Politike

Korridori i 8 është zgjuar nga letargjia – Si arriti Shqipëria të kapë momentin

Nga Gisela Troplini - Plani amerikan për një korridor pan-europian që do të lidhte lindjen me perëndimin ndërmjet shteteve të Ballkanit, të quajtur Korridori 8 është rikthyer përsëri në fokusin e BE-së por jo për meritë të tyre. Unioni njoftoi se Korridori 8 do të jetë pjesë e projektit infrastrukturor europian TEN-T, dhe jo vetëm një projekt rajonal i lënë pas dore, por më herët Shqipëria diti të loboj për ri zgjimin e këtij projekti tepër strategjik.

Pasqyruar edhe në harta historike, si “Rruga Egnatia” e perandorisë Romake, ishte zgjatimi lindor i “Rrugës Appia” që lidhte Romën me Brindisin dhe ajo lidhte Adriatikun me Bosforin.

Sot i njëjti projekt lidh Barin dhe Brindisin në Itali me bregun lindor të Adriatikut dhe vazhdon deri në brigjet e Bullgarisë. Por ndërkohë që segmenti perëndimor që lidh Shkupin me Sofjen dhe mbaron në Burgas dhe Varna ka avancuar ndjeshëm, puna në segmentin lindor që lidh Shkupin me portin e Durrësit në Adriatik dhe më pas me Barin, nuk është bërë progres, dhe pse faza finale ishte parashikuar të mbyllej në vitin 2020.  

Sipas ekspertëve italianë, në një studim të fundit për projektin thonë se korridori 8 është ende i papërfunduar për shkak të arsyeve politike, financiare dhe sociale projekti ka pasur vonesa. Por një faktor thelbësor ka qenë selektimi i BE-së në financime. 

Në vitin 2002, Italia, Shqipëria, Bullgaria, Maqedonia e Veriut, Greqia dhe Turqia nënshkruan në Bari një Memorandum Mirëkuptimi për projektin që synonte harmonizimin e parametrave teknik dhe  caktimin e projekteve që do të kryheshin përgjatë aksit të Korridorit, së bashku me shkëmbimin e informacionit, formulimin e rregulloreve për investimet, parakushtet për përdorim më efikas të fondeve dhe asistencë teknike si nga subjektet publike ashtu edhe ato private. Por ndryshimet e asaj kohe brenda Bashkimit Europian, i dhanë përparësi një tjetër projekti infrastrukturor, TEN-T, për vendet anëtare të saj. Por nga shtetet që do të zhvillonin Korridorin 8, vetëm dy ishin dhe janë pjesë e BE-së, Italia dhe Bullgaria, që morën dhe financimet.

Më herët, profesor Selami Xhepa, këshilltar i parë i kryeministrit Berisha që ka kryesuar takimet nga pala shqiptare për Korridorin 8, vite më parë, do të thoshte për Gazetën “Si” se është një ëndërr e parealizueshme. Arsyet ia faturon kusureve gjeopolitike.

Ai tregon se takimi i parë u bë në në Itali, ku Shqipëria ishte pro investimit për gjurmën që kalonte nga Porti i Durrësit dhe rrjetin rrugor, por Italia kërkonte gjurmën tek Porti i Barit dhe çdo shtet i përfshirë kishte pretendimet e veta. Ai përmend Greqinë si shteti që kundërshtoi pretendimet e Shqipërisë dhe vijoi intensivisht projektet e saj, portin e Selanikut, autostradën e Igumenicës, zgjatimin e rrugës Egnatia, etj.

Ardian Haçkaj, Drejtor Kërkimi në Institutin për Kërkim dhe Zhvillim, Gazeta 'SI'

Ardian Haçkaj, Drejtor Kërkimi në Institutin për Kërkim dhe Zhvillim (ICD­­­), tha së fundmi për Gazetasi.al se përfshirja e Korridorit 8 në planin e Europës ka përfitime ekonomike, por qëllimet janë gjeopolitike. “Përfshirja e Korridorit 8 në TEN-T është një aset europian për sigurinë. Ky projekt është si TAP-i për infrastrukturën. Ka të njëjtën rëndësi gjeopolitike dhe mbrojtje”, - u shpreh Haçkaj.

Mbi përfitimet ekonomike, kreu i ICD-së tha se mjafton të shohim se partnerët kryesorë tregtarë të Shqipërisë janë pikërisht vendet me të cilët do të na lidhë Korridori, referuar mundësisë së shtimit të kapaciteteve tregtare.

Në fillim të vitit 2021, ministri i Jashtëm i Maqedonisë i kërkoi kryeministrit bullgar dhe shqiptar bashkëpunim për krijimin e një  platforme të përbashkët politike që do të intensifikonte dhe forconte punën dhe interesat e të tre shteteve për këtë projekt.

Ndër këto tre shtete, ku ka ngecur korridori 8, Shqipëria ka përfunduar vetëm 2 nga rrugët  e nevojshme, Tiranë-Elbasan dhe Bypass-i i Fierit, ndërkohë që po punohet në Bypass-in e Vlorës dhe rrugën Qukës - Qafë-Plloçë. Por vendi jonë nuk ka nisur ende punën për hekurudhën Durrës-Elbasan-Lin-Maqedoni e Veriut. Punime që Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut i kanë të përfunduara ose pothuajse në përfundim. (Bullgaria po pret për financime të mëtejshme që të vijojë ndërtimet e autostradave interurbane.)

Haçkaj, drejtues i ICD-së në Shqipëri tregon se lajmi i mirë i përfshirjes së Korridorit në projektin TEN-T, njoftuar dy ditë më parë nga kryeministri Rama, erdhi pasi një lobingu të fortë në strukturat europiane. “Kemi lobuar fort, bashkë me qeverinë nga dy vite për ta përfshirë korridorin në TEN-T. Në hartën e dhjetorit të shkuar, BE nuk e përfshinte këtë”, - tha ai për Gazetasi.al duke treguar se lobingu u bë në 4 nivele.

Harta e publikuar nga Komisioni Europian në dhjetor 2021, ku nuk përfshihej Shqipëria, Gazeta 'SI'

“Niveli i parë është ai politik, ku lobon qeveria, në këtë rast, qeveria jonë, ajo e Maqedonas së Veriut, shumë fort dhe Bullgaria. Niveli i dytë është kombëtar, si letra që kryeministri Rama i dërgoi delegacionit europian. Niveli i tretë është lobingu teknik, me informacione të detajuara rreth projekteve, rrugëve, etj. Niveli i katërt është lobingu i përgjithshëm ku organizata, aktorë të ndryshëm, kryejnë takime me drejtori, me ministri etj nga vendet e tjera.”

Pa dhënë më tej detaje, Haçkaj tregon se ndër faktorët kryesorë që u përdorën dhe “bindën” KE-në për vendimin që sapo mori ishte pikërisht nevoja për më shumë siguri në vendet e NATO-s dhe ndërhyrjet infrastrukturore, ku përmend ardhjen e trupave “Defender 21”, që zbuloi sfida të lëvizshmërisë nga portet në brendësi të Shqipërisë.

Ai thekson se futja e Korridorit 8 dhe mundësitë për financimin që përshpejtojnë finalizimin e projektit, nuk është vetëm çështje infrastrukturore, por një mekanizëm i forcimit rajonal.

Korridori 8 është thelbësor për sigurimin e aksesit të shpejtë të ushtrisë nga jugu i Adriatikut në Porto Romano në brendësi të Ballkanit, dhe zhvendosje të mëtejshme drejt Shkupit, Sofjes dhe Detit të Zi . Stërvitja e fundit ushtarake e NATO-s “Defender 21" zbuloi sfida të rëndësishme të ndërveprimit që prekin portet dhe lidhjet me brendësi të Shqipërisë.  Korridori 8  ofron një korridor alternativ transporti që lidh Adriatikun dhe Detin e Zi , tepër i sigurt për të kaluar përmes NATO-s dhe shteteve të Ballkanit Perëndimor”, -sugjeron ICD.

Në letrën e kryeministrit Rama drejtuar delegacionit europian në Tiranë, kërkohet përfshirja e projekteve në Shqipëri në planin e BE-së si një mundësi e mirë financimi, pasi “autoritetet shqiptare nuk kanë mundësinë e mbledhjes së tyre”.

Harta e publikuar nga Komisioni Europian, dhjetor 2022, pas vendimit se Korridori 8, ku ësht pjesë Shqipëri, do të përfshihet në TEN-T, Gazeta 'SI'

Por përfitimet vijnë me përgjegjësi. Përfshirja e vendeve të Ballkanit në TEN-T, do të thotë ndryshim dhe modernizim i mëtejshëm i kornizës ligjore dhe asaj infrastrukturore. Vendet duhet të sinkronizojnë politikat e gjelbërat me BE-në. Do të ketë një rrjet të ri trans-europian , të ristrukturuar nga themeli dhe gjithëpërfshirëse. Ka një afat përfundimi, 2040. Territoret e vendeve të përfshira janë në dispozicion të të gjithë rrjetit. 

Në lidhje me transportin hekurudhor, Komisioni synon të krijojë një rrjet hekurudhor shumë konkurrues dhe plotësisht të ndërveprueshëm për mallra dhe pasagjerë me performancë të lartë në të gjithë Europën.

Komisioni ka dhe kushte për rrugët brenda vendeve. Fillimisht ato duhet të kenë implementuar planin europian të Lëvzishmërisë së Qëndrueshme urbane deri në 2025-n. Qytetet duhet të kenë të paktën një terminal mallrash multimodal dhe stacion për pasagjerë.

Futja e vendeve të Ballkanit në një projekt europian do të thotë që kontrolli do të jetë po sipas tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë