Rend dhe Ligj

Paradoksi i ligjit të SPAK-ut

Kur denoncoi dokumentin e korrikut të 1990 që mban firmën e drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, Arben Kraja, i cili në atë kohë me statusin e hetuesit kërkonte dënimin e një shtetasi për “shkelje të moralit komunist”, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi nuk kërkoi drejtpërdrejtë dorëheqjen e tij.

Gjatë të gjithë deklaratës, Bardhi nuk tha se Arben Kraja ndodhej si prokuror i posaçëm dhe si drejtues i Prokurorisë së Posaçme në shkelje të ligjit. Ai tha se dokumenti në fjalë cenonte besueshmërinë e publikut të SPAK dhe për këtë kërkoi që si Kraja, ashtu edhe Altin Dumani, për të cilin tha se ishte fotografuar në të njëjtën tavolinë me Ulsi Manjën, të mendojnë seriozisht dorëheqjen.

Në fakt, ligji për Strukturën e Posaçmë Antikorrupsion, i votuar edhe me votat e Partisë Demokratike në tetor të 2016, në pjesën për Prokurorinë e Posaçme nuk pengon ish-hetues të regjimit komunist që të jenë pjesë e kësaj prokurorie, apo ta drejtojnë atë dhe ligjërisht Arben Kraja është në rregull.

Por, paradoksi i ligjit në fjalë qëndron në kapitullin për Byronë Kombëtare të Hetimit. Neni 34 përcakton kriteret që duhet të plotësojë kandidati që do të zgjidhet drejtues i BKH-së, ku gërma G) e tij skualifikon kandidatët që kanë qenë hetues në procese politike para 2 korrikut 1991.

Kjo do të thotë se nëse Arben Kraja do të kandidonte për të drejtuar Byronë Kombëtare të Hetimit, që si pjesë e SPAK-ut do të jetë krejtësisht në varësi të prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme, ai do të skualifikohej nga ligji.

Pra, ligji në fjalë kushtëzon zgjedhjen e një drejtuesi në nivel më të ulët në SPAK me mosqënien hetues gjatë periudhës së komunizmit, por nuk e kushtëzon këtë për drejtuesin e një niveli më të lartë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë