Politike

PD: U godit besimi te SPAK! Altin Dumani e Arben Kraja të mendojnë dorëheqjen

Partia Demokratike thotë se dy episode, foto dhe dokumente të publikuara në rrjetet sociale në 24 orët e fundit kanë tronditur besimin e publikut tek Struktura e Posaçme Antikorrupsion, një ditë pasi Këshilli i Lartë i Prokurorisë zgjodhi Arben Krajën si drejtues të Prokurorisë së Posaçme.

Sekretari i Përgjithshëm i demokratëve, Gazmend Bardhi doli në një konferencë për shtyp rreth orës 14:00 të kësaj të shtune për të denoncuar dy rastet. Rasti i parë që iu referua ai ishte një dokument i 3 dekadave më parë. Dokumenti është i korrikut 1990 zbulon se Drejtuesi i SPAK-ut Arben Kraja ka marrë pjesë në procese politike dhe jo vetëm kaq, por sipas PD, ai ka edhe lidhje politike.

“Partia Demokratike ka bindjen se një ushtar i diktaturës më të egër në Europë, që dënon qytetarët me motivacionin “për dëmtim të moralit komunist” nuk mund të jetë shërbëtor i shtetit të së drejtës. Përveçse një hetues i diktaturës, drejtuesi i SPAK-ut, Arben Kraja është propozuar nga PS si zëvendëskryetar i KLSH dhe ka punuar në Kryeministri për Qeverinë e PS”, deklaroi Bardhi.

Dokumenti i korrikut 1990 që dyshohet se mban firmën e Prokurorit Arben Kraja. Gazeta Si, 21 dhjetor 2019

Rasti tjetër që denoncoi Sekretari i Përgjithshëm i PD-së ishte një fotografi e shkrepur në ambientet e një restoranti në Tiranë, ku shfaqet deputeti socialist, Ulsi Manja që pretendohet se është me Altin Dumanin, prokuror i SPAK dhe kandidat për drejtimin e kësaj strukture.

“Fakti i dytë i rëndë, edhe ky i bërë publik nga media online është takimi një ditë para votimit, i Prokurorit Altin Dumani me përfaqësuesin e Partisë Socialiste, Ulsi Manja. Altin Dumani ishte një nga kandidatët kryesorë për drejtimin e SPAK dhe ky takim, siç analizon me të drejtë media, për të marrë në KLP votat e kontrolluara nga njëri prej klaneve në Partinë Socialiste, vendos në pikëpyetje profesionalizmin, pavarësinë dhe paanshmërinë e tij. Minimalisht prokurori Dumani ka detyrimin t’i sqarojë opinionin publik motivin e takimit me Ulsi Manjën, një ditë përpara votimit në KLP”, tha Bardhi.

PD thotë se deputeti socialist, Ulsi Manja në këtë tavolinë është me prokurorin e SPAK, Altin Dumani. Gazeta Si, 21 dhjetor 2019

PD u bëri thirrje partnerëve ndërkombëtarë që t’u përmbahen zotimeve që i kanë dhënë popullit shqiptar për të siguruar dhe garantuar pavarësinë e SPAK.

“Çdo e dhënë që ul besimin e publikut tek SPAK nuk ndihmon në forcimin e integritetit dhe paanshmërisë së kësaj strukture”, deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i demokratëve.

Thirrja e dytë u adresohej drejtpërdrejtë dy prokurorëve në fjalë.

“Në funksion të mbrojtjes së interesit publik dhe eleminimit të çdo dyshimi për integritetin e SPAK, prokurorët, për të cilët publikisht është vënë në dyshim integriteti, pavarësia dhe paanshëria, duhet menjëherë të sqarojnë pozicionin e tyre dhe vlerësojnë seriozisht mundësinë për të hequr dorë nga përbërja e SPAK. Mbi interesin personal dhe politik, në këtë moment, duhet të prevalojë, nevoja për të ruajtur të paprekur imazhin, integritetin dhe besimin tek SPAK”, deklaroi Bardhi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë