Treg

Kinezët interes për produktet bujqësore shqiptare, por jemi larg me teknologjinë

Sabina Veizaj - Kur takuam Ruzhdi Konin tek magazina e grumbullimit të fruta-perimeve dhe na tha se do të shkonim tek fidanishtja e tij, profesorët kinezë dhe unë u gëzuam, por me ç’kuptova më vonë për arsye të ndryshme.

Megjithatë të dyja palët, u zhgënjyem më pas nga pak (me shaka).

Fidanishtja ishte një ndërtesë bazament ku dy punëtore gra po ndihmonin makinerinë pjesërisht automatike për të mbjellë fidanë të kulturave dhe varieteteve të ndryshme që të procedonin mandej me proceset e tjera të mbjelljes së fruta-perimeve.

Makineria e mbjelljes së fidanëve

Ruzhdi Koni nga Maminasi, pranë Gjirit të Lalzit me profesion agronom, të cilin e ushtroi për katër vite në këtë zonë, me ndryshimin e sistemve vendosi të niste sipërmarrjen e tij.

Ruzhdi Koni

Kam nisur në 1991, më tregon Ruzhdiu. “Me zero lekë. Ku kishim ne atëherë. Kishim produkte që na i sillnin njerëzit pa lekë dhe i shisnim, kështu e kam filluar. Gradualisht duke u rritur nga pak, më vonë blemë një magazinë të kooperativës, magazinën e grumbullimit të perimeve. Pastaj duke u rritur më tej nisëm të zgjeroheshim duke investuar në të gjithë drejtimet”- më thotë ai duke më rrëfyer më pas se një farë vizioni se ku do të shkonte e kishte, “por gjatë punës njeriu bindet më shumë. Sepse hapen rrugë të reja duke takuar njerëz, panaire jashtë, projekte të huaja. Trurin nga pasioni e kemi 24 orë në ditë në punë.”

Në këtë udhëtim në disa sipërmarrje në fushën e bujqësisë ne shoqërohemi nga 7 profesorë të Univeristetit Bujqësor të Kinës që janë të specializuar në fushën e Ortikulturës, Vivian Liang përfaqësuese e Amabsadës Kineze në Tiranë dhe përfaqësues nga AZHBR.

Në Ambasadën Kineze siç mësojmë më vonë, kanë ardhur shumë kërkesa për produktet bujqësore shqiptare, prandaj ambasada ka mundësuar një shkëmbim eksperiencash teorike, në rang ekspertësh të fushës për të njohur terrenet respektive dhe prodhimet.

Tek fidanishtja e Ruzhdi Konit

Profesorët kinezë shfaqen entuziastë për aromën dhe shijen e produkteve shqiptare tek provojnë kastravecin dhe specin tek magazina e Ruzhdiut.
Por ata kanë kundërshti për lëkurën e trashë të kastravecit, e cila sipas tyre për një konsumator danez a norvegjez do të ishte në rregull, por për një konsumator kinez jo.

Ata janë të prirur gjithashtu edhe për estetikën dhe njëtrajtshmërinë e produkteve.

Disa syresh prej tyre u interesuan edhe nëse produktet paketoheshin me qese celefoni teksa i shihnin të vendosura në arka.

Ndërsa jemi tek dhoma e mbjelljes së fidanëve me makineri, për të cilën unë prisja metodën tradicionale manuale, Ruzhdiu na shpjegon procesin.

“Kjo që po shikoni është mbjellja e fidanëve përmes kësaj makinerie spanjolle, teknologji moderrne e mbjelljes me makineri. Gjithë fidanishtet moderrne mbillet me makineri. Ka ikë koha e mbjelljes me dorë. Mënyra moderrne ka një kapacitet mbjellje shumë të lartë; 400 tava në orë të barabarta me 60 mijë bimë në orë, kurse në ditë varion sipas porosive. Me këtë kapacitet e mbulojmë të gjithë mbjelljen intensive”- më shpjegon Ruzhdiu.

Në dhomën e mbirjes sipas tij farat e mbjella qëndrojnë 1-3 ditë me temperaturë deri në30 gradë në mënyrë që ta bëjë farën të pëlcasë që të jetë gati për serë. Ajo dhomë imiton kushtet natyrore të mbjelljes.

Fidanishtja e Ruzhdi Konit

Pas saj shpërndahet në serë, në bazë të varitetit, kulturës dhe datës që është mbjellë.

Kjo mënyrë është efiçente, më shpjegon Ruzhdiu, sepse përmes kësaj metode fermerët jetojnë, është për kapacitete të mëdha.
Nuk mund, thotë ai, ta lësh prodhimin në dorë të natyrës sepse ka humbje të mëdha. Kurse serra krijon kushtet optimale për të marrë atë që do dhe humbjet janë shumë të pakta.

Një prej profesorëve kinezë, Zhang Xiaolan tek studionte fidanët e mbjellë e të vendosur në serrë shpjegon për gazetën “Si” se evidenton disa problematika.
“Mendoj se fidani është shumë i mirë dhe për shkak të makinerisë që është perdorur e cila është automatike. Por, duke e krahasuar me vendet e tjera të botës të cilët përdorin teknologji akoma dhe më të avancuar, mendoj se ka pak probleme me shkallën e rritjes/normën e rritjes/mbirjes pasi mund ta shikosh lehtësisht se fidanët nuk janë të njëtrajtshëm ose uniform me njëra-tjetrën”- shpjegon Xiaolan.

Profesroët kinezë tek fidanishtja

Kjo, shpjegon profesoresha, më pas ndikon dhe tek punonjësit të cilët do të kenë një punë akoma dhe më intensive në procesin e mëpasshëm, gjë e cila është humbje kohe.

Po ashtu, ajo evdienton problematikë edhe tek faza e ujitjes, në disa prej tyre, shpjegon profesoresha, nuk është e njëjtë. Pra në disa nuk është e mjaftueshme dhe tek disa fidanë të tjerë ka shumë, gjë e cila mund të jetë dhe një nga problemet kryesorë se pse nuk kanë arritur të njëjtin nivel mbirjeje ose rritjeje siç duhet.
Ajo më tregon se në Kinë i gjithë procesi është plotësisht automatik dhe “nuk kemi nevojë për punëtorë/punë krahu pra është më efikase. Gjithashtu, shkalla e rritjes është më e lartë në vendin tonë, pak më e lartë se 98%. Gjithçka tjetër është pothuajse e ngjashme me teknikat që janë përdorur në këtë subjekt. Unë jam e mendimit se sa më shumë automatik është procesi, aq më efikas është dhe prodhimi final”.

Megjithatë Ruzhdi Koni është i suksesshëm në atë që bën. Ai më tregon se ka kontrata të sigurta dhe të qëndrueshme eksporti me vendet Balltike për shalqirin dhe lakrën kryesisht.

Ai më shpjegon se për këto dy produkte është në pozita superiore.

“Kurse në artikujt e tjerë nuk kam pozita shumë të forta. Domatja është vështirë për tu eksportuar. Duhet të jesh më prezent me prodhimin,”- më shpjegon ai.
Kompania e Ruzhdiut eksporton 250-300 mijë euro në vit dhe shpreson që ta rrisë më tej vlerën e eksporteve, pse jo të eksportojë edhe në Kinën e largët.
Ai më shpjegon se farat i blen në tre kompani prestigjoze në rang botëror, njëra prej të cilave është japonoze.

“Farat tona përpara se të hidhen në treg testohen tek fermerët për një vit a dy derisa ne të bindemi që ato përshtaten me kushtet tona klimaterike. Fermeri me këtë farë ka standartin më të lartë si për prodhim, për eksport, si për çdo lloj destinacioni që kërkon të mbjellë kulturat e varietet e ndryshme”- thotë Ruzhdiu.

Serra, sallatë jeshile


Ai furnizon kryesisht në Shqipëri, përpos kontratave të eksportit përmes distributirëve që secili prej tyre ka një shumë të caktuar fermerësh që ua tregton farat, fidanët.

Ai më thotë se e do shumë profesionin e vetë dhe është i kënaqur, por mandej shpjegon se “Bujqësia është sektor i vështirë dhe i lodhshëm. Këtë punë 30 vjeçare që unë e kam bërë në bujqësi, nëse do të kisha investuar në ndërtim a sektor tjetër, fitimet do të shumë më të mëdha, por unë kam kënaqësi sepse jam në profesionin tim. Kam ardhur gjithmonë në rritje.”

Gjatë udhëtimit tonë, tek muzgu është në prag ndalemi në Divjak tek Kujtim Lika.

Kujtimi në vitet e para të demokracisë është marrë me importin e fruta-perimeve nga disa shtete europiane dhe ballkanike. Ato kontrata, me marrjen hov të eksportit Made in Albania, Kujtimi i ktheu në kontrata eksporti. Aktualisht ai eskporton 700 kamionë me fruta-perime në vit në 13 vende të Europës dhe Ballkanit.

Magazina e Kujtm Likës


Në 2014-ën ai përfiton nga skema e subvecionit të shtetit 100 mln lekë të vjetar dhe investon në magazinën ku ne kemi ardhur për ta vizituar. Ai mendon se do të vazhdojë të bëje ende investime të mëdha sepse puna i ecën shumë mirë.

Ajo që Kujtimi evidenton si problematikë është mungesa e një zyre a agjencie orientimi nën varësinë e Ministrisë së Bujqësisë që fermerët të mbjellin kulturat dhe varietet në varësi të klimës së zonave përkatëse dhe të tokave.

Kujtim Lika

“Jemi ne që i orientojmë për të mbjellë. Fernerët kanë nevojë për orientim. Unë sot do të eksportoj një kamion me speca për Suedi, 17 ton. Pse të eksportoj vetëm një artikull? Eksporti trefishohet dhe pesë fishohet çdo vit. Një kamion mban 10 artikuj. Aq më shumë shitet produkti shqiptar. Këtë mall nuk e gjen në Europë. Ky speci i kuq është varitete italian Kampari”- shpjegon Kujtimi.

Kampari u bëri shumë përshtypje edhe profesorëve kinezë, aroma edhe shija e tij.

Që më pas Kujtimi do tu shpjegojë se ky spec është më i kërkuari nga Europa. Është speci shumë cilësor, për të cilin dominojmë edhe mbi Turqinë.
Kujtimi shpjegon se çdo vit ekspertet e tij rriten me 20-30 % më shumë.

Por ai është i shtrirë edhe në tregun vendas, ku bashkëpunon me mbi 3000 fermerë nga e gjithë Shqipëria.


Ndalesa e radhës në kthim, pasi pushuam një natë në Llogara ishte Tragjasi i Vlorës tek serrat e Herbert Alemit.

Serra e Herbert Alemit


Ai është rikthyer në Shqipëri pas 21 vitesh emigrimi në Spanjë, ku punonte pranë një kompanie që tregtonte ushqime.


Nga eksperienca në kompaninë spanjolle, ai vendosi të ndërtojë 10 hektar serra në Tragjas.

Është viti i parë që ai punon serrat. Ai ka mbjellë 6000 m katror domate dhe 4000 kastravecit.
“Sa për provë për të kuptuar që në fund do të nxjerrë një produkt cilësor”- tregon ai.

Profesorët kinez teksa vizitojnë serrat e Herbertit dhe provojnë domatet duken të ngazëllyer.

Herbert Alemi me profesorët kinezë

Në fakt procesi i prodhimit të domates dhe kastravecit në serrat e Herbertit është me një metodë të veçantë dhe aspak komerciale. Siç e shpjegon edhe ai mandej, nuk është për prodhim masiv që të ngopet tregu.

Ai prodhon fare pa hormone përmes pjalmimit të bletës, të cilat i siguron nga Ruzhdi Koni.

Herbert Alemi


“Për tregun nuk është procesi më i mirë i prodhimit sepse pjalmimi me bletë është selektiv, jo me plan.”- më shpjegon Herberti.

Në shkurt të 2018-ës ai ka përfituar subvecion në shumën 10 mln Lekë (10,184,956 Lekë) për investimin në 10 000 metër katrorë serra. Aktiviteti i tij është prodhimi dhe tregtimi i produkteve bujqësore të prodhuara në serra.

Domatja që ai prodhon është hibdridi pink.

Kjo lloj domatë në treg shitet mbi 80 lek/kg dhe është shumë e kërkuar sepse përdoret metoda e menaxhimit të integruar të prodhimit, që sipas ekspertëve të fushës siguron njëherësh: prodhim të lartë, cilësi të lartë dhe mbi të gjitha siguri ushqimore.

Aty bëhet menaxhimi i integruar i dëmtuesëve, ku përdoren elemente të prodhimit biologjik, si feromonet, ngjitësit, por mbi të gjitha përdoret bleta për pjalmim. Duke përdorur bletën automatikisht ke mënjanuar hormonet dhe insekticidet e dëmshme.

Në fund të udhëtimit, duke shprehur edhe mirënjohjen e 7 profesorëve kinezë, përfaqësuesja e ambasadës kineze, Vivian Liang u shpreh se “Kina e shikon Shqipërinë si një burim i bolllshëm në fushën e bujqësisë. Prandaj ambasada e sheh Shqipërinë si një partnere të fuqishme në këtë fushë. Pra ne jemi të interesuar në shkëmbimin e eksperiencës në fushën e burimeve njerëzore për sa i përket bujqësisë. Gjatë këtyre ditëve ekspertët janë njohur me kushtet shqiptare të zhvillimit të bujqësië. Dhe ata kanë disa ide fillestare se si të bashkëpunojnë, të cilat mund ti jetësojnë më tej në terma ekonomik.”

Sipas INSTAT, marrëdhëniet tregtare mes Shqipërisë dhe Kinës për 2018-ën rezultojnë të jenë në vlerën e 551 mln dollarëve amerikanë duke e renditur Kinën partnerin e katërt tregtar tonin.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë