Ekonomi

Kriza nga Covid-19, ekspertët: Të preket thesari, që mos përjetojmë katastrofë. Por BSH është kundër

Eksperti në fushën e ekonomisë, Zef Preçi gjykon se ka ardhur momenti të preket thesari që vendi të mos përjetojë katastrofë ekonomike.

Zef Preçi Drejtor i Qendrës Shqipatre për Studime Ekonomike.

“Kjo është një krizë e papërjetuar ndonjëherë për vendin tonë, e cila iu bashkëngjit tërmetit të 26 nëntorit dhe një qeverie mediokre dhe të korruptuar. Me një borxh 80%, me papunësinë që sipas shifrave zyrtare është në nivelin e 11%, por që do të rritet mandej shumë më shumë, pa një perspektivë për biznesin dhe qytetarët, pa një plan rimëkëmbjeje, nuk ka zgjidhje tjetër. Për kur ruhen rezervat valutore? Ka moment tjetër më të zi se ky?”- u shpreh Preçi për gazetën “Si”.

Sipas tij, ka ardhur momenti që të ndihmohet biznnesi dhe qytetari në mënyrë të drejtpërdrejtë me para cash dhe në mënyrë transparente.

Për ekspertin Preçi tre janë mënyrat që mund të ulet borxhi dhe të marrë hov ekonomia; mënyra tradicionale kur Ekonomia zhvillohet dhe gjeneron të ardhura duke ulur defiçitin, “por nuk është ky rasti”.

Mënyra e dytë vijon Preçi, është marrja e një borxhi të ri për të shlyer të vjetrin, siç janë eurobondet, “por edhe në këtë rast nuk është situata për të dalë në tregjet ndërkombëtare”.

“Kushtet në të cilat ndodhemi, ku korrupsioni është galopant, qeveria është mediokre, nuk plotësohen kushtet e huamarrjes, mendoj se duhen kthyer sytë nga thesari. Iu duhen dhënë para cash çdo adulti mbi 18 vjeç për të përballuar jetesën. Pra çek për konsum që të prodhojnë industritë produktet bazike si ushqime, ilaçe dhe detergjent që të qarkullojë paraja ”- thekson Preçi.

Biznes në shitje si pasojë e krizës

Sipas tij, nuk është asgjë e keqe të sakrifikohet një 10% e rezervës valutore që janë gati 340 mln euro, “por kjo të bëhet në mënyrë transparente dhe të jetë në fokus punësimi dhe bizneset sepse paketat e krizës; paga e luftës, paga Rama, gjithë emërtimet e mundshme nuk shkuan tek të pamundurit, tek ata që kishin me të vërtetë nevojë siç ishin punonjësit informalë, për shembull. U gënjyen njerëzit me pagat minimale”.

Preçi gjykon se ekonomia është në ditën e saj më të keqe; “nuk janë realizuar të ardhurat, performanca fiskale është përkeqësuar. Nuk është bërë asnjë analizë deri më tani dhe as një skaner për prodhimin vendas. Prandaj puna nuk pret, duhen marrë masa të menjëhershme”.

Rezerva valutore e një vendi është bashkësia e të gjithë mjeteve likuide në monedhë të huaj që mbahen nga banka qendrore si një garanci për të mundësuar pagesat e detyrimet që rrjedhin nga transaksionet tregtare e ato financiare. Ajo përfaqëson një aset publik që mund dhe duhet të përdoret për të garantuar vazhdimin e aktivitetit ekonomik dhe stabilitetin financiar të ekonomisë kryesisht gjatë krizave, si formë garancie në rastet ekstreme. Në kushte normale rezervat e mbajtura në formën e valutave të forta ose metaleve në formë të monetarizuar ose monetare, mund të investohen në tregjet e parasë dhe kapitalit në forma shumë të sigurta investimesh për të gjeneruar fitime. Nga vetë përkufizimi i rezervës, motivi i sigurisë predominon motivin e të ardhurave, për pasojë, rritja e nivelit të rezervave ka një kosto oportune të lartë.

Por guvernatori i Bankës së Shqipërisë  nuk është dakord për prekjen e rezervave valutore që aktualisht janë në masën e 3,4 mld eurove.

Në muajin maj dhe në vazhdim, ai ka artikuluar në konferencat rutinore për shtyp se rezerva valutore, përdoret vetëm në raste mjaft të veçanta “dhe jemi ende mjaft larg plotësimit të premisave që mund ta aktivizonim këtë instrument. Rasti i fundit kur është përdorur rezerva valutore, jo në funksion të stabilitetit monetar e financiar të vendit, por për të zbutur pasojat e një krize ekonomike, është fundi i viteve ’80.”

Gent Sejko, guvernator i BSH.

Guvernatori ka thënë se fondet e nevojshme për adresimin e pasojave të goditjes me të cilën po përballemi mund të sigurohen në tregun lokal dhe në monedhën tonë kombëtare.

As opsionin tjetër ai i “Helicopter money ” nuk e sheh si opsion të zbatueshëm në praktikë.

 Një operacion i tillë, sipas guvernatorit, ku shpërndarja e parave nuk do të mbështetej nga nevojat reale të ekonomisë, do të çonte në rritjen e inflacionit, do të ngarkonte Bankën e Shqipërisë me humbje, ç’ka do të transferohej në një rritje të borxhit publik.

 “Në rast se kriza zgjatet dhe perspektiva ekonomike bëhet dhe më sfiduese, autoritetet publike duhet të marrin në konsideratë një rritje të mëtejshme të stimulit ekonomik, por kjo është diçka për të cilën ne jemi të ndërgjegjshëm dhe të vëmendshëm”- është shprehur ai.

Kurse kompania Standard & Poor’s në vlerësimin e saj për Shqipërinë disa ditë më parë do të nënvizonte se “Ne mund të ulim vlerësimet gjatë vitit të ardhshëm nëse, në kundërshtim me pritjet tona, financimi i deficitit të jashtëm të Shqipërisë bëhet më pak i sigurt, duke bërë presion ndaj rezervave. Ne gjithashtu mund të ulim vlerësimet nëse stoku i borxhit të qeverisë vazhdon të rritet, për shkak të deficiteve më të larta fiskale ose materializimit të detyrimeve të mundshme nga partneritetet publike-private (PPP).”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë