Rend dhe Ligj

Arben Kraja kërkon përforcime në SPAK: Të komandohen Prençi dhe Mara

Pas konstituimit të Prokurorisë së Posaçme, SPAK, vjen edhe kërkesa e parë e kryeprokurorit Arben Kraja. Gazeta “Si” mësoi ekskluzivisht se Arben Kraja ka dorëzuar pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë një shkresë përmes së cilës kërkon përforcime për Prokurorinë Anti-korrupsion. Një burim i gazetës “Si” shpjegoi se kryeprokurori Kraja iu thotë anëtarëve të KLP-së që të komandojnë si prokurorë të posaçëm të SPAK, Dritan Prençin dhe Vladimir Marën, të cilët janë konfirmuar në detyrë gjatë procesit të Vetting-ut. Por, dy prokurorët Mara dhe Prençi nuk u listuan gjatë garës për në SPAK si prokurorë të posaçëm, pasi nuk morën pikët e duhura. Nga ana tjetër, Prokuroria e Posaçme, SPAK, ka tetë prokurorë, përfshi edhe kryeprokurorin Kraja.

Prokurori Dritan Prençi

Me sa thuhet jozyrtarisht, shkak për këtë kërkesë drejt KLP-së duhet të jetë bërë edhe volumi i dosjeve që dy ish-prokurorët e Krimeve të Rënda kanë nën proces hetimor dhe që sikurse ka raportuar më herët gazeta “Si”, në rast se ato kalojnë te prokurorë të tjerë të SPAK, do të duhej kohë e konsiderueshme derisa prokurorët e rinj të njihen me aktet dhe fashikujt.
Kjo kërkesë nuk është futur ende në rendin e ditës të Këshillit të Lartë të Prokurorisë që në orën 12.00 ka njoftuar mbledhjen e radhës. Në agjendën e mbledhjes, me sa duket, e fundit për 2019 janë përfshirë 13 pika. Mes tyre miratim të projekt-akteve për caktimin e përkohshëm të drejtuesit të Prokurorisë Kukës, Elbasan, Fier, Lushnjë, si edhe caktime të tjera prokurorësh në Durrës dhe Pukë.
Sikurse mësohet jozyrtarisht, kjo kërkesë e kryeprokurorit Kraja do të merret në shqyrtim në fillim të vitit 2020, ndërkohë që nëse KLP miraton “lutjen” e kryeprokurorit të posaçëm, atëherë numri i prokurorëve anti-korrupsion shkon në dhjetë. Megjithatë, pavarësisht kësaj përpjekjeje për të deleguar prokurorë të posaçëm për çështje konkrete, sërish SPAK mbetet ende i paplotësuar, pasi vetë KLP ka vendosur si kufi përbërjen e prokurorisë anti-korrupsion me një trupë prokurorësh prej 15 vetash. Nga ana tjetër, sfida e parë e SPAK nuk do të jetë aspak hetimi sesa krijimi i Byrosë Kombëtare të Hetimit, për të cilin duhen sërish muaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë