Treg

Si i thonë “Mirë se erdhe” në gjuhën kineze?

Sabina Veizaj- Nëse vëren grupe aziatikësh nëpër rrugët e Tiranës me celularë apo aparat fotografik në duar, me siguri ata janë kinezë. Sepse kinezët përveçse e kanë shqisë të gjashtë teknologjinë, ata janë të etur të ndajnë eksperiencat e tyre në rrjetet sociale.
Turistët kinezë, janë nga të paktët, të cilët nuk u druajtën as nga protestat politike të Shqipërisë në dimrin që kaloi.

Edhe në ato ditë vëreje shumë syresh rrugëve të Tiranës.

Turistë kinez në Tiranë. Gazeta "Si", tetor 2019

Tek restoranti “Oriental City Chinese Restaurant”pranë Liceut Artistik vetëm mbrëmë ishin tre grupe turistësh kinez.

“Nuk qëndroj dot të komunikoj me ju sepse po pres tre grupe turistësh”- më tha menaxheri shqiptar i restorantit, i cili më rrëfeu se deri në fund të muajit ishte tejet i zënë me prenotime turistësh.

Flora, administratorja e “Oriental City Chinese Restaurant” e njëkohësisht qytetare kineze, më thotë që turistët kinezë e frekuentojnë restorantin e saj.

“Megjithëse bazën e klientelës vazhdojnë ta kenë shqiptarët, turistët kinezë vërehen në rritje”- më thotë Flora. Në Tiranë numërohen mbi 10 restorante me kuzhinë kineze.

Megjithatë miti se kinezët kudo ku shkojnë preferojnë kuzhinën e tyre, ka rënë.
Nga bisedat me disa agjenci turistike që kanë në fokus prurjen e turistëve kinezë, vihet re një interes në rritje për të vizituar Shqipërinë dhe Ballkanin.

Në rajon, qytetarët kinezë mund të hyjnë pa vizë në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut.
Të dhënat e INSTAT konfirmojnë interesin në rritje tre vitet e fundit të qytetarëve kinezë për të ardhur në Shqipëri.

Teksa në 2016-ën në vendin tonë kanë hyrë gati 6300 qytetarë kinezë, një vit më pas kanë ardhur gati 10 mijë e 600 dhe në 2018-ën kanë ardhur në Shqipëri 17, 500 turistë kinezë.

Sipas INSTAT, vetëm nëntë muajt e parë të 2019-ës kanë hyrë në Shqipëri 17 mijë e 700 qytetarë kinezë.

Kush janë këta turistë kinezë, si targetohen dhe si mund ti arrish ata?

Turistët kinezë përfaqësojnë një pjesë të klasës së mesme, të klasës së mesme të lartë dhe klasën e lartë, që do të thotë 18% të popullsisë kineze, ose 250 mln kinezë. Ata janë mesatarisht 34 vjeç dhe përgjithësisht e përgatisin udhëtimin në Agjencitë Kineze të Udhëtimit të vendit të tyre.

Një karakteristikë dalluese e turistit kinez është që ai shpesh udhëton në grup.

Valentina Taipi , zotëruese e Agjencisë publicitare Vektor, por që prej një viti e gjysmë ofron shërbimin e Guidë Eventeve, tregon për Gazetën “Si” se nga eksperienca ka identifikuar dy kategori turistësh kinezë; turistin elitar që kërkon luksin dhe atë low cost (të lirin).

Turistët të cilëve Znj. Taipi u ofron shërbim janë turistë elitar, të cilët shpenzojnë për hotelin mbi 300 euro nata.

Znj. Taipi e cila ka krijuar edhe një agjenci të re për turistin investitor “Air Comunication” më thotë se turistët kinezë kanë shumë interes të investojnë në rajon.
“Unë kam shoqëruar profile të tillë turistësh, të cilëve iu ofrojmë edhe konsulencë. Ata kanë qenë të interesuar për Pogradecin dhe Ohrin”- tregon Znj. Taipi për Gazetën “Si”.
Ajo vëren se ka qytetarë dhe familje kineze që duan të blejnë shtëpi në Shqipëri.
Klientët e Znj. Taipi mesatarisht janë grupë 5-6 vetësh që trokasin në “derën” e saj një herë në dy muaj dhe e kontaktojnë përmes e-mailit.

Buxheti i tyre është 5000 euro për 10 ditë.

Në muajin qershor Taipi ka marrë pjesë në panairin më të madh të turizmit në Kinë duke ofruar si agjenci paketa të plota për ture ballkanike për turistët kinezë.

Valentina Taipi duke përfaqësuar Shqipërinë me "Vektor" në panairin më të madh aziatik

Taipi thotë për Gazetën “Si” se kinezët në vendin e tyre përshkojnë hapësira të mëdha dhe prandaj nuk lëvzin shpesh jashtë vendit. Dhe kur lëvizin, thotë ajo, vizita në një vend të vogël si Shqipëria nuk iu mjafton, prandaj ata kërkojnë të vizitojnë edhe vendet e tjera të rajonit.

Kreyministri Edi Rama, pak ditë më parë gjatë një takimi me kryebashkiakët e kryeqyteteve të rajoneve kineze do tu tregonte atyre për nisëmn e Minishengenit Ballkanik ; qarkullimin e lirë të njerëzve, mallrave dhe kapitalit, si një mundësi që do t’u ofrojë investitorëve të huaj një rajon me një treg më të zgjeruar dhe më të qëndrueshëm.

Kreu i Qeverisë do tu shpjegonte qeveritarëve kinezë se kjo nismë do të rrisë kapacitetet dhe larmishmërinë e ofertave për investitorët dhe turistët e huaj në rajon dhe në këtë vështrim duhet të shohin edhe investitorët dhe turistët kinezë.

“Në këtë drejtim e shikojmë me shumë rëndësi krijimin e një hapësire lirie të plotë edhe për rritjen e numrit të turistëve kinezë që vizitojnë vendin tonë. Turizmit kinez, por edhe turistëve të tjerë t’u japim oferta më të larmishme të krijuara bashkarisht dhe do të përfitojmë të gjithë dhe ndikimi i këtij bashkëpunimi do të ndjehet në jetën e të gjithë qytetarëve”, do të deklaronte Rama.

Zak Topuzi, kreu i Shoqatës Shqiptare të Turizmit, thotë për Gazetën “Si” se kinezët po e preferojnë shumë Shqipërinë.

Zak Topuzi, "Shoqata Shqiptare e Turizmit"

“Ata janë të thjeshtë, kanë kërkesat e tyre, por ne duhet t’u përgjigjemi. Duhet të ngremë rezorte të mëdha sepse ata kryesisht vijnë në grupe edhe me 50-60 veta dhe të krijojmë incentive për biznesin, sepse ata janë të interesuar edhe për të bërë biznes”- tregon Topuzi, i cili shton se “Europa dhe Ballkani janë destinacione të preferuara tanimë për tregun kinez të turizmit, pasi lufta tregtare SHBA-Kinë ka ndikuar në këtë drejtim dhe turistët kinezë mund ta zëvendësojnë Amerikën me Europën dhe Ballkanin; e para nuk kanë nevojë për vizë në shumë vende dhe çmimet janë më të lira se në Amerikë”.

Turisti kinez, vëren znj. Taipi ka edhe kërkesa të çuditshme.

“Disa çifte të sapomartuar kinez, të pasur, kanë vendosur që setin fotografik ta bëjnë tek ujëvarat në kanionet e Osumit në Berat. Po ashtu edhe muajin e mjaltit ta shpenzojnë në Shqipëri. Mu duk tejet e pazakontë”- tregon Znj. Taipi.

Kurse profili tjetër i turistit kinez është ai me një buxhet të vogël deri në 3000 euro për person për një javë ose 10 ditë, që kryesisht janë punonjës nga kompani të mëdha dhe udhëtimin e kanë dhuratë nga puna.

Arjana nga "Albturs d" më thotë se pavarësisht se turistët kinezë nuk krahasohen në numër me ata të rajonit, Greqisë, apo Italisë, ka interes në rritje.

“Tek ne ka dy kategori; të pasurit dhe më pak të pasur. Kategoria e parë siç kishim një delegacion të kryetarëve të bashkive të Kinës, 6 persona, kërkonin hotel me pesë yje, nuk bëjnë kompromis për këtë. Kurse ata që janë më pak të pasur tolerojnë. Ata shkojnë edhe në hotel me 35-40 euro nata.”- thotë Arjana nga Albtours d e cila më shpjegon se agjencia ku ajo punon u ofron vetëm akomodimin, transportin në Shqipëri, guidën dhe përzgjedhjen e restoranteve. Biletat, turistët kinezë i presin në agjencitë e tyre.

Arjana më thotë se turistët kinezë janë shumë kurioz për kuzhinën tradicionale shqiptare.

Sjellja e turistëve kinezë

Destinacionet e tyre të preferuara janë kryesisht avër vendit të tyre: Korea e Jugut, Taiwan, Japoni dhe Tailandë.

Mandej, Europa i tërheq ata më shumë , me 24.6% të tregut që e merr Franca, 15.6% Gjermania, 9.2% Zvicra dhe 8.7% Spanja. Aktualisht Shqipëria dhe Ballkani janë një alternativë ekzotike për ta për energjinë

Në përgjithësi, ata nuk flasin ndonjë gjuhë tjetër përveç Mandarinës ose Cantonese, nuk flasin madje as anglisht. Kjo mund të kërkojë që në sitin e agjencisë të vendosni edhe gjuhën kinezçe ose më mirë do të ishte guida në mandarinë.

Buxheti mesatar i turistëve kinezë që përfshin transportin, akomodimin e shpenzimet e tjera është rreth 4000 dollarë.

Ata zakonisht shpenzojnë shuma të vogla në hotele e restorante, por shpenzojnë shumë në shopping!

Ata udhëtojnë rrallë, prandaj e shijojnë udhëtimin duke blerë, dhe kjo shpjegon që pjesa më e madhe e buxhetit i dedikohet shopping (16%).

Turisti kinez është përherë i lidhur me internetin— ai shpërndan fotot e tij në mediet sociale, përdor internetin për të gjetur vende të mira. Ai nuk dëshiron ta fik telefonin teksa udhëton.

Për argëtim,turisti i ri kinez po largohet nga klisheja që ne kemi për të.

Në fakt, ai është më i interesuar në trashëgiminë kulturore të vendeve që viziton; muzeume, galeri artesh dhe i dedikon një buxhet në rritje kësaj pjese.

Mbi të gjitha, ky turist i ri nis të bëhet aventurier dhe e ul sendentarizmin e vet.

“ Atyre nuk iu intereson historia, por pamja që i shfaqet, kështjellat mbi dete, kalanë e Lëkursit e kanë vlerësuar shumë. Vlerësojnë shumë kostumografinë sepse u ngjan me të tyren. Kostumografia e Nepalit-Himalajeve është prej ëkure keci, deleje, kurse afër Indinsë me unaza në kokë, gërsheta. Ata si ne kanë pazare të vjetra. Dyqanet i kanë me çati të stilit perandorak. Prandaj kur vijnë janë të interesuar për Pazarin e Krujës dhe vende të mbrojtura nga UNESCO si Berati. Shohin pikat e ngjashmërisë dhe në të njëjtën kohë Shqipëria ju duket ekzotike.” – më tregon Taipi.

“Por ata janë të kursyer në shpenzime. Pëlqejnë suvenirët flamuj sepse i ngjajnë flamurit të tyre. Pëlqejnë edhe rakinë sepse u ngjan rakisë së tyre Mau Tai e cila kushton 400 euro. Ajo quhet pija e diplomatëve. Pasi firmosin marrëveshjet, ulen të gjithë dhe pinë në mënyrë kolektivëe. Sepse e ndajnë në shotsa të vegjël. Ata përherë hanë e pinë në grup sepse kanë një filozofi që kur ha dhe pi vetëm je mjeran”- më tregon Znj. Taipi.

Si ti mbash turistët kinezë?

Wifi falas kudo, çaj në dhomën e hotelit, përkthyes në dispozicion në gjuhën mandarin, broshura në gjuhën e tyre, destinacione për shopping, transport në çdo kohë.

Turistët kinezë nëpër botë

Në fillim të vitit 2019, Kina numëronte 1.4 mld banorë, 4 herë më shumë se SHBA-të dhe 21 herë më shumë se Mbretëria e Bashkuar. Ajo është gjithashtu vendi i tretë më i madh në botë, dhe reflekton diversitetin: 24 entitete kineze dhe rreth 200 gjuhë të folura.
Kina ka një hapësirë gjeografike prej 9 mln e 600 mijë kilometër katrorë, 22 provinca, 5 rajone autonome, katër bashki të kontrolluara direkte (Pekin, Tianjin, Shanghai dhe Chongqing), dhe rajone të veçanta administrative Hong Kong dhe Macau.

Turistë kinez në Paris

Në 2018-ën u numëruan 220 mln turistë në të gjithë botën. Në atë vit, turistët kinezë kryen 150 milion udhëtime rreth botës, duke shpenzuar një shumë kolosale prej 277 mld dollarë. Më shumë se 36 mld dollarë, ose 13% e shumës totale është shpenzuar në SHBA,në Hawaii, Hollywood, dhe destinacione të tjera të rëndësishme amerikane.

Që prej nisjes së luftës tregtare SHBA-Kinë, turizmi kinez në SHBA ka rënë me 8%.
Numri i vizitorëve kinezë këtë pjesë të botës është duke rënë për shkak të presioneve gjeopolitike, një dollari të fortë dhe thirrjes joshëse të pjesës tjetër të botës.
Trendi në rënie do të jetë shkatërrues për sektorin e turizmit amerikan.

Të gjitha llojet e vizitave nga Kina në Amerikë po bien, janë udhëtimet e qefit ato që kanë pësuar goditjen më të madhe.

Që kur Donald Trump imponoi tarifat doganore për produktet kineze në mars 2018, dollari u fuqizua, duke e bërë shumë më të vështirë për turistët kinezë të justifikonin udhëtimet e shtrenjta.

Gjithashtu turistit kinez i duhet vizë e kategorisë B për të fluturuar në Amerikë.
Vitin e kaluar 17% e aplikantëve kinezë u janë refuzuar vizat, por atyre u është dashur ta paguanin 160 dollarshin për aplikim, i cili nuk kthehet.

Që prej 2013-ës, niveli i refuzimeve ka rënë në mënyrë të qëndrueshme.
Në të njëjtën kohë, shtete të tjera kanë bërë hapa galopantë për tiu hapur dyert turistëve kinezë dhe potencialit të tyre që kanë për të shpenzuar.

Tailanda është shteti më i fundit që i ka hequr vizat për udhëtarët kinezë.
Pas lehtësimit të kërkesave në vitin 2016, Afrika e Veriut ka një rritje prej 3.500% vit pas viti në aplikimet për viza nga Kina sipas të dhënave të përpunuara nga Ctrip, një agjenci udhëtimesh me bazë në Shanghai.

Por, megjithëse ata nuk mund të shkojnë në SH.B.A., turistët kinezë ende po paketojnë çantat e tyre në destinacione të tjera më të lira, që mbërrihen më lehtë. Udhëtimi brenda përbrenda Kinës mbetet e qëndrueshëm, me 5.5% gjatë vitit 2018.

Ballkani, aktualisht ka avantazh të madh për përthithjen e turistëve kinezë.
Udhëtimet pa vizë, peizazhi natyror, çmimet e ulta, thellimi i luftës tregtare SHBA-Kinë që ka ulur zgjedhjen si mundësi e parë për të bërë turizëm në Amerikë të kinezëve, është një mundësi e shkëlqyer që Shqipëria duhet të shfrytëzojë për të rritur numrin e turistëve kinezë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë