Vende dhe Udhetime

Kopenhaga, kryeqyteti i çiklizmit

Nga Kevin Rushby- Me ‘Tour de France’ duke u nisur për në Danimarkë për herë të parë, shijova kënaqësitë e çiklizmit dhe kuzhinës të kryeqytetit dhe kuptova pse Kopenhaga është kryeqyteti i çiklizmit.

Kjo është hera e parë që më pëlqeu vërtet çiklizmi në një qytet. Më parë kam qenë një vrojtues makinash në dy rrota, një shmangës i gropave dhe gjithë ekzistenca ime është e mbushur me njerëz që ecin në korsinë e biçikletave.

Në Kopenhagë këto shqetësime nuk ekzistojnë. Këtu ka korsi mjaftueshëm të gjëra sa mund të parakalosh dhe nuk rrezikon asgjë.

Në semaforë ka një urë, kështu që çiklistët nuk kanë pse të presin semaforin dhe kudo ka kosha mbeturinash ku çiklistët mund të hedhin mbeturinat e tyre ndërkohë që janë në lëvizje.

Ura e Mbretëreshës Louise

Jam i habitur që Tour de France nuk ka qenë kurrë më parë në Kopenhagë apo Danimarkë. Kryetarja e bashkisë së qytetit, Sophie Hæstorp Andersen, më tha: ”Për ne banorët e Kopenhagës, çiklizmi është një mënyrë jetese dhe ne jemi krenarë që quhemi qyteti më i mirë i çiklizmit në botë. Unë e kam parë turneun që kur isha vajzë e vogël dhe tani, si pjesa tjetër e Danimarkës, mezi pres të shoh çiklistët në qytet”.

Ky korrik do të shikojë gjithashtu një rinisje të turneut të grave, i cili fillon në Paris, një ngjarje që ka pasur një histori të pakëndshme që nga fillimi i saj në 1955.

Fillojmë në tregun e mbuluar në Torvehallerne, për t'u pajisur me kek dhe kafe. Udhërrëfyesit e mi, Christian dhe Roman nga Cycling Kopenhagen, theksojnë se të gjithë lëvizin me biçikletë madje edhe katër vjeçarët shkojnë në shkollë me biçikletë, diçka për të cilën mendoj se një prind në Mbretërinë e Bashkuar do të ndiqej penalisht.

Një kafene me shumë vend parkimi për biçikleta.

"Çiklizmi këtu është pjesë e kulturës hygge. Ne duam të ndihemi zgjuar dhe të shëndetshëm në mëngjes”, thotë Andersen.

Ndalesa e parë është Ura e Mbretëreshës Louise, që thuhet se është rruga më e ngarkuar me biçikleta në botë, ku një numërues dixhital na tregon se sa çiklistë kanë kaluar në këtë rrugë në katër muajt e mëparshëm: rreth 1.2 milionë. Ne i shikojmë ata të kalojnë dhe është sjellja që të habit, vetëbesimi dhe vrulli me të cilin ata qarkullojnë. Njerëzit nuk kanë asnjë mbrojtës pasi e dinë se shanset për tu rrëzuar janë të pakta.

Në Kopenhagë kishte një kulturë biçikletash që me kohë por korsia e parë e biçikletave u ndërtua në vitin 1908 nga arkitekti Jan Gehl.

Gehl solli korsi biçikletash të ndara nga një bordurë, një zhvillim jetik, si dhe parkim për to. Ishin të gjitha kushtet për të udhëtuar me biçikleta dhe lehtësirat bënë që ajo të bëhej mjeti i preferuar i banorëve.

Ikona më e njohur e Kopenhagës, statuja e Sirenës së Vogël, do të jetë vendi për provën e parë për çiklistët profesionistë të Tour-it, me disa kthesa pranë saj, pastaj do të ketë një seksion me kalldrëm nëpër pallatin mbretëror Amalienborg. (Po, edhe anëtarët mbretërorë danezë lëvizin me biçikletë, ndonjëherë edhe duke çuar fëmijët në shkollë).

Ura e këmbësorëve dhe çiklistëve lidh Nyhavn dhe Christianshavn.

Këtu ka ura elegante për biçikleta që lidhin qytetin përgjatë rrugës ujore qendrore me ishullin periferik të Amager dhe shkurtojnë në mënyrë radikale kohën e udhëtimit në krahasim me makinat.

Rigjallërimi kulturor i Kopenhagës është udhëhequr nga skaji verior i ishullit Amager, një zonë që dikur ishte objekt portual ose zonë ushtarake, por tani është e mbushur me restorante, kafene dhe objekte argëtimi interesante, të gjitha të bëra në një stil të paimitueshëm krijues. Stacioni i eko-energjisë Amager Bakke strehon gjithashtu murin më të lartë të ngjitjes në botë dhe një pistë skish (është e mundur të ngjitesh në murin 80 metra dhe të zbresësh me ski poshtë).

Njerëzit kanë formuar grupe të vogla çiklizmi dhe klube.

Urat e biçikletave ndihmojnë për të siguruar që makinat janë të ndara nga çiklistët dhe ndihmojnë në shkurtimin e kohës së udhëtimit për këta të fundit.

Aty do të gjeni Noma-n, restoranti i një Shqiptari i votuar vazhdimisht si restoranti më i madh në botë.

Anders Mielke, një çiklist tregon se e mira që solli pandemia është se shtoi dashurinë për biçikletën.

“Pandemia ka rritur dashurinë e qytetit për çiklizmin. Njerëzit kanë formuar grupe dhe klube të vogla biçikletash. Tani emocionet për ardhjen e turneut janë më shumë se kurrë”.

Tour de France do të bëjë tre etapa në Danimarkë, 1 korrik në kryeqytet, 2 dhe 3 korrik më tej në vend, përpara se të niset për në Francë. Por, për mendimin tim, flamuri nuk do të shkojë në Francë, do të qëndrojë në shtëpinë e tij natyrale, në Kopenhagë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë