Mjedis

Krimi mjedisor, OSBE: Të ndryshohet Kodi Penal

OSBE kërkon më tepër bashkëpunim institucional mes institucioneve shtetërore për të luftuar atë që cilësohet si krim mjedisor. Ky ishte apeli i dhënë nga ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Bernd Borchardt gjatë fjalës së mbajtur në Konferencën kombëtare për krimin mjedisor. Prerja masive e pyjeve, dëmtimi i shtretërve të lumenjve si dhe mjaft fenoneme të tjera në dëm të mjedisit, për kreun e kësaj organizate ndërkombëtare kërkojnë edhe një rishikim të masave ndëshkimore që parashikon në legjislacionin penal.


“Gjurmët e krimit mjedisor janë të dukshme anembanë vendit. Mjafton që të udhëtojmë në pjesë të ndryshme të tij, të kapërcejmë një lumë, apo t’i afrohemi skajeve të një fshati ku gjendet një vendgrumbullim plehrash i paligjshëm. Të gjithë e njohim këtë realitet. Vështirë se mund të vlerësohen përmasat e këtij fenomeni: sa më shumë që shohim, aq më shumë e kuptojmë sesa i shëmtuar është krimi mjedisor. Fatkeqësisht, të mungojnë të dhënat e plota në lidhje më këtë fenomen. Vendit ende i mungojnë mekanizmat e sakta të raportimit dhe ka ngelur prapa me hetimin e këtyre krimeve”, theksoi ambasadori i OSBE-së.


Duke iu referuar të dhënave të Prokurorisë së Përgjithshme, të botuara në vitin 2017 për vitin 2016, rezulton se vetëm 216 çështje janë denoncuar në Prokurori, nga të cilat vetëm 45 janë dërguar në gjykatë. Nga ato, gjykata ka dhënë dënime vetëm në 32 raste.
“Ky numër i vogël rastesh të denoncuara tregon se nuk ka pasur prova të mjaftueshme, dhe mbi të gjitha nuk ka pasur hetime të mjaftueshme. Prandaj, ka nevojë të forcohet i tërë zinxhiri inspektorat-polici-prokurori-gjykata dhe se kjo është një çështje tek e cila duhet të përqendrohet puna e këtij grup pune ndërinstitucional. Ne e dimë se vendi është ende i prekur nga prerja e paligjshme e pyjeve dhe dëmtimi i zonave të mbrojtura, si dhe nga hedhja e paligjshme e mbeturinave që shkakton ndotje të rëndë të tokës edhe të ujit. Krimi mjedisor është shpeshherë i mirëorganizuar dhe i sofistikuar dhe lufta ndaj tij kërkon burime të mjaftueshme, bashkëpunim institucional dhe ndryshime legjislative, përfshirë ndryshime në Kodin Penal”, theksoi Borchardt.
Ndërsa ministri i Mjedisit, Blendi Klosi, kërkoi që krimi mjedisor të jetë pjesë e Kodit Penal, gjithashtu, kërkoi edhe më shumë nga qytetarët .


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë