknurin le të ftojë edhe Ymer Lalën, Safet dhe Ymer Bajrin, Emiljano Shullazin, le të ftojnë edhe Avdylajt, sepse kjo është pastaj një tallje, një provokim me të gjithë shqiptarët”, deklaroi më tej kryedemokrati.
Duke komentuar më tej edhe ftesën e OSBE-së e bërë për reformën zgjedhore, Basha theksoi se pret nga OSBE, që të flasë për shkeljet e ligjit që janë bërë në Shqipëri, por edhe për tre krye bashkiakët e PS-së, të cilët pretendohet se janë subjekt i dekriminalizimit.
“Ne iu kemi dhënë një përgjigje ndërkombëtarëve dhe për fat të keq një përgjigje negative ka ardhur nga Edi Rama me alibinë se do të përgjigjej pas 30 qershorit. Nuk jemi ne pengesa për një proces për të zgjidhur krizën, por qartësish është Edi Rama, i cili nuk mund të fshihet pas letrave publike dhe nuk mund të fshihet pas Damian Gjiknurit. Unë pres që OSBE të shprehet për shkeljet e Kushtetutës dhe të ligjit, për tre kryebashkiakët me probleme me ligjin. Duhet të dilet nga ky terren problematik. Këtu ka një realizëm, sepse e njohim situatën dhe ka një krizë të thellë. Zgjidhja e saj ka interes edhe për integrimin e Shqipërisë në BE”, tha Basha.
Pra, për zgjidhjen e krizës sipas liderit të PD-së duhet të jetë si hap i parë "pranimi i situatës së rëndë në vend dhe paligjshmëria ku e ka futur vendin bashkëpunimi i kësaj qeverie dhe i këtij kryeministri me krimin e organizuar". Prioriteti kryesor i opozitës - sipas Bashës mbetet shkëputjen e krimit nga politika dhe një reformë zgjedhore e plotë, së bashku me një transformim të thellë politik, duke mos u fokusuar te Kodi Zgjedhore apo ai Penal. Ai shtoi se opozita po përgatit një platformë të sajën që do ta bëjë publike së shpejti me qytetarët.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.