Vende dhe Udhetime

Kostot që duhet të paguash për emrin e keq të qytetit

Gjetja e mënyrave për të tërhequr vizitorë dhe turistë nuk është kurrë një detyrë e lehtë për asnjë qytetar, sidomos në tregun e sotëm hiperkonkurues. Ky mision bëhet edhe më i vështirë kur ndodh që një qytet të ketë emrin e një minerali kancerogjen të ndaluar në gati 60 vende.

I tillë është Azbesti, një qytet i vogël në jug-lindje të Québec, Kanada.

"Një nga punonjësit tanë të zhvillimit ekonomik ishte në Amerikë vitin e kaluar për një kongres, duke kërkuar mundësi për ta ndryshuar." kujton Caroline Payer, një këshilltare e qytetit.

Ajo tregon se njerëzit madje refuzojnë dhe kartëvizitat e bizneseve sepse mendojnë se dhe ajo është e rrezikshme.

“Kur fillon kështu nuk është mirë.”

Raste të tilla e kanë shtyrë Azbestin të marrë masa drastike.

Në 14-18 tetor, 6800 banorët e saj votuan  për ta riemëruar atë në L'Azur-des-Cantons, Jeffrey-sur-le-Lac, Larochelle, Phénix, Trois-Lacs dhe Val-des-Sources, një listë e shkurtër që u zgjerua nga katër në gjashtë emra pasi banorët u ankuan se nuk kishin zgjedhje të mjaftueshme. Ky është një proces i shtrenjtë që do të kushtojë shumë për të përfunduar, por udhëheqësit e qytetit janë të bindur se do të japë përfitime.

"Ne po humbasim mundësi të shkëlqyera biznesi vetëm për shkak të emrit tonë. Është shumë e trishtuar." thotë Payer.

Gjithsesi, gjithë kjo nuk ishte gjithmonë kështu. Një mineral dikur i lakmuar, azbesti u përdor në ndërtim dhe industrinë e prodhimit. Miniera “Jeffrey” nga ku nxirrej ky mineral kishte mijëra punëtorë që paguheshin mirë por nga vitet 1920 e këtej, provat janë shfaqur gjithnjë e më shumë që lidhin asbestin me sëmundje të tilla si mesothelioma, një lloj kanceri që prek sipërfaqen e disa prej organeve të trupit dhe kancerin e mushkërive. Organizata Botërore e Shëndetësisë ka vlerësuar në të kaluarën se çdo vit, më shumë se 100,000 njerëz në të gjithë botën vdesin nga sëmundjet që lidhen me asbestin. Në vitin 2011, Miniera e Jeffrey u mbyll përfundimisht.

Miniera Jeffrey

Që atëherë qyteti është përpjekur në mënyrë të përsëritur të riformojë imazhin e tij dhe të gjenerojë mjete të tjera për të mbështetur ekonominë lokale. Pati një përpjekje për ta kthyer minierën e Jeffrey në një qendër turistike aventureske, të mbushur me shtigje për ngjitje shkëmbinjsh me biçikleta por as kjo nuk funksionoj.

"Vitin e kaluar ishte një kompani që po mendonte për qytetin tonë për të vendosur biznesin e saj, e cila do të kishte krijuar 30 vende të reja pune por një nga kriteret e tyre kryesore ishte të zgjidhnin një vend me një emër që nuk do të shkaktonte telashe dhe kështu e humbëm atë mundësi.” tha Payer.

Vlera e një emri

Gjithsesi ka dhe raste ku emri i një qyteti ka bërë që të njihet kudo. I tillë është fshati Norvegjez i Ferrit, emri i tij buron nga fjala e vjetër e Norvegjisë ‘hellir’, që do të thotë shpellë shkëmbi e cila ka qenë një destinacion i njohur turistik për gati një shekull. Në vitet 1930, Neë York Times këshilloj turistë të vizitojnë këtë vend pikërisht për shkak të emrit që ka. Publiciteti i ka mundësuar “Ferrit” të organizojë ngjarje të shumta duke përfshirë Festivalin vjetor të Hell Blues dhe madje edhe Kampionatin Botëror të RallyCross.

"Emri e ka bërë Ferrin në një markë udhëtimi", thotë Kjersti Greger, menaxher i marketingut dhe komunikimit në një kompani.

Madje njerëzit që jetojnë atje kanë vendosur një tabelë për të treguar se është qyteti i hellit.

Në vitet e fundit, të tjerë kanë kërkuar mënyra inovative për të përfituar nga emrat e tyre, përmes fuqisë së mediave sociale. Qytetet e Boring në Amerikë,  Dull në  Skoci dhe Bland në Australi janë bashkuar për të formuar “Lidhjen e Komuniteteve të Jashtëzakonshme” në Facebook, një partneritet që është paraqitur në fushatat reklamuese për Coca-Cola, Unilever dhe Jaguar.

Disa qytete e kanë kapërcyer sikletin për emrat e tyre për të marrë përfitime. Një provincë në Kanada quhet Dildo dhe nga mesi i viteve 1980, disa banorë ishin lodhur nga talljet dhe bënë fushatë për të ndryshuar emrin ose në Seaview ose Pretty Cove, por shumica e qytetarëve të Dildos votuan për të mbajtur të njëjtin emër.

Tridhjetë vjet më vonë, ai vendim ka dhënë rezultat. Pothuajse 40% e 1200 banorëve të provincës sigurojnë jetesën e tyre nga turistët amerikanë dhe kanadezë të cilët kanë lexuar për emrin. sipas

“Ne nuk kemi pse të bëjmë fare marketing dhe nuk harxhojmë para pasi emri i vendit sjell të gjithë turistët që duam.” tha Andrew Pretty, një banor.

Në vitin 2019, prezantuesi Jimmy Kimmel bëri një shaka duke thënë se do të kandidonte për kryetar bashkie dhe pas kësaj, fluksi i turistëve që donin të shkonin atje bllokoi dhe linjat telefonike.

"Interesi është dhjetëfishuar që nga Jimmy Kimmel. Në kemi hapur biznese të reja që nuk kanë asnjë lidhje me komunitetin tonë vetëm pse ato mendojnë se vendi jonë është i vecantë." tha Pretty.

Duke qenë dëshmitar i një vendi që ka fituar shumë vetëm për shkak të emrit, Pretty tha se nuk e mbështet vendimin e Asbestit për të ndryshuar emrin pasi ashtu nuk do të bien më në sy.

Asbesti mund të mos dëshirojë të dalë në pah, por shumë ekspertë thonë se edhe nëse e ndryshojnë emrin, historia e atij vendi nuk do të ndryshojë.

"Do të ishte relativisht e thjeshtë për një investitor të ardhshëm që kërkon të shkojë atje për të zbuluar se ky ishte qyteti i njohur më parë si Azbesti", thotë Andrea Insch, një studiues në Universitetin Otago të Zelandës së Re.

Katër vjet më parë, një grup punëtorësh në Blenheim, një nga qytetet që njihet për verën dhe turizmin në Zelandën e Re, filloi një fushatë për të riemëruar qytetin Marlborough City për të përfituar nga turizmi dhe njohja globale e rajonit të verës. Gjithsesi kjo fushatë u ndërpre shumë shpejt pasi banorët e tjerë nuk ishin dakord me këtë.

"Mendova se do të kishim të paktën një rritje prej 10 deri në 15% të të ardhurave nga turizmi por gjërat u përshkallëzuan në mënyrë të shpejtë dhe reagimi nuk ishte pozitiv.” thotë Mitchell Gardiner.

Azbesti është shumë afër ndryshimit të emrit edhe pse shumë nuk janë dakord.

Këshilltarët e Asbestit thonë se vizioni kryesor prapa ndryshimit të emrit është të përmirësojmë perspektivat për brezin e ardhshëm dhe ata  presin që të shohin përfitimet për një dekade ose më shumë.

"Ne nuk presim që të ndodhë një mrekulli dhe papritmas të gjithë të vijnë këtu. Ne mendojmë se ndikimi pozitiv do të shihet në pesë, ndoshta 10 vjet, prandaj ne po përfshijmë gjeneratën e ardhshme. Ata të rinj do të jetojnë në këtë qytet për shumë më gjatë sesa ne. Kur humbet një punë për shkak të emrit të qytetit, është shumë. Ne besojmë se duke ndryshuar emrin, ne po shkojmë drejt së ardhmes.

Burimi: BBC. Përktheu: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë