Rend dhe Ligj

Kosto e lartë për të burgosurit. Ligji i ri synon të shtojë dënimet alternative

Shërbimi i Provës, që merret me mbikëqyrjen e të dënuarve me dënime alternative (jo me burg), pritet t’i nënshtrohet një reformimi të thellë. Kostot e mbajtjes së të një të burgosuri në qeli janë të larta për Shqipërinë, ndaj në qendër të ligjit të ri është edhe synimi për të ulur numrin e të burgosurve nëpër burgje dhe zgjerimi gamës së atyre të dënuarve që mbikëqyren në distancë. Deri më tani Shërbimi i Provës funksiononte si një pjesë e ligjit për Ekzekutimin e Vendimeve Penale, por tashmë Ministria e Drejtësisë ka nisur procesin e krijimit të një formati të ri të funksionimit të këtij institucioni.

“Problematikat e konstatuara gjatë zhvillimit të veprimtarisë së këtij institucioni, në ekzekutimin e dënimeve alternative në vendin tonë, qoftë në aspektin teorik apo praktik, si dhe ndryshimet që ka pësuar legjislacioni penal, kanë diktuar nevojën e hartimit të një ligji të ri me qëllim rikonceptimin e këtij institucioni për sa i përket strukturës organizative të tij, rolit dhe kompetencave të tij”, thuhet në relacion si një nga arsyet e paraqitjes së kësaj nisme.
Shërbimi i Provës organizohet në nivel qendror, që përbëhet nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Provës, dhe në degë territoriale të Shërbimit të Provës të organizuara pranë gjykatave të rretheve gjyqësore.

Faksimile e p/ligjit "Për Shërbimin e Provës"

Ky projektligj sipas ministrisë së Drejtësisë është i nevojshëm për vetë rëndësinë që paraqet në fushën e ekzekutimit të dënimeve alternative në fushën penale dhe shtrirjes së madhe që ka aktualisht në 22 zyra pranë çdo gjykate të rrethit gjyqësor. Drafti synon të forcojë më shumë pozitën e këtij institucioni dhe kompetencat e tij në sistemin penitenciar, duke e ngritur rregullimin e tij në nivel ligji, pasi në këtë mënyrë krijohet një qëndrueshmëri më e madhe juridike për funksionimin e këtij institucioni sipas standardeve ndërkombëtare.
Shërbimi i Provës, gjatë veprimtarisë së tij ushtron këto funksione: Mbikëqyr zbatimin e detyrave të ngarkuara ndaj personit nën mbikëqyrje të përcaktuara në urdhrin e ekzekutimit të nxjerrë nga prokurori; Harton dhe mbikëqyr mënyrën e zbatimit të programit individual të trajtimit të të mbikëqyrurit, duke synuar mbrojtjen e interesit publik, mbrojtjen e viktimave të veprave penale dhe parandalimin e kryerjes së veprave penale; Mbështet të mbikëqyrurin në kapërcimin e vështirësive në riintegrimin shoqëror para, gjatë dhe pas përfundimit të periudhës së provës, si dhe adreson problematikat e të mbikëqyrurit, për, punësimin, strehimin, formimin e tij, në mënyrë që të reduktohet në të ardhmen rreziku i recidivizmit.


Ulje e kostos për të dënuarit
Dënimi me burgim nuk është gjithmonë rruga më e përshtatshme për t’u aplikuar mbi personat që kryejnë vepra penale dhe për këtë parashikohen alternativa. Për sa i përket uljes së recidivizmit, dënimeve alternative janë më efektive se dënimet afatshkurtra me burgim. Gjithashtu përfitues indirektë janë familjarët e personave në shërbim prove, shoqëria civile, biznesi privat, nëpërmjet ofrimit të kurseve profesionale të këtyre individëve, si dhe shoqëria në tërësi.
Kjo nismë e re, e parashikuar për zbatimin e dënimeve alternative, apo dhe mbikëqyrjen elektronike shihet nga qeveria si një ulje e kostos financiare që shpenzohet për mbajtjen e një të dënuari në burg. Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, mbajtja e një të dënuari në burg i kushton shtetit 976,375 lekë në vit. Sipas të dhënave kosto mesatare për një të burgosur është afërsisht 2675 lekë në ditë, ndërsa kosto për një të mbikëqyrur është 80 lekë në ditë. Kështu parashikohet që të ketë përfitime në vite nga aplikimi i këtij ligji. Për vitin 2019 është 1,085,463,000 lekë, ndërsa për dy vitet e ardhshme 1,248,377,000 dhe lekë 1,435,917,000 lekë.
Punonjësi i Shërbimit të Provës ka për detyrë të mbikëqyrë mënyrën se si përdoret dënimi alternativ ndaj një të dënuari. Sipas nenit 23, kur i mbikëqyruri i paralajmëruar, brenda 15 ditëve kalendarike nga data e paralajmërimit, me veprime ose mosveprime nuk përmbush detyrimet e përcaktuara në programin e realizimit të mbikëqyrjes, punonjësi përgjegjës i Shërbimit të Provës i kërkon prokurorit për nevojën e ndryshimit të pjesshëm a të plotë të dënimit alternativ ose revokimin e tij.


Si një nga objektivat e qeverisë për këtë p/ligj parashikohet ulja recidivizmit. Dënimet komunitare synojnë të ndëshkojnë, të ndryshojnë, të kontrollojnë dhe të ndihmojnë të dënuarit duke iu përshtatur nevojave të tyre. Një rrugë mjaft efektive për të ndryshuar sjelljen e personave që kryejnë veprime kriminale është përfshirja e tyre në një program trajtimi gjithëpërfshirës. Statistikat tregojnë se këto programe reduktojnë ripërfshirjen e këtyre të dënuarve në krim, pasi këto programe u ofrojnë të dënuarve mënyra se si mund të zgjidhin problemet e tyre dhe të qëndrojnë larg sjelljeve kriminale në të ardhmen. Alternativat e dënimit me burgim konsiderohen si dënime që kryen në komunitet dhe për këtë arsye ato janë konsiderohen të dobishme, pasi kombinojnë kontrollin me mbështetjen për të dënuarit, në mënyrë që ata të largohen nga rruga e krimit. Prandaj, përfitimet janë të dyfishta: si për shkelësit e ligjit, ashtu dhe për komunitetin që i përkasin. Dënimet që kryen në komunitet nuk përbëjnë shmangie nga sistemi i drejtësisë penale. Të dënuarit me dënime alternative nuk janë tërësisht të lirë, por ata duhet të përballen me kufizime të lirisë të vendosura me vendim gjyqësor, gjatë kohës që ata ndodhen nën mbikëqyrjen e Shërbimit të Provës. Synim tjetër është që të mundësohet rehabilitimi shoqëror i shkelësve të ligjit. “Rehabilitimi shoqëror nëpërmjet standardizimit të programeve të mbikëqyrjes,ofrimit të trajnimeve me tema ligjore sociale dhe kurseve profesionale, mundëson përfshirjen në shoqëri të personave në shërbim prove, si persona të rehabilituar që mund të kontribuojnë tashmë në zhvillimin e mëtejshëm të saj”, thuhet në relacion.


Fati i punonjësve të Shërbimit
Punonjësit aktualë të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Provës, sipas draftit aktual, që kanë statusin e nëpunësit civil, sipas rregullimeve aktuale në fuqi, vazhdojnë të gëzojnë të njëjtin status edhe pas hyrjes në fuqi të këtij ligji. Në dispozitën kalimtare punonjësit administrativë, vazhdojnë të mbeten në detyrë edhe pas hyrjes në fuqi të këtij ligji. Procedurat e filluara për mbikëqyrjen e ekzekutimit të dënimeve alternative, të nisura para hyrjes në fuqi të këtij ligji, vazhdojnë të ndiqen sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi. Shërbimi Kombëtar i Punës gjatë kësaj periudhe ka hasur pengesa në lidhje me zbatimin e mbikëqyrjes së të dënuarve, pasi kishte shumë probleme për aparaturat elektronike të mbikëqyrjes. Ky skandal ka çuar në ndjekjen penale të disa punonjësve të Ministrisë së Drejtësisë, për shkak të tenderave të realizuara, pasi aparaturat kanë dalë jashtë shërbimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë