Politike

OSBE fton PD e PS për reformën zgjedhore. Basha: Krizën nuk e zgjidh një takim

Ndërkombëtarët nisin përpjekjet për uljen në një tryezë të mazhorancës dhe opozitës jashtë parlamentare. Me nismën e OSBE-së më 25 shtator do të zhvillohet tryeza gjithëpërfshirëse për reformën zgjedhore. Me firmën e dy bashkëkryetarëve të komisionit të posaçëm të reformës Rudina Hajdari dhe Damian Gjiknuri, si dhe të ambasadorit të OSBE-së, Bernd Borchardt do të diskutohet jashtë sallave të Parlamentit për sistemet zgjedhore.
“Prezenca e OSBE-së mbetet e gatshme të mbështesë autoritetet shqiptare për të përfunduar reformën zgjedhore në kohë dhe në mënyrë gjithëpërfshirëse, ku do adresohen të gjitha rekomandimet e OSBE-ODIHR-it dhe të palëve të interesuara kombëtarë e ndërkombëtare. Me këtë synim, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore do të organizojnë konferencën e nivelit të lartë me temë “Të mohuar nga sistemi: ndërtimi i një sistemi gjithëpërfshirës për të mbrojtur demokracinë”, me 25 shtator 2019.”, thuhet në njoftimin zyrtar të OSBE-së për tryezën.
Në fund të kësaj ftese theksohet se konkluzionet e tryezes do t’i vihen në dispozicion komisionit të posaçëm të reformës zgjedhore.
Gazeta Si ka mësuar nga burimeve se konferenca organizohet nga OSBE dhe komisioni i posaçëm i reformës zgjedhore dhe se për momentin axhenda e atyre që do të diskutojnë është duke u punuar. Kjo për faktin se ftesa për pjesëmarrje i ka shkuar Partisë Demokratike, e cila nëse pranon, do të ulet në një tryezë me socialistët për herë të parë pas krizës së thellë politike.

Ftesa e OSBE drejtuar partive politike


Mësohet se pjesëmarrës do të jenë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, aktorë të shoqërisë civile dhe ekspertë zgjedhjesh.
Vetë kryetari i PD-së, Lulzim Basha i pyetur nga media nuk ka pati një refuzim për diskutim për reformë zgjedhore, porse shtoi se kriza nuk zgjidhet vetëm me një tryezë.
“Kush ju tha se ka tryezë? Po ti shikojmë ftesat se ftesat p\bëhen javë për javë. Do t’i shikojmë, do t’i vlerësojmë, zgjidhja e krizës politike është prioriteti ynë. Natyrisht jemi të angazhuar edhe për reformën Zgjedhore. Por, askush të mos ketë iluzione se zgjidhja e krizës politike kërkon shumë më shumë se sa një tryezë tjetër”, deklaroi Basha.

Basha duke folur për mediat. Foto arkiv


Pas zgjedhjeve të 30 qershorit, ndërkombëtarët kanë shtuar deklaratat e tyre në formë apeli për zgjidhjen e krizës politike në vend. Ambasadori i BE-së, Luigi Soreca disa ditë më parë kërkoi që palët të nisin dialogun fillimisht me realizmin e reformës zgjedhore. Edhe SHBA ka kërkuar që palët të diskutojë mes tyre dhe bisedimet mes mazhorancës dhe opozitës jashtë parlamentar të nisin për reformën zgjedhore, e cila është një nga kushtet e BE-së për çeljen e negociatave. Pikërisht nisma më e fundit e OSBE mund të shihet edhe si një mundësi për uljen në një tryezë të PS-së dhe PD-së, duke tentuar kështu si hap të parë nisjen e një dialogu që synon zgjidhjen e krizës politike. Nuk dihet ende nëse OSBE-ja po tenton të ulë në një tryezë liderët kryesorë të politikës, apo partitë do të përfaqësohen në “rangje” më të ulëta. Gjithsesi shkëndija e parë për bisedime mes socialistëve dhe demokratëve për zgjidhjen e krizës politike do të jetë pikërisht kjo tryezë, edhe pse OSBE në Tiranë dhe vetë ambasadori Bernd Borchardt është i shigjetuar publikisht nga PD dhe LSI, sidomos për rolin që pati për 30 qershorin


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë