Lajme

KLP reagon për akuzat e Qeverisë ndaj prokurorit të Durrësit

Këshilli i Lartë i Prokurorisë reagoi vetëm këtë të hënë ndaj deklaratave dhe qëndrimeve të drejtuesve të Qeverisë që kanë sulmuar prokurorin e Durrësit, Arjan Ndoja. Ndoja ka në dorë dosjen ndaj kreut të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Durrës, Liridon Pula.

Prokurori i Durrësit është akuzuar nga Kryeministri Edi Rama dhe zv.Kryeministri Erjon Braçe si i lidhur me bandat. Sipas Qeverisë akuzat ndaj Pulës janë farsë dhe shantazh për ta detyruar këtë të fundit që të legalizojë dhe regjistrojë ndërtesa shumëkatëshe për llogari të një grupi kriminal në qytetin bregdetar.

Akuzat nisën që të enjte nga ana e Kryeministri Edi Rama në seancën parlamentare të asaj dite dhe më pas vijuan të premten, ku Erjon Braçe ishte i pranishëm në seancën gjyqësore për masën e sigurisë ndaj kreut të ASHK-së së Durrësit dhe të shtunë, sërish me zv.Kryeministrin.

Të hënën, kësaj teme iu rikthye Kryeministri Edi Rama, në takimin e radhës në kuadër të asaj që ai e quan “Bashkëqeverisje”.

“Pastrimi i llumit nga sistemi i drejtësisë ka edhe një efekt negativ të përkohshëm por të rëndë për qytetarët, pasi shumë prokurorë dhe gjykatës të zhytur deri në fund dhe e dinë se nuk do e kalojnë po e shfrytëzojë duke thënë 'të kapim cfarë të kapim. Më vjen mirë që është kthyer në kusht nga BE dhe të jenë të sigurt që do të rikthehen për të dhënë llogari për pasuritë e tyre dhe ata që bëjnë krime ndaj qytetarëve për të përfituar para të zezë për të marrë 'rroga', shpërblime nga organizata kriminale, drejtësia mbi ta mund të vonojë edhe ca, por nuk do të harrojë”, tha ai.

KLP ka reaguar vetëm këtë të hënë, përmes një deklarate ku nuk përmend në emër as Kryeministrin dhe as zëvendësin e tij. Në deklaratën në fjalë, organi kryesor i prokurorisë thotë se akuza të tilla mund të paragjykojnë hetimet dhe procesin gjyqësor ndaj të akuzuarit.

KLP fton Ramën dhe Braçen, të cilët i quan “deklarues” që të denoncojnë pranë Prokurorisë për Krimet e Rënda të gjitha rastet dhe akuzat për një prokuror të caktuar.

“Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka ndjekur me vëmendje deklarimet publike të drejtuesve të qeverisë në lidhje me procedurat ligjore të ndërmarra nga Prokuroria dhe Gjykata e Shkallës së Parë Durrës për caktimin e masës së sigurisë ndaj drejtorit të Drejtorisë Vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës. Këshilli vëren se deklarimet e sipërpërmendura janë të tilla që mund të paragjykojnë ecurinë dhe përfundimin e një procesi gjyqësor në vijim dhe të procedurave të tjera ligjore. Këshilli i Lartë i Prokurorisë inkurajon deklaruesit, si dhe çdo subjekt tjetër publik, ose privat, të denoncojnë pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda të gjitha rastet e dyshuara të kryerjes së veprave penale nga çdo prokuror i Republikës, ndërsa dyshimet për kryerjen e shkeljeve disiplinore duhet të denoncohen pranë Prokurorit të Përgjithshëm (deri sa të krijohet Inspektori i Lartë i Drejtësisë) dhe institucioneve të veting-ut”, thuhet në reagim.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë