Ekonomi

“Kriza politike do të varfërojë ekonominë dhe do të zbrazë xhepat e shqiptarëve”

Sabina Veizaj- Arben Malaj ish Ministër i Financave dhe ekspert i financave publike dhe ekonomisë paraqet një tablo tejet shqetësuse të situatës që po kalon vendi ynë e cila ndikon drejpërdrejt në ekonomi dhe xhepat e qytetarëve.

Në një intervistë për Gazeta Si, profesor Malaj thotë se “Efektet e krizës politike në ekonomi kanë kohëzgjatje më të gjatë se në politikë. Pas çdo krize të pasurit rezultojnë më të pasur dhe të të varfërit më të varfër. Ky është konkluzioni qindravjeçar i historisë së krizave. Kjo është arsyja kryesore përse politikanët duhet ti parandalojnë krizat politike që ushqejnë krizat sociale”.

Për shkak të krizave ciklike që përsëriten shpesh dhe pengojnë konsolidimin e shtetit ligjor dhe kolonave institucionale të zhvillimit, shpjegon profesor Malaj, vendet varfërohen jo vetëm ekonomikisht. Të ardhurat reale të disponueshme sipas tij bien, njerëzit përballen më vështirësi të financojnë prioritetet e tyre jetike, një pjesë i financojnë me borxhe në rritje.
Për aq kohë sa ky cikël negativ i krizave nuk ndërpritet, ai mendon se varfëria materiale përkeqëson varfërinë shpirtërore.

Ajo çfarë sugjeron profesor Malaj, për daljen nga ky cikël është ndërprerja e krizës politike në mënyrë të menjëhershme.

Si po ndikon kriza e vazhdueshme politike në ekonomi?

Arben Malaj ish-ministër i Financave

Kanali kryesore i ndikimit të krizës aktuale në ekonomi mbetet përkeqësimi i pritshmërive për të ardhmen. Ky përkeqësim sjell stepjen për konsum dhe investim, rrit dëshirën për emigrim edhe të klasës së mesme dhe së fundi edhe të bizneseve, duke sjell efekte konkrete në uljen e kërkesës së përgjithshme/aggregate nga ulja e konsumit dhe investimin privat,e cila është përcaktonjës në ritmet e rritjes ekonomike, punësimin, varfërisë dhe kohezionit social.

Reduktimi i investimevete të huaja direkte të cilat ngadalësohen ose spostohen në vende të tjera në rajon sidomos në kushtet kur kriza sjell rritje të risqeve dhe të kostos së eksportimit të kapitaleve prej vendeve të origjinës drejt Shqipërisë;

Përkeqësimi i funksionimit të administratës publike e cila ka treguar paqëndrueshmëri dhe mungesë profesionalizmi në kushtet e krizave dhe rotacioneve politike;

Tronditjet në stabilitetin e financave, cënim të cilësisë dhe saktësisë së statistikave të financave publike, fshehje të detyrimeve të prapambetura dhe detyrimeve të reja të papaguara, marrjen paradhënie të detyrimeve financiare që ju përkasin periudhave pasardhëse. Shkalla e përkeqësimit të stabilitetit të financave publike mbetet për tu analizuar me shumë përgjegjësi edhe ligjore, sepse nëse risku tolerohet, mund të riprodhojë një krizë të borxheve të papaguara për : (i) punime dhe investime publike të kryera; (ii) mallra dhe shërbime të blera;(iii) mospagim të TVSH;(iv) detyrime buxhetore të qeverisë për paketën e PPP-ve; (v) ndaj gjobave të gjykatave ndërkombëtare dhe shqiptare; (vi) detyrime të tjera të panjohura në kohë, etj.

Përkeqësimi i klasifikimit ndërkombëtar për risqe të ekonomisë shqiptare në kushtet e krizës së zgjatur dhe ngadalësimit të procesit të integrimit europian mund të jetë një kanal tjetër ku mund të ndikohemi negativisht. Kompanitë e ratingut të cilat deri pak kohë më parë e vlerësonin pozitivisht avancimin e vendit në procesin e integrimit, tani ky proces është ngadalësuar apo mbajtur pezull.

Këto risqe sëbashku konkretizohen në rritjen e agresivitetit ndërpartiak, dobësimin e funksionimit dhe reputacionit publik te institucioneve kushtetuese te vendit, rënia e besimit tek politika, dobësim të kohezionit dhe solidaritet social, të cilët prekin jetën e përditëshme të shqiptarëve, i bëjnë ata më pesimistë për të ardhmen e vendit të tyre.


Efektet e krizës politike në ekonomi kanë kohëzgjatje më të gjatë se në politikë. Pas çdo krizë të pasurit rezultojnë më të pasur dhe të të varfërit më të varfër, ky është konkluzioni qindravjecarë i historisë së krizave. Kjo është arsyja kryesore përse politikanët duhet ti parandalojnë krizat politike që ushqejnë krizat sociale.

Cilët janë sektorët e prekur më shumë?

Në varësi nga kanali potencial i ndikimit, qartësohen edhe sektorët specifik; përshembull përkeqësimi i pritshmërive prek turizmin, por në shkallën kur pritshmëritë ushqejnë flukset braktisëse të vendit, mungesa e fuqisë punëtore dhe e specialistëve mund të ndjehet në shumë sektorë të ekonomisë dhe mund të jetë pengesa kryesore e ristrukturimit të drejtë sektorëve me produktivitet më të lartë të ekonomisë tonë.

Si përkthehet kjo krizë në ekonominë reale në xhepat e qytetarëve?

Pikërisht kjo është pyetja kritike, si dhe sa ndikohen të ardhurat e disponueshme në xhepat e të punësuarëve, përfituesve të politikave sociale, të pensionistëve, të biznesve dhe çdo grupimi social që ndikohet pozitivisht ose negativisht nga krizat politike. Përgjigjja është e qartë dhe e shkurtër, sepse ajo është studiuar edhe nga studiuesë të ndryshëm lidhur me mungesën e stabilitetit politik dhe kostot ekonomike e sociale. Krizat politike e dëmtojnë ekonominë, reduktojnë rritjen e saj, përkeqësojnë ndarjen e të ardhurave, etj. Për shkak të krizave ciklike që përsëriten shpesh dhe pengojnë konsolidimin e shtetit ligjorë dhe kolonave institucionale të zhvillimit, vendet varfërohen jo vetëm ekonomikisht. Të ardhurat reale të disponueshme bien, njerëzit përballen më vështirësi të financojnë prioritetet e tyre jetike, një pjesë i financojnë me borxhe në rritje. Për aq kohë sa ky cikël negativ i krizave nuk ndërpritet, varfëria materiale përkeqëson varfërinë shpirtërore. Hapi i pare i daljes nga ky cikël është ndërprerja e krizave politike.


"Në kohë krizash politike, kur paqartësitë dhe pasigurtë për të ardhmen rriten, kur vështirësitë për biznes dhe fitim rriten, informaliteti rritet. Ky korrelacion shkak pasojë është i vërtetuar edhe gjatë krizës 2008 ku edhe në vende të zhvilluara u konstatua rritje e informalitetit. Shkalla e rritjes së informalitetit është e vogël në vendet e zhvilluara dhe rritet kërcënueshëm në vendet me mungesë kulture taksapaguese dhe institucionale, ku informaliteti historikisht ka qënë i lartë. Kështu në vendet e OECD-së informaliteti rritet nga 9% në 11% të PBB-së, ndërsa në vendet në zhvillim ai tenton të rritet nga 35-36% në 45-50%" - Arben Malaj

A e nxit informalitetin në ekonomi kjo situatë? Nëse po, si?

Në kohë krizash politike, kur paqartësitë dhe pasigurtë për të ardhmen rriten, kur vështirësitë për biznes dhe fitim rriten, informaliteti rritet. Ky korrelacion shkak pasojë është i vërtetuar edhe gjatë krizës 2008 ku edhe në vende të zhvilluara u konstatua rritje e informalitetit. Shkalla e rritjes së informalitetit është e vogël në vendet e zhvilluara dhe rritet kërcënueshëm në vendet me mungesë kulture taksapaguese dhe institucionale, ku informaliteti historikisht ka qënë i lartë. Kështu në vendet e OECD-së informaliteti rritet nga 9% në 11% të PBB-së, ndërsa në vendet në zhvillim ai tenton të rritet nga 35-36% në 45-50%.

Dy janë rrugët kryesore të informalitetit: (i) punësimi informal dhe (ii) informaliteti në pagimin e taksave dhe tatimeve. I pari rrit numrin e punonjësve dhe vitet e tyre të pasiguruara, që nesër i mbeten barrë buxhetit për ti asistuar me ndihma apo pensione sociale nga taksat e përgjithshme. Informaliteti në pagimin e taksave sjell efekte jo pozitive me tregjet përkatëse dhe sidomos në nivelin e ulët të të ardhurave buxhetore.

Kjo faturë e krizës sa kohë duhet të shpagohet?

E para duhet të llogaritet saktë dhe kjo është sfida kryesore e studjuesve për shkak të mungesës apo cilësisë së dobët të të dhënave ose defomimit të tyre të qëllimshëm. E dyta sa kohë duhet të rikthehet në normalitet. Kur ka një krizë të rëndë politike, studimet kanë treguar se borxhi i rritur duhet të ulët si parakusht që barra e borxheve të mos “vrasë” rritjen ekonomike. Kjo do të imponojë rritje të taksave dhe kryesisht në shkurtim të shpenzimeve. Në kushtet kur shpenzimet buxhetore janë në nivelet minimale të mundëshme për të financuar funksionet dhe shërbimet publike, barra më e rëndë do ti mbetet krahut të rritjes së të ardhurave. Kohëzgjatja e rikthimit në nivelet e parakrizës mban brenda saj specifikat e çdo vendi. Historia e tranzicionit tonë dhe për më tepër kriza e fundit politike nuk të lejon të parashikosh një opsion optimist, çka nënkupton një risk të lartë që pasojat e saj ekonomike , sociale dhe buxhetore të jenë të rënda dhe rikthimi në normalitet të jetë jo i shkurtër.

Cilat janë efektet në afatmesëm dhe afatgjatë?

Ritmet e larta të braktisjes së vendit dhe deficitit demografik në rritje janë pasojat më të rënda afatmesme dhe afatgjatë me të cilën do të perballemi, sidomos nëse nuk fillojme tani dhe jo më vonë të hapim tregun tonë të punës për njerëz të mirëarsimuar dhe talente nga vende më pak të zhvilluara se Shqipëria dhe nga vende në konflikte.

Largimi nga vendi i pjesës më dinamike e produktive të popullësisë : (i) do të rrisë deficitin demografik; (ii) do të reduktojë burimet e rritjes ekonomike; (iii) do të përkeqësojë raportet e mbulimit të fondit të pensioneve; (iv) do të rrisë buxhetin social dhe për pasojë (v) do të rrisë risqet potenciale për mungesë të stabilitetit të financave publike.


"Braktisjet masive si edhe largimi i shqiptarëve të talentuar qoftë edhe përkohsisht do të pengojë ristruktimin e ekonomise shqiptare drejtë sektorëve me shkallë më të lartë produktiviteti. Lufta për talentet dhe të mirëarsimuarit në kushtet e revolucionit të katërt/ekonomisë së dijes, do të jetë më e ashpër dhe më e gjatë." - Arben Malaj

Braktisjet masive si edhe largimi i shqiptarëve të talentuar qoftë edhe përkohsisht do të pengojë ristruktimin e ekonomise shqiptare drejtë sektorëve me shkallë më të lartë produktiviteti. Lufta për talentet dhe të mirëarsimuarit në kushtet e revolucionit të katërt/ekonomisë së dijes, do të jetë më e ashpër dhe më e gjatë. Një strategji kombëtare për moderizinimin e ekonomisë tonë do të ketë në zemër të saj pikërisht njerëzit e mirëarsimuar dhe të talentuar, numri i të cilëve në Shqipëri ka ardhur duke u reduktuar ndjeshëm.

Si zgjidhet?

Përmirësimi real i pritishmërive të Shqiptarëve, një demokraci funksionale, mirëqeverisje në cdo nivel, demokratizimi i qeverisjes së çdo institucioni publik e privat.

Barazia e mundësive – sa më pak ndërhyrje deformuese për interesa nepotike dhe korruptive në tregjet potenciale të zhvillimit dhe në jetën e përditëshme të çdo individi.

Misioni i qeverisë duhet të jetë barazia e mundësive, përmirësimi i cilësisë së mirëarsimimit dhe shëndetit publik, luftë korrupsionit dhe kapjes së shtetit. Shteti ligjor duhet të jetë garancia e respektimit dhe implementimit të pacënuar të të drejtave themelore të çdo individi.

Çdo rrugë tjeter e bazuar tek pushteti absolut, nxit korrupsionin dhe kapjen e shtetit, përkeqëson liritë politike dhe ekonomike dhe dëmton rrënjët e një zhvillimi harmonic. Gjithashtu prodhon kriza të përhershme dhe me pasoja të rënda sociale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë