Rend dhe Ligj

KLP: Kraja nuk është ish-Sigurims. PD: përpjekje për të mashtruar qytetarët

Reagimi publik në lidhje me të shkuarën e drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, Arben Kraja kanë detyruar Këshillin e Lartë të Prokurorisë që të dalë me një deklaratë publike në mbrojtje të procedurës së zgjedhjes, jo vetëm të prokurorëve të SPAK, por edhe të drejtuesit të tyre.

Në deklaratën për mediat, KLP thotë se ka ndjekur me vëmendje reagimet publike dhe duke kujtuar katër rrafshet në të cilat janë hetuar kandidatët për SPAK përjashton mundësinë që kreu i kësaj strukture të ketë qenë punonjës, apo bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit.

“E kuptojmë se e shkuara personale dhe profesionale e prokurorëve të SPAK është e rëndësishme për suksesin e tyre dhe të institucionit. Po ashtu ne e kuptojmë se suksesi i SPAK nuk do të përcaktohet thjesht dhe vetëm nga avantazhet procedurale dhe organizative të tij në krahasim me strukturat pararendëse. Imazhi publik i institucionit të ri dhe besimi që ai duhet të ngjallë tek publiku i gjerë janë gjithashtu thelbësorë”, thuhet në deklaratë.

Në funksion të kësaj, KLP thotë se edhe Arben Kraja i është nënshtruar hetimeve në katër rrafshe.

“Është verifikuar nëse kanë bashkëpunuar me strukturat famëkeqe të ish – sigurimit të shtetit në periudhën 29.11.1944 deri në 02.07.1991. Është verifikuar nëse kanë bashkëpunuar me strukturat famëkeqe të ish – sigurimit të shtetit në periudhën 29.11.1944 deri në 02.07.1991. Është verifikuar nëse kanë pasur kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar gjatë periudhës së punës si prokurorë. Është verifikuar nëse pasuria e tyre është e ligjshme dhe është verifikuar nëse aftësitë e tyre profesionale janë të përshtatshme për ushtrimin e funksionit të prokurorit”, deklaron KLP.

KLP thotë se jo vetëm Arben Kraja, por të gjithë prokurorët që sot janë zgjedhur si anëtarë të SPAK i kanë kaluar me sukses verifikimet e mësipërme.

“Ata janë pa dyshim njerëzit më të kontrolluar e të testuar në Shqipëri, madje kalimi i këtyre testeve ka qenë një parakusht për të marrë pjesë në garën e organizuar nga Këshilli për përzgjedhjen e prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme”, shtoh Këshilli i Lartë i Prokurorisë.

Në lidhje me akuzat ndaj Arben Krajës, KLP thotë se ato nuk kanë bazë ligjore, por mendime të pritshme publike.

“Ato janë gjithnjë të mirëpritura por nuk janë kurrsesi shkas për ngritjen e dyshimeve mbi legjitimitetin juridik e moral të prokurorëve të SPAK. Prokurorët e SPAK meritojnë mbështetjen dhe besimin e të gjithëve deri në provë të kundërt”, mbyllet reagimi i KLP-së.

PD: Përpjekje për të mashtruar publikun

Kjo deklaratë e KLP-së nuk bind Partinë Demokratike, që e cilësoi si përpjekje për të devijuar nga thelbi dhe mashtruar qytetarët mby arsyen e vërtetë të shqetësimit të opinionit publik mbi të kaluarën si hetues politik i diktaturës për Drejtuesin e SPAK dhe për takimin e pajistiifikuar të një anëtari të SPAK-ut me Ulsi Manjën e PS. PD shënjestron kreun e KLP-së Gent Ibrahimi.

"Reagime të tilla të dënueshme janë të pritshme nga një organ si KLP, që është nën drejtimin e militantit të PS,  Gent Ibrahimi dhe me shumicën e anëtarëve të kontrolluar nga pushteti dhe të zgjedhur në mënyrë të paligjshme. Prokurorët e SPAK kanë kaluar të njëjtin proces të vetingut, siç kanë kaluar me dhjetëra prokurorë e gjyqtarë të tjerë. Në thelb, kjo është një përpjekje e KLP-së për të mashtruar qytetarët me teknikalitete të panjohura për ta, në një kohë kur sondazhet tregojnë rënie të besimit të opinionit publik tek vetingu, thotë PD.

Opozita deklaron se KLP kishte detyrimin të informonte opinionin publik, nëse Arben Kraja ka qenë apo jo hetues i regjimit gjakatar komunist përpara viteve 1990 në gjyqe politike?

"KLP duhet të mbante qendrim, nëse për të është e pranueshme që në vitin 2020 drejtësia e re të bëhet me hetues të regjimit komunist. Kjo është njësoj sikur drejtësinë në Gjermani ta jepte një prokuror që i shërbeu Hitlerit deri në momentet e fundit para dorëzimit të Berlinit", thuhet në reagimin e Selisë Blu.

PD kërkon gjithashtu nga KLP që të pohojë ose mohojë nëse në foton e publikuar prej saj disa ditë më parë është apo jo prokurori i SPAK Altin Dumani në një tavolinë me deputetin e PS, Ulsi Manja.

PD hamendëson se zgjedhja e emrave për anëtarë të SPAK nuk është rastësi. 

"Këshilli i Lartë i Prokurorisë duhet t’i shpjegojë opinionit publik se përse alternativa e tij e vetme është të ofrojë vetëm drejtësinë që i duhet PS", thuhet ne deklaratë. 


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë