Politike

“Sa të kushton vendi i punës?”. Braçe tregon si u kërcënua drejtori i ASHK

Zv.Kryeministri Erjon Braçe iu rikthye akuzave ndaj prokurorit Arjan Ndoja, që po heton dosjen në ngarkim të drejtorit të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Durrës. Braçe tha se prokurori mashtroi dhe i fshehu dokumentacione të rëndësishme gjykatës, që një ditë më parë la në burg drejtorin e ASHK, Liridon Pula.

“Ka kallëzuar një njeri anonim, as investitori, as ndërtuesi, as pronari i truallit. Të gjithë të padëmtuar. Ka këllëzuar një anonim pa lidhje me çështjen fare. Kallëzimi i është dorëzuar këtij prokurori, që ja fshehu gjykatës dje. Data e kallëzimit mban datën e regjistrimit të procedimit penal nga ky prokuror. Në asnjë rresht kallëzuesi nuk akuzon për paligjshmëri dhe shpërdorim të detyrës drejtorin e ASHK në Durrës”, tha Braçe.

Zv.Kryeministri deklaroi se këtë fakt, prokurori ja mbajti të fshehur gjykatës gjatë seancës për caktimin e masës së sigurisë ndaj Liridon Pulës. Por jo vetëm kaq, Braçe tha se ka verifikuar në arkivat e ASHK-së së Durrësit të gjithë dokumentacionin dhe dosjen për të cilën akuzohet drejtori i kësaj agjencie.

Bëhet fjalë për ndërtimet në kompleksin “Lura 3” në Gjirin e Lalëzit, të realizuar nga kompania “Lura SHPK”. Braçe tha se prokurori mashtroi gjykatën në lidhje me kontratat e lidhura mes palëve në këtë kompleks.

“Lura SHPK ka ndërtuar me leje kompleksin Lura 3, ka aplikuar për të regjistruar çdo leje dhe i është shërbyer konform ligjit. Ka aplikuar dhe certifikuar sipas lejeve të marrë për ndërtimet. Kjo është çështja. Nuk ka lidhje as me grabitje pronash dhe tokash në Gjirin e Lalzit as me grabitje objektesh. Askujt, as investitorit, as ndërtuesit, as qytetarit, as shtetit nuk i është shkaktuar ndonjë dëm”, u shpreh ai.

Zv.kryeministri tha se ASHK është shprehur e gatshme që t’i dorëzojë të gjithë këtë dokumentacion prokurorit Arjan Ndoja, por ai i ka injoruar si provë për hetimin e nisur. Braçe këmbëngul se i gjithë hetimi është një farsë dhe akti i fundit i një serie shantazhimi që drejtori i ASHK-së ka pësuar në Durrës nga një grup personash që kërkonin largimin e tij.

“Ky është akti i fundit kërcënimesh dhe shantashezh ndaj Liridon Pulës, që deri para këtij akti është përballur edhe me shprehjen e neveritshme dhe mafioze, “Sa të kushton vendi i punës ty?” E kërcënuan duke i thënë ik nga Durrësi, sepse në Durrës duan akses përtej ligjit dhe ASHK”, vijoi ai.

Partia Demokratike e akuzoi të premten zv.kryeministrin për presion dhe ndërhyrje në sistemin e drejtësisë. Enkelejd Alibeaj komentoi praninë në seancën për caktimin e masës së sigurisë dhe deklaratat e bëra nga Kryeministri Edi Rama dhe zv.Kryeministri Erjon Braçe. Alibeaj tha ndër të tjera se Braçe me Liridon Pulën kishte lidhje fisnore. Braçe e mohoi dhe rrëfeu edhe detajet e telefonatës së vetme të realizuar me Liridon Pulën.

“Nuk kam asnjë lidhje gjaku me drejtorin e ASHK në Durrës. Talebani që artikuloi këtë dje dhe ngriti një shpifje do të vijë ta provojë në gjykatë, në të cilën do të vijë ai vetë dhe ky do të jetë fillimi për të dhe rracën e tij të talebanëve politikë. Drejtuesin e ASHK e kam takuar vetëm dy herë gjatë gjithë jetës, në maj dhe qershor. Me të kam folur në telefon vetëm një herë të shtunën e javës që shkoi, ku pas një statusi të një tjetër talebani politik i gjithi i rreme, i kam kërkuar shpjegime. Mora përgjigjen se ajo ngjarje nuk ka ndodhur kurrë. Në atë bisedë të vetmen telefonike kam marrë të gjithë dëshminë e historisë së shantazhit njëmujor ndaj tij, me emra, mbiemra, episode dhe çështje konkrete.

Zv.Kryeministri tha se për këtë ka informuar Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Policinë e Shtetit dhe kryeprokuroren Arta Marku, ndërsa hamendësoi se politikanë të opozitës janë të lidhur me prokurorin dhe grupin e personave që shantazhuan Liridon Pulën, por pa dhënë më shumë detaje.

“Di gjithçka keni komunikuar me personazhet e kësaj historie që flasin e flasin edhe publikisht”, deklaroi Braçe.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë