Njerez

Këshilli i Europës: Azilkërkuesit po keqtrajtohen

Një raport nga Këshilli i Europës ka zbuluar se vendet europiane po shkojnë gjithnjë e më shumë drejt kthimeve të paligjshme të azilkërkuesve si dhe që ndaj tyre po ushtrohet dhunë.

Komiteti kundër torturës i Këshillit të Europës (CPT) thotë se ka identifikuar "modele të qarta të keqtrajtimit fizik" ndaj njerëzve që përpiqen të kalonin kufijtë në të gjithë Europën.

Emigrantët dhe azilkërkuesit janë goditur me grushta dhe shkopinj, shpesh herë nga policë që heqin distinktivët e tyre për të mos u identifikuar.

Gjithashtu shumë prej azilkërkuesve janë dërguar në vendet e tyre pa u marrë parasysh kërkesa për azil.

“Viktimat gjithashtu janë keqtrajtuar, ndonjëherë të shtrirë në tokë me duar të lidhura ose janë detyruara të ecnin zbathur apo zhveshur”, thotë Alan Mitchell, presidenti i CPT.

46 vendet anëtare të Këshillit të Europës kanë nënshkruar konventën europiane për të drejtat e njeriut, e cila ndalon torturën, keqtrajtimin ose dënimin çnjerëzor ose poshtërues.

“Këto metoda dëbimi bien ndesh me ligjet, sidomos kur nuk merret parasysh kërkesa e tyre për azil”, thotë Mitchell.

Raporti nuk përmend asnjë shtet, por Mitchell thotë se ato kishin hetuar qindra raste në vitet e fundit në të gjithë shtetet ku ka azilkërkues në Europë. Komiteti ka vizituar së fundmi Greqinë, Turqinë, Hungarinë, Spanjën, Maltën dhe Italinë për të vlerësuar politikat e emigracionit. Nëntorin e kaluar, ato kryen një vizitë të pa paralajmëruar në qendrën e paraburgimit Manston në Kent, pasi u zbulua se mijëra njerëz po mbaheshin të ndaluar për javë të tëra në kushte të këqija.

Gjetjet e komitetit janë në kontrast me qëndrimin zyrtar të shumë qeverive europiane se nuk ka asnjë kthim të paligjshëm.

Duke marrë në intervista emigrantët, duke kryer vizita në vendet që qëndrojnë dhe ekzaminime të gjendjes shëndetësore të emigrantëve, Komiteti thotë se raporti i tyre bazohet në fakte.

Raporti arriti në përfundimin se vitet e fundit shumë vende po i kthejnë emigrantët në vendet e tyre pa marrë parasysh asnjë kërkesë për azil dhe kjo sipas tyre është “një përgjegjësi minimale nga shtetet”.

Raporti vjen ndërsa qeveritë në të gjithë Europën kërkojnë të forcojnë kontrollet kufitare. BE-ja është zotuar së fundmi të financojë më shumë kamera, drone dhe kulla vrojtimi në kufinjtë e shteteve. Ndërkohë qeveria britanike u kritikua këtë javë për planet për të ndaluar dhe dëbuar njerëzit që mbërrinin në Britani me varka të vogla dhe në pjesën e pasme të kamionëve pa dëgjuar kërkesat për azil.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë