Analize

‘Kompleksi i Kajzerit’ që ka Scholz, po e lë Ukrainën në baltë

Olaf Scholz së fundmi, ka dhënë leksione nga historia. Por për fatin e tij të keq, ato janë të gabuara.

”Unë nuk jam Kajzeri Wilhelm!”- ka deklaruar vazhdimisht pas dyerve të mbyllura javët e fundit Scholz, duke iu referuar perandorit gjerman Wilhelm II.

Nipi i mbretëreshës britanike Victoria, mbahet mend jashtë Gjermanisë për mustaqet e tij të kuruara me kujdes dhe për veshjet plot detaje. Por në Gjermani, kujtohet si njeriu, politika e jashtme e gabuar e të cilit, sidomos aleanca me Austro-Hungarinë, shkaktoi Luftën e Parë Botërore dhe për pasojë ngjitjen në pushtet të Hitlerit, që pati pasoja katastrofike.

Për gjermanët, Wilhelmi është më pak një karikaturë dhe më shumë një histori paralajmërimi. Në një kohë kur aleatët perëndimorë të Gjermanisë janë gjithnjë e më shumë të habitur nga shpjegimet boshe të Berlinit për mos-dërgimin e armëve në Ukrainë, fiksimi i Scholz pas Wilhelm-it ndihmon në shpjegimin pse kancelari, siç shprehet edhe Andrij Melnyk, ambasadori i Ukrainës në Gjermani, e ka lënë në baltë vendin e tij.

Duke përmendur Wilhelm-in, Scholz nuk po u thotë gjermanëve vetëm se nuk ka ndërmend të zhytet në një konflikt më të gjerë, por ai po lë të kuptohet se po i shpëton ata nga asgjësimi bërthamor. “Nuk duhet të ketë një luftë bërthamore”- deklaroi Scholz për “Der Spiegel” në prill. “Por pasojat e një gabimi do të ishin dramatike”- shtoi ai.

Nuk është për t’u habitur që “fantazma” e një holokausti bërthamor, ka rezultuar të jetë një taktikë efektive për të turbulluar ujërat. Edhe pse shumica e gjermanëve, 58%, shprehin mbështetje për dërgimin e armëve të rëndë në Ukrainë, gjysma e tyre besojnë se Scholz, që ka qenë qëllimisht i paqartë mbi këtë çështje, e ka menaxhuar mirë krizën.

Dhe ndërsa nuk mungojnë nismat e gjermanëve për paqe, madje edhe demonstratat pro-ruse, gjermanët nuk kanë ende dalë në rrugë për të mbështetur dërgimin e tankeve në Ukrainë. Parlamenti gjerman miratoi në muajin prill një rezolutë për dërgimin e armëve të rënda në Ukrainë. Por deri tani Scholz nuk ka dërguar ende asgjë, përveç premtimeve dhe sinjaleve të përziera.

Ministria gjermane e Mbrojtjes, tha se do të dorëzojë 15 tanke kundërajrore deri në fund të korrikut, dhe 15 të tjerë deri në fund të gushtit. Por problemi është se gjermanët kanë shumë pak municione për tanket “Leopard”, të cilat Bundeswehr-i i hoqi gradualisht nga përdorimi një dekadë më parë.

Dhe ironia është se Ukraina as që i kërkoi këto lloj tankesh. Ajo kërkoi të blinte nga Gjermania mjetet e blinduara “Marder”, që përdoren për transferimin e trupave në fushën e betejës. Sipas dokumentacionit të siguruar nga “Politico”, Ukraina bëri një kërkesë zyrtare më 24 mars për këto blinda të kompanisë “Rheinmetall”.

Më 14 prill, “Rheinmetall” i ofroi t’i shiste Ukrainës deri në 100 “Marder” të modernizuar dhe 1.5 milionë fishekë për shumën 153 milionë euro. Kompania tha se grupi i parë mund të jetë gati “brenda disa javësh”. Por 6 javë më vonë, ndërsa rusët po përparojnë çdo ditë në Donbas, Berlini nuk ka dhënë ende dritën jeshile për këtë shitje.

Në vend të kësaj, Scholz njoftoi të martën arritjen e një marrëveshje të shkëmbimit të tankeve me Greqinë. Sipas saj autoblindat “Marder” do të dërgohen në Athinë, ndërsa në këmbim ushtria greke do t’i japë Ukrainës mjetet e saj luftarake të këmbësorisë shumë të vjetra të epokës sovjetike BMP-1. Deri tani nuk ka asnjë shenjë se Kievi do të marrë ndonjë nga mjetet më moderne “Marder”.

Ndërkohë, Scholz, që javën e kaluar shkoi në Mali dhe vende të tjera të Afrikës, nuk do të vizitojë Ukrainën. Po ashtu, ai refuzon me vendosmëri të thotë se dëshiron që Ukraina të “fitojë” luftën, duke thënë vetëm se ajo duhet të “mbijetojë”, dhe se “Rusia nuk duhet të fitojë”.

Kjo pason konfuzionin që krijoi muajin e kaluar postimi i tij në Twitter, pas një telefonate me presidentin rus Vladimir Putin, në të cilën ai tha se kërkonte një armëpushim të menjëhershëm, pa këmbëngulur që trupat ruse të largohen më parë nga Ukraina. Fundjavën e kaluar, Scholz ngjalli edhe më shumë dyshime mbi vendosmërinë e Gjermanisë, kur u shpreh po në Twitter:”A mund të luftohet dhuna me dhunë? A mund të arrihet paqja pa armë?”.

Retorika e tij plot zig-zage, ka bërë që disa vëzhgues të arrijnë në përfundimin se ai mund të ketë frikë nga një fitore e Ukrainës. “Kancelari nuk dëshiron që Ukraina ta fitojë luftën”- deklaroi javën e kaluar Roderich Kiesewetter, një deputet i njohur i konservatorëve në opozitë, dhe një kolonel në pension i ushtrisë gjermane.

I pyetur nga “Politico”, nëse është dakord me një vlerësim të tillë, ambasadori ukrainas Melnyk tha: “Unë nuk dua ta besoj se Scholz nuk dëshiron fitoren tonë. Por ne nuk e dimë sesi qëndron e vërteta”. Shumë njerëz në Berlin thonë se Scholz nuk dëshiron ta “provokojë” Putinin, me të cilin ai vazhdon të ketë biseda të rregullta telefonike.

Po për çfarë “provokimi” e ka fjalën? Shumicën e gjermanëve duket se kanë harruar se janë tashmë të ekspozuar ndaj zemërimit të Putinit, pavarësisht nëse i dërgojnë apo jo në Ukrainë tanket e tyre të vjetra. Dhe kjo për një arsye të thjeshtë: aleatët e Gjermanisë në NATO, po dërgojnë gjithçka që po kërkojnë ukrainasit.

Vetëm Polonia ka dërguar qindra tanke. Një zëvendësministër gjerman i Mbrojtjes, bëri bujë në media kur u justifikua javën e kaluar për vonesën e Berlinit, me pretendimin e rremë se NATO ka rënë dakord të mos dërgojë tanke luftarake të prodhimit perëndimor dhe mjete të blinduara në Ukrainë. Deklarata u përgënjeshtrua me shpejtësi.

Ashtu si Kajzeri Wilhelm para tij, edhe Scholz duket se po përpiqet t’i mbrojë gjermanët nga realitetet më pak të këndshme. Më kryesorja midis tyre është se opsioni i vërtetë bërthamor i Putinit kur flitet fjalë për Gjermaninë, nuk është një sulm klasik me raketa, por të ndalë qasjen tek gazi i lirë që e ushqen “motorin” e tij ekonomik.

Me gjithë diskutimet në Gjermani për ndërtimin e më shumë parqeve eolike, dhe ndërtimin e terminaleve lundruese të gazit të lëngshëm (një sipërmarrje që do të kërkojë vite), humbja e gazit rus, që është dukshëm më i lirë dhe më i lehtë për t’u shpërndarë sesa të gjitha alternativat e tjera, do të shkatërronte themelet e industrisë gjermane.

Gazi natyror përbën çerekun e sektorit energjetik në Gjermani. Nga kjo sasi, industria konsumon pjesën më të madhe, ku vetëm sektori kimik harxhon më shumë se 15% të gazit. Shumë nga punëdhënësit më të mëdhenj të Gjermanisë, si gjiganti i gazit BASF, që konsumon po aq energji elektrike me centralin e tij kryesor sa e gjithë Danimarka, nuk mund të vazhdojnë të punojë pa gaz.

Dhe pa tretësit, ngjitësit dhe plastika që prodhon BASF, pjesa tjetër e industrisë gjermane, nga farmaceutikët tek makinat, do të zhytej në kaos. Gjermania ishte pro embargos së BE-së ndaj naftës ruse, të cilën Këshilli Europian miratoi këtë javë, jo sepse beson se do ta dëmtojë Rusinë, por sepse e di se nuk do ta bëjë.

Rusia do ta shesë naftën diku tjetër, me gjasë për më pak, por pasojat financiare për Moskën do të jenë të kufizuara. Rritja e fundit e çmimeve të naftës, i ka siguruar Putinit një fitim të papritur, duke e bërë naftën e papërpunuar më fitimprurëse për Rusinë sesa gazi natyror. Ironia e ndalimit të naftës ruse nga Gjermania, është se ky veprim shumë simbolik do ta bëjë më të lehtë për Berlinin të vazhdojë t’i rezistojë asaj që i frikësohet më shumë: një embargoje ndaj gazit natyror. Si Putin ashtu edhe Scholz e dinë se në një të ardhme të parashikueshme, Gjermania do të jetë më e varur nga Rusia sesa anasjelltas.

Nën këtë sfond, ka shumë kuptim edhe qëndrimi i Scholz ndaj Ukrainës. Atij nuk i pëlqen ajo që po ndodh në Ukrainë, por mund të mësohet më situatën. S’ka dyshime se Gjermania ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në Ukrainë, si në aspektin e ndihmës financiare ashtu edhe atë humanitar.

Por nga ana tjetër, nuk ka dyshim se si vendi më i pasur dhe forca kryesore politike e Europës, duhet të bëjë shumë më tepër për ta ndihmuar Kievin të mbrohet. Qasja aktuale e Scholz nuk është e dëmshme vetëm për Ukrainën, por ajo po minon gjithashtu pozitën tashmë të dobët të Gjermanisë brenda aleancës së NATO-s.

Kjo është arsyeja pse do të ishte mirë që kancelari gjerman të fokusohej më pak në historikun e trazuar të Kajzer Wilhelm-it dhe më shumë në trashëgiminë e Luftës së Dytë Botërore. Në verën e vitit 1941, trupat gjermane mësynë në stepën euroaziatike, duke mbjellë shumë shkatërrime në Ukrainë, të cilat e kthyen “shportën e bukës” të Europës në atë që historiani Timothy Snyder e quajti si “toka e përgjakur”. Ndërsa Ukraina po kullon sërish gjak, Gjermania e Scholz do të mbahet mend se ka bërë pikërisht atë që është zotuar të shmangë gjatë dekadave që nga “çlirimi” i saj nga nazistët: asgjë./Politico.eu


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë