Analize

Krimi i organizuar po çon Shqipërinë drejt ekstremizmit

Kur 140 persona ikën në vitin 2014 drejt Sirisë dhe Irakut për t’iu bashkuar Shtetit Islamik, qeveria dhe vetë shoqëria shqiptare u kapën në befasi. Për vendin tonë termi ekstremist ishte deri diku i panjohur e dhe i padëgjuar. Por ndërkohë që disa prej të larguarve drejt Lindjes se Mesme morën me vete edhe gratë e famijët, për mos tu kthyer më kurrë, ekstremizmi i dhunshëm vazhdoi të përhapej në të gjitha format e tij, sidomos në zonat e margjinalizuara të vendit.

Sipas një studimi të realizuar së fundmi nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM), përveç ekstremizmit islamik, në vendin tonë ka filluar të jetë prezent edhe ekstremizmi i krishterë. Në një konferencë të mbajur ditën e sotme në kryeqytet, ku e pranishme ishte edh e Zëvendësambasadorja Amerikane në Shqipëri, Leila Moses-onë, përfaqësues të IDM-së paraqitën kërcënimet aktuale që burojnë nga ekstremizmi i dhunshëm.

Gjergji Vrumo, autori kryesor i studimit shprehet se harmonia fetare është marrë për të mirëqenë në vendin tonë. “Edhe pse perceptimi i përgjithshëm është se radikalizimi është një “episod” i izoluar i qytetarëve shqiptarë që i bashkohen konfliktit në Siri apo i kufizuar tek veprimtaria e xhamive të paligjshme, si ajo në Mëzez apo Xhamia e Unazës në Tiranë, pjesa më e madhe e të intervistuarve të informuar, shprehen se përfaqësuesit fetare priren ta minimizojnë rëndësinë apo seriozitetin e kësaj dukurie në Shqipëri”,deklaroi ai.


Gjergji Vrumo

Ndërkohë zonja Moses-Ones shprehet se Shqipëria ia ka dalë më mirë sesa vendet e tjera të rajonit. “Shqipëria është ndër aleatët tanë më të mëdhenj në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm. Ambasada Amerikane është shumë krenare t’ju ketë si partnerë dhe ju nxisim të luftoni ekstremizmin me të gjitha mjetet e mundshme”, deklaroi e ngarkuara me Punë Leyla Moses-Ones.

Qeveria shqiptare botoi një strategji kombëtare për të luftuar ekstremizmin e dhunshëm në nëntor të vitit 2015, duke u fokusuar në edukimin dhe bashkëpunimin me udhëheqësit fetarë, por duket se kjo strategji nuk ka qenë efektive. Në vitin 2016, më shumë se 100 shqiptarë u bashkuan me grupe xhihadiste në Siri dhe Irak.

Krimi i organizuar nxit ekstremizmin

Studimi i IDM-së, bazohet në sondazhe kombëtare, duke hedhur dritë jo vetëm mbi qëndresën e publikut shqiptar ndaj ideologjive ekstremiste, si edhe qëndrimet dhe eksperiencën e tyre, por duke zbuluar edhe faktorët që i nxisin shqiptarët të “përqafojnë” ekstremizmi. Ndër nxitësit kryesorë të ekstremizmit të dhunshëm janë përjashtimi social, marxhinalizimi, paragjykimi fetar, përfshirja në grupe të dhunshme shoqërore dhe shtimi i aktiviteteve të paligjshme ekonomike.

Ky i fundit duket se ishte edhe një nga zbulimet më të bujshme të studimit të këtij viti, i cili nxirrte në pah se qytetet me nivelin më të lartë të krimit të organizuar ishin edhe “hospotet” kryesore të ekstremizmit të dhunshëm. Sipas të dhënave, Kruja, Elbasani dhe Bulqiza janë strehëzat kryesore të ekstremizmit të dhunshëm në vendin tonë. I pyetur nga gazeta Si nëse për lidhjen mes këtij fenomeni dhe krimit të organizuar, Vrumo shprehet se:
“Nuk mund ta mohoj se ka një paralelizëm mes tyre. Falë sondazheve zbuluan ka krim të organizuar, ka edhe ekstremizëm. Qytetet më normat më të larta të krimeve të dhunshme kanë janë gjithashtu edhe hospote të ideologjive ekstremiste. Në nuk e kemi përfshirë krimin e organizuar në studimin tonë, por ky ishte një paralelizëm që e zbuluam gjatë rrugës”, deklaroi ai.

Sipas të dhënave, korrupsioni ka minon kapacitetin e qeverisë shqiptare dhe bën të mundur krijimin e zonave të “paqeverisura”, ose “të keqqeverisura”, të cilat mund të krijojnë mundësi për grupet e ekstremizmit të dhunshëm. Këto zona të izoluara, përbëjnë vatra të sigurta ku grupet e ekstremizmit të dhunshëm mund të krijohen pa pengesa të mëdha dhe, madje, të marrin mbështetje nga komunitetet e lëna në harresë nga qeveria. Studimi thekson se ndërthurja e qeverisjes së dobët me korrupsionin e përhapur (dhe konfliktet lokale) nxit krijimin e qendrave alternative të pushtetit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

“Zonat rurale dhe të largëta të Shqipërisë paraqesin interes të veçantë në këtë drejtim për shkak të pranisë së kufizuar të agjencive shtetërore. Mbulimi i dobët i popullsisë në këto zona me shërbime të ofruara nga shteti (shërbimi shëndetësor, arsimi dhe shërbime të tjera sociale) mund të shërbejnë për radikalizimin dhe të përdoren nga grupet ekstremizmit të dhunshëm”, thekson studimi. 54% e të intervistuarve të sondazhit të IDM-së besojnë se forca e shtetit është më pak e pranishme (më e ulët) në zonat rurale. Shumica dërrmuese në Cërrik (80%), Kukës (66%), në Komunën Qendër-Librazhd (64%) dhe Librazhd (51%) ndajnë këtë opinion. Në Përrenjas, 45% e të intervistuarve nuk kanë një mendim dhe 40% janë dakord”, shtohet më tej në studim. Madje sipas të dhënave , 67% e të intervistuarve thonë se veprimtaritë fetare duhet të jenë të lira dhe të mos monitorohen nga shteti.

50 % e shqiptarëve duan të shembin me dhunë pushtetin

Sipas studimit, mungesa e të drejtave politike dhe lirive civile mund të nxinin një besim se dhuna është mjeti i vetëm që sjell ndryshimin politik. Gjatë konferencës, përfaqësues të IDM-së bënë të ditur se 50% e të intervistuarve deklaruan gjatë sondazheve se pushteti duhet të shembet me forcë.

Studimi thekson se shtypja nga qeveria dhe shkelja flagrante e të drejtave të njeriu, si trajtimi mizor i një individi në duart e policisë apo forcave të sigurisë mund të çojë në dëshirën për hakmarrje. Autorët kanë arritur në përfundimin se sa më i ashpër e më i përhapur të jetë brutaliteti, aq më e madhe do të jetë përhapja e veprimtarive të ekstremizmit të dhunshëm dhe aq më shumë mbështetje do të marrë ekstremizmi i dhunshëm nga komunitetet vendore.

“Sa më i korruptuar të jetë mjedisi, aq më të lehtë e kanë grupet e ekstremizmit të dhunshëm të shpallin veten si alternativa e drejtë dhe t’i sulen elitave imorale qeverisëse. Pjesa më e madhe e të intervistuarve, 55%, besojnë se institucionet shtetërore nuk tregojnë respekt për të drejtat dhe liritë civile të qytetarëve.

Radikalizmi mysliman dhe ai i krishterë

Shfaqja e rrymave radikale fetare në Shqipëri lidhet me ardhjen pas rënies së komunizmit të disa organizatave arabo-islamike të dyshuara apo të lidhura me terrorizmin, dhe kthimin në vend të studentëve shqiptarë të financuar me bursa studimore prej këtyre organizatave.

Përfaqësues të IDM-së shpjegojnë se disa prej këtyre studentëve mund të kenë rënë në kontakt dhe të jenë influencuar nga persona të njohur për pikëpamjet e tyre radikale fetare, të cilët justifikojnë veprimet ekstreme.

Edhe pse Shqipëria i përket traditës hanefi të Islamit, një pjesë e konsiderueshme e klerikëve të Komuniteteti Mysliman në vendin tonë vijnë nga shkolla më konservative. Ndryshe nga pjesa më e madhe e këtyre klerikëve, disa prej tyre nuk janë përshtatur me traditën hanefi të Islamit, duke propaganduar kështu një traditë më konservatore.

Disa nga informuesit kryesorë të këtij studimi sugjerojnë se xhamitë e paligjshme dhe ekstremistët e kthyer në vendin tonë janë mbështetur me mjete financiare. “Shumë nga shqiptarët e kthyer që kanë studiuar dhe janë ndikuar nga ideologjitë salafiste kanë përfituar mbështetje (financiare) nga fondacione të huaja fetare jo vetëm gjatë periudhës së studimeve por edhe pasi janë kthyer në Shqipëri.


Edhe pse KMSH pretendon se ka nën kontroll të plotë institucionet e arsimit fetar (medresetë) dhe xhamitë nën autoritetin e tij, ekspertët janë të mendimit se problem mbeten ende objektet fetare jashtë autoritetit të KMSH-së. Mungesa e burimeve për institucionet e KMSH-së në zonat e largëta të vendit mund të përdoret nga grupet radikale për të përhapur ndikimin e tyre tek, shpesh me anë të kurseve fetare apo atyre të formimit professional”, thotë studimi.

Ai thekson se prania në komunitet e individëve apo grupeve që nxisin radikalizmin e Krishterë apo Islamik pohohet nga 12 % e të intervistuarëve. Në të njëjtën kohë, numri i personave që mohojnë praninë e individëve apo grupeve nxitëse të radikalizmit islamik është më i lartë se numri i të intervistuarve që mohojnë praninë e grupeve me agjendë radikalizuese të krishterë. Në krahasim me të gjitha zonat e anketuara, numri më i lartë i personave që besojnë se në zonën e tyre ka individë apo grupe nxitëse të radikalizmit të krishterë është në zonën e Librazhdit, si në qytet (18.2%) ashtu dhe komunë (Qendër 15.3%). Ndërsa numri më i lartë i personave që besojnë se në zonën ku ata banojnë janë të pranishëm individë apo grupe nxitëse të radikalizmit islamik është në Bulqizë (21%).


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë