Histori

Kërshëndella 1967

Kisha e Vaut të Dejës, e hedhur në erë me dinamit, 1967.

I fundmi urim Krishtlindjeje, mes dy krerëve të kishave të krishtera në Shqipëri, asaj Katolike dhe asaj Ortodokse ishte ai i 23 dhjetorit të vitit 1966. Kreu i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Kryepeshkopi Damian përmes një telegrami, i uron Krishtlindjen, Kreut të Kishës Katolike të Shqipërisë, Imzot Ernest Çobës.  

Viti pasues, do të sillte fushatën me zellin më absurd të çrrënjosjes së besimeve fetare dhe shkatërrimin e objekteve të kultit. Në vend të Krishtlindjeve, në dhjetorin e 1967-s do të kishte tmerr e frikë, veshur kinse me normalitetin e ri, në vendin e parë ateist në botë.

Një terr dhe mjerim shpirtëror që do të zgjaste deri më 24 dhjetor të 1990-s, kur u mbajt e para meshë pas 14 vitesh ndalim, ndonëse klika komuniste e dinte se me gjithë propagandën dhe ndëshkimet çnjerëzore për njerëzit e fesë, nuk mund ta çrrënjosnin krejtësisht, të paktën nga ndërgjegjja e besimtarëve.

Por persekutimi i kishës dhe në tërësi i klerit fetar kishte nisur qysh herët, me marrjen e pushtetit nga komunistët.

Në prill të vitit 1945,  Ministria e Arsimit lëshoi një qarkore, me anën e së cilës theksonte se mësimi i fesë nëpër shkolla nuk ishte i detyrueshëm. Gjithashtu mësuesit e fesë nuk do të ishin

pjesë e stafit pedagogjik dhe pagesa e tyre do të bëhej në bazë të orëve të mësimdhënies nga komitetet ekzekutive. Disa muaj më vonë u miratuan tekstet që do të përdoreshin. Nuk kaloi shumë  kohë dhe më 27 mars 1946 Ministria e Arsimit urdhëronte heqjen e mësimit të fesë dhe zëvendësimin e tij me lëndën e “Darvinizmit” dhe atë të “Njohuri të Marksizëm-Leninizmit”, ndërsa më 6 qershor 1946,  Këshilli i Ministrave me anën e një dekreti të posaçëm urdhëronte mbylljen e të gjitha institucioneve arsimore fetare. Lufta jo vetëm kishte nisur, por ishte bërë frontale.

Martirët e Krishtit

Sipas arkivave që dëshmojnë persekutimin e Kishës Katolike , nga viti 1944 e deri më 1990-n, renditen me qindra klerikë e meshtarë të persekutuar, burgosur e persekutuar.

Ishte 31 dhjetori i vitit 1945-n, ku traktet e shtypura me zell atdhetar nga disa të rinj të krishterë e myslimanë të organizatës nacionaliste “Bashkimi Shqiptar”, çuan në arrestimin e pushkatimin e Atë Giovanni Fausti-t, italian, nënprovincial i Shoqërisë “Jezus” dhe të Atë Daniel Dajanit, shqiptar, Rektor i Kolegjit e i Seminarit.

Në një grup me këta bashkuan edhe Atë Gjon Shllakun, i akuzuar se kishte formuar një lëvizje demokristiane. U pushkatua me ta, edhe seminaristi Mark Çuni. Ishin shtatë njerëz të veshur me petkat e devocionit të krishterë, që u vranë më 4 mars të vitit 1946.

“Rrnoftë Krishti Mbret”, ishin disa prej fjalëve të tyre të fundit, të dokumentuara në dosjet e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe sipas mësimeve të Krishtit, para se të mbyllnin sytë do të artikulonin “Falim armiqtë tanë.  Lëvizja e Postribës, më 9 shtator të vitit  1946, arrestoi dhe një grup meshtarësh, edhe pse nuk kishin marrë pjesë në atë lëvizje. 

Imzot Frano Gjini, Imzot Gjergj Volaj, Imzot Nikollë Deda, Dom Tomë Laca, arrestohen e më pas pushkatohen. Po atë vit, do të arrestonin edhe Atë Anton Harapin, që e pushkatuan pas torturash të rënda.  Provinçialin e françeskanëve, Atë Mati Prennushin, dhe gardianin e fretërve  në Shkodër, Atë Çiprian Nikën, i pushkatuan gjithashtu. 

Të tjerë si,  Atë Pal Dodaj, Atë Donat Kurti, Atë Aleks Baqli, Dom Tomë Laca, Atë Mëhill Miraj, Dom Nikollë Shelqeti, Dom Mark Hasi, Fra Zef Pllumi u dënuan dhe vuajtën tmerre çnjerëzorë në burgje. Disa prej tyre vdiqën në burgje, prej torturave, të tjerë si At’ Zef Pllumi rrojtën për me tregue torturat e dëshmuara me sy dhe ato të përjetuara në lëkurë.  “Herë mbas here, në orët e para të agimit, mbas vorrezave të Rëmajit në Shkodër, dëgjoheshin krismat e pushkëve që shtrijshin përdhé meshtarë, rregulltarë e sa civilë katolikë e muslimanë”.

Llojet e torturave të shpikura e të përdorura nga Sigurimi i Shtetit ishin nga ma të ndryshmet,  nga korrenti elektrik, mbushja e gojës me kripë, fshikullimi me kamxhik  dhe rrahja, futja me kokë poshtë në fuçi me ujë të akullt për disa ditë, ecja këmbëzbathur mbi pllaka të nxehura metalike, mbajtja e vezëve të sapo ziera në sqetull, pakësimi i ushqimit për ta lënë organizmin drejt vdekjes, medikamente për çregullimin e sistemit nervor... 

Dom Anton Muzaj, pas torturave në burgje, e do të vdiste në Arqipeshkvi në moshën 29 vjeçare. Meshtari i ri, Dom Dedë Maçaj, porsa meshtar i ri, u pushkatua para regjimentit ushtarak në Përmet.

Atë Bernardin Palajt ia i lidhën trupin me një tel të ndryshkur dhe gjeti vdekjen  nga sëmundja e tetanozit. Dom Lekë Sirdani e Dom Pjetër Çuni vdiqën  të torturuar, kokëposhtë në gropat e ujërave të zeza.  Dom Dedë Plani, Dom Luigj Bushati e Dom Luigj Prendushi u pushkatuan, po ashtu  Atë Bernardin Llupi u pushkatua në Pejë. U pushkatuan edhe prifti polak Dom Alfons Tracki e ai gjerman Dom Zef Maksen. Atë Serafin Kodës i kishin shkulur gabzherrin nga fyti.

Motrat Tereza, duke parë përgatitjet, ku do të mbante meshën Papa Francesku, ditën e dielë më 21 shtator 2016, në Sheshin "Nënë Tereza"

Papa Pandit, prift i ritit bizantin në Korçë, i prenë kokën dhe  ia vendosën mbi trupin e vdekur, Papa Josifin, prift katolik i ritit bizantin në Elbasan, e mbytën në kampin e punës, në kënetën e Maliqit.

Dom Mark Gjanit, teksa e torturonin i kërkuan të mohonte Krishtin. Vdiq i varur me shpatulla dhe para se të jepte shpirt do të thoshte  “Rrnoftë Krishti Mbret!” Trupin e tij ia hodhën qenve dhe ç’mbeti e lëshuan në përrua.  Torturat vijonin edhe pas vdekjes, ku shumë klerikëve, mes tyre Atë Gjergj Fishta, ua  zhvarrosën eshtrat. Motër Maria Tuci u torturua në mënyrë çnjerëzore dhe pasi u lirua nga hetuesia, vdiq në spitalin e Shkodrës. 

Mes rrëfimeve të të mbijetuarve dëshmohen llojet e torturave, ku Atë Anton Lulin e torturuan me rrymë elektrike, Atë Franko Kirin e lidhën tri ditë e tri net me trupin e një të vdekuri, kurse  Atë Gjon Karmën, e futën në një arkivol për së gjalli, mbuluar me kapak, ku merrte frymë vetëm nga ndonjë vrimë e vogël, e hapur si pjesë e torturës.

Frano Gjinin e varën nëpër pemët e oborrit të Sigurimit dhe e lanë të pangrënë e të pa veshur në të ftohtë e pas goditjeve të rënda e lëshonin tek ujërat e zeza të banjës. Dom Simon Jubani, do të bënte 26 vjet burg.

Më 26 prill 1966, ditën e Zojës së Këshillit të Mirë, që kremtohej në Shenjtoren, bri Kështjellës së Rozafës, një repart ushtarak nuk e lejoi  Ipeshkvin, të kremtonte meshën e festës, para një populli të madh.

Ditën e Shën Kollit, më 6 dhjetor,  disa të rinj dhe njerëz të pushtetit, larguan  jezuitin, Atë Anton Lulin. “Nuk duam kishë, merr plaçkat tuaja personale e ik prej këndej. Kishën duam ta kemi shtëpi kulture. Ketë e ka në dorë populli e rinia”, i thanë priftit.

Natën e Krishtlindjeve, në Shkodër,  teksa kremtohej me popull plot në Kishën  e Madhe u tha se do në orët e vona do të niseshin njerëzit për punë vullnetare, në hapje kanalesh.

Ndër ata klerikë të besimit katolik që jepte meshë gjatë periudhës së komunizmit,  nga 1945 deri në 1967-ën ishte  edhe Dom Ernest Simoni Troshani, i cili prej 9 tetorit të 2016-s, u shpall Kardinal nga Papa Françesku, Kardinali i dytë shqiptar pas Dom Mikel Koliqit. Ai vuajti në burgjet e diktaturës për 28 vite.

Sipas Andrea Llukanit, në librin “Krishterimi në Shqipëri”, persekutimi ndaj Kishës Ortodokse kishte nisur gradualisht. P prej vitit 1945 e deri më 1967, kisha i  është nënshtruar shtetëzimeve, konfiskimeve, me qëllim që të dobësohej ekonomikisht dhe duke u zbehur gradualisht deri në vitin 1967 që shënoi shuarjen e plotë të pasurisë kishtare.

Dora e egër ateiste rëndoi fuqishëm mbi klerin ortodoks, duke shtuar vazhdën e krimeve të regjimit komunist. Klerikët u zhveshën, u burgosën dhe u internuan, gjithashtu mjaft prej tyre u martirizuan.

U burgos Kryeepiskop Visarioni në maj të vitit 1947 dhe u lirua në nëntor 1962. Kryeepiskop Kristofori u internua në gusht 1948 dhe vdiq në mënyrë misterioze (i helmuar) në qershor 1958. Episkopi ndihmës i Apolonisë Irineu u dënua dy herë gjatë viteve 1946-1948 dhe 1956-1960 dhe më pas u internua në manastiret e Shën Gjonit, Shën Vlashit e të Ardenicës.

Atë Gjergj Suli u ekzekutua në vitin 1950, Atë Aleksandër Lipe u ekzekutua më 1946, Atë Ligor Zografi u dënua dhe internua në vitin 1966. U burgosën Atë Ligor Zografi, atë Kosta Kole, atë Thoma Vërleni, atë Kristo Raci, atë Jorgji Kosta, atë Simon Tonini, atë Ilia Zoto, atë Gjergj Dedi, etj.

Megjithë përndjekjet e propagandën ateiste, besimi te Zoti mbeti gjallë në shpirtin e popullit. Kjo dukej me sakrificën e martirëve të shumtë klerikë e laikë, të cilët u burgosën, u pushkatuan.

40 fotografi të klerikëve që u dënuan dhe u persekutuan nga sistemi diktatorial, për shkak të besimit të tyre fetar, të vendosura përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, më 21 shtator 2014.

Në Elbasan, kryetari i komitetit ekzekutiv të rrethit me pretekstin për të evituar sëmundjen e brucelozës më 3-4 qershor 1964,  nuk lejoi të zhvillohej panairi në Shën Joan Vladimir. Jo vetëm besimtarët nuk u lejuan të shkonin, por edhe personeli i manastirit nuk u lejua të meshojë. Në manastirin e Shën Vlashit në Durrës,  Dashnor Mamaqi i shoqëruar nga një oficer policie i quajtur Qerim Muka hynë  në kishë dhe u tallën me sendet e shenjta dhe klerikët.

Në fshatin Vrakë të rrethit të Shkodrës fshatarët shpërthyen dyert e kishës dhe e bënë hambar për të futur bereqetin.....”

Në burgje e kampe internimi, meshtarëve iu dhanë punë të rënda. Një prift i pa burgosur ishte për komunistët një kishë e madhe e hapur.  Nga 170 meshtarë katolikë më 1944-n, gjatë instalimit të regjimit, 31 u pushkatuan, dy vdiqën në burg, nën tortura  dhe pa gjyq vdiqën tetë klerikë. Në burgje e kampe vdiqën 19 të tjerë dhe të burgosur ishin mbi 70.

40 martirët e Kishës Katolike, 38 prej të cilëve ishin ipeshkvij,  u lumturuan dhe u shpallën shenjtorë më 5 nëntor të 2016-s, në sheshin para Katedrales së Shkodrës.

Stendat e persekutimit komunist, Muzeu Historik Kombëtar

I vetmi vend ateist në botë

Revolucioni Kulturor që Lin Biao kishte nisur në Pekin më 1966-n, jehoi në Shqipëri pak muaj më vonë... Më  6 shkurt 1967, në mbledhjen e disa organizatave të Partisë në Tiranë, Enver Hoxha jepte sinjalin e madh të këtij revolucioni, të një lufte të furishme “kundër zakoneve prapanike e paragjykimeve fetare”, e cila do të shtrihej në të gjitha skajet e vendit.

Në janar të vitit 1967 organizata e rinisë së shkollës së mesme “Naim Frashëri” në qytetin e Durrësit shpalli nismën: “Të luftojmë deri në fund ideologjinë fetare, besëtytnitë dhe zakonet prapanike”, ndërsa më 6 shkurt 1967  Enver Hoxha mbajti fjalimin me temë: “Revolucionarizimi i mëtejshëm i partisë dhe pushtetit”. Menjëherë pas kësaj gazeta “Zëri i popullit” botoi artikullin: “Me shpatën e mprehtë të ideologjisë së partisë, kundër ideologjisë fetare, paragjykimeve, besëtytnive dhe zakoneve prapanike”.

Më 15 shkurt 1967, ora 10, në të gjitha dyert e kishave e të xhamive dhe në vendet e afishimit,  u panë në qytet “Fletërrufetë”, shpikje kineze, prej grupeve të disa të rinjve e të rejave, ma tepër të rij konviktesh. “ Klerikë,  Populli ju bën thirrje të dorëzoni kishat, qelat e çka të keni!  Mjaft keni mashtruar!  Populli nuk ju do. Rinia nuk ju do”, ishin vetëm disa nga përmbajtjet e fletërrufeve...

Sinodi i Shenjtë i Kishës Ortodokse Autoqefalë të Shqipërisë në një mbledhje të posaçme të datës 22 shkurt të vitit 1967 vendosi që klerikët të hiqnin rasot.

Më 4 mars 1967, mbyllet Kisha Katedrale e Shkodrës.  Më 18 mars, në zyrën e Këshillit të Frontit të Arrës së Madhe, dëbuan nga kuvendi françeskan të gjithë  fretërit që banonin aty.

Ramiz Alia dhe Dashnor Mamaqi, më 20 prill të vitit 1967 u dërguan  letër komiteteve të partisë në rrethe ku i porositnin: “Deri më 15 maj 1967 të na dërgoni një relacion informativ mbi organizimin e punës dhe rezultatet e deritanishme të luftës kundër fesë dhe zakoneve e besëtytnive, sipas letrës së shokut Enver.”

Ndër të tjera kërkohej informacion  sa kisha, sa xhami, sa vakëfe, sa tyrbe janë marrë nga populli dhe çfarë është bërë me to. Sa është numri i klerikëve në rrethin tuaj, çfarë bëjnë tani, me ç’punë merren, si u veprua për t’i sistemuar në punë dhe çfarë problemesh dalin në këtë drejtim....

Porosia e Enver Hoxhës ishte e prerë: “Qëndrimi ndaj fesë për komunistët ishte çështje parimore. Çdo komunist duhet të jetë ateist, sepse botëkuptimi fetar është i papajtueshëm me botëkuptimin marksist-leninist”.

Ndër të tjera Enver Hoxha theksonte: “Në propagandën kundër fesë, riteve, dogmave dhe institucioneve fetare duhet të kemi parasysh që të mos futemi në luftë të hapët me masat e popullit, sepse në popull do të ketë edhe njerëz të ndershëm të lidhur me Partinë dhe patriotë të flaktë, të cilët do ta ruajnë në ndërgjegjen e tyre besimin”.

Kisha  “Zemra e  Krishtit” në Tiranë, u mbyll me 29 qershor 1967. Edhe pse ishin pjesë e trashëgimisë kulturore dhe historike të Shqipërisë, sipas të dhënave zyrtare nga Muzeu Historik Kombëtar, pas 1967-s  u mbyllën 740 xhami, 608 kisha ortodokse e manastire, 157 kisha katolike dhe 530 teqe e tyrbe bektashiane, duke u shkatërruar apo përdorur për qëllime tjera.

Kisha e Shën Shtjefnit, Shkodër kthyer në Pallat Sporti, pas 1967.

Pasuritë e paluajtshme të komuniteteve fetare kaluan në pronësi të shtetit komunist, ndërsa u ndalua edhe kremtimi i festave fetare. Gjithashtu ikonat, librat liturgjikë dhe sende të tjera me karakter fetar u sekuestruan. Për shkatërrimin e kishave dërguan nxënësit e shkollave dhe repartet ushtarake.

Nën udhëheqjen e aktivistëve fanatikë të organizatave të rinisë dhe sipas udhëzimeve të komiteteve të partisë ata filluan vinin dorë mbi kishat. Klerikët dhe besimtarët kujtuan se

shkatërrimi i objekteve te kultit ishte me të vërtetë një nismë e organizatës së rinisë, prandaj filluan të dërgonin letra tek Enver Hoxha, me anën e së cilave kërkonin ndalimin e fushatës shkatërruese. Ata shpresonin se udhëheqësi kryesor i Partisë së Punës do të ndërhynte me autoritetin e tij për të ndaluar barbarizmat që po bëheshin.

Në librin e tij, “Krishterimi në Shqipëri”, Andrea Llukani shkruan se megjithë përndjekjet dhe persekutimet,  Kisha e nëndheshme funksiononte.

Madje, kishte prej tyre që pa marrë parasysh rreziqet e panumërta, vazhduan ta mbanin të ndezur flakën e besimit me veprime konkrete, siç ishin atë Kozmai, i cili me Ungjillin e fshehur në një trastë të vjetër shkonte nga qyteti në qytet për të pagëzuar në fshehtësi dhe për të kryer shërbesat e shenjta.

Petro Xhuveli u kishte bërë katekizëm disa fëmijëve dhe priste papa Kozmanë që t’i pagëzonte në Dhërmi. Ata u pagëzuan në fshehtësi në një shtëpi të krishterë, megjithë survejimin e organeve të sigurimit të shtetit.

Motrat Cico nga Korça, të cilat e kishin kthyer shtëpinë e tyre në një kishë të vogël, luteshin vazhdimisht. Theofan Popa kontribuoi në shpëtimin e shumë sendeve të shenjta dhe të ikonave. Koço Fështi, Vangjel Plepi dhe Petro Zheji vazhduan të ndiqnin në fshehtësi shërbesat fetare dhe të pagëzonin fëmijët e tyre tek atë Kozmai. Një nga të pagëzuarit në fshehtësi është edhe Joan Pelushi, i cili sot mban titullin Mitropolit i Korçës.

Gjatë kohës që kishat ishin të mbyllura, meshtarët që ishin jashtë burgut, kremtonin  meshë fshehtas dhe po fshehtas u kryenin shërbime fetare besimtarëve.

Imzot  Ernest Çoba banonte në shtëpinë e së motrës dhe ndonëse survejohej nga Sigurimi, atyre që shkonin për ta takuar u jepte sakramentin. Shërbime në fshehtësi kryenin shumë  e shumë meshtarë të tjerë si  Dom Njac Gjoka, Dom Martin Trushi, Dom Mikel Beltoja, Pater Leon Kabashi, Pater Ferdinand Pali, Imzot Gjon Kovaçi, Pader Mëhill Troshani, Dom Kolec Toni, Dom Zef Simoni e të tjerë.

Me  fjalë pohohej  se populli i kish  mbyllë kishat e institucionet fetare, por e vërteta ishte ndryshe. Fshehtas  kremtohej Krishtlindja, Pashkët dhe shumë festa të tjera fetare. 

“Zhdukja e festave fetare dhe e zakoneve prapanike dhe zëvendësimi i tyre me ceremonitë dhe festat socialiste përbën në vetvete një problem ideologjik që meriton kujdesin dhe vëmendjen e partisë, dhe këtu nuk është fjala vetëm për zëvendësimin e festave fetare me festat tona, por është fjala për ushqimin e përditshëm shpirtëror që ka nevojë njeriu, prandaj organizatat e partisë dhe organizatat e masave duhet të mendojnë seriozisht si ta organizojnë më mirë edukimin dhe dëfrimin e  punonjësve në punë dhe pas pune”, thuhej në në një material të përgatitur nga sektori i edukimit në Komitetin Qendror të PPSh më datën 30 maj 1967, “Mbi festat e reja socialiste”.

Mes konstatimeve të Komitetit Qendror thuhej se aty- këtu janë shikuar tentativa klerikësh për të udhëzuar si t’i kryejnë ritet fetare. “Mbahen akoma ndërtesa pa asnjë vlerë historike dhe përdorimi, si një formë e një rezistence pasive.

Kisha Ortodokse e Shën Spiridhonit, u kthye në magazinë, pas 1967

Në ndonjë rast këto janë përdorur edhe për pagëzim, ose veprimtari tjetër fetare. Të gjitha këto tregojnë se është i gabueshëm mendimi që ndihet aty këtu se tashti që u mbyllën kishat dhe xhamitë, s’kemi çfarë të bëjmë kundër fesë. ”

Me dekretin i cili u botua më 22.11.1967,  Shqipëria u shpall zyrtarisht shteti i parë dhe i vetëm ateist në botë dhe në histori, që ndalonte me kushtetutë çdo shprehje të fesë. Vendimi i Komitetit

Qendror të PPSH-së për mbylljen e objekteve të kultit ngjalli pakënaqësinë e klerikëve dhe të besimtarëve nga i gjithë vendi. Shkatërrimi i objekteve të kultit fillimisht u kamuflua si një nismë e rinisë dhe gradualisht mori përmasa kombëtare. Në Kongresin V të PPSh-së që u mbajt më 30 nëntor 1969 u dekretua se Shqipëria ishte vendi i parë ateist i botës.

6 shkurt, 1967

Me rastin e Krishtlindjeve të vitit 1972, shumë kardinalë që gjendeshin në Romë, shkuan t’i bënin urimet Papa  Palit VI, në Konçistor. Papa u tha kardinalëve: “Ne kemi bërë  të pamundurën për t’u marrë vesh me shqiptarët për lirinë e besimit. Por ata qëndrojnë në të veten. U sillemi kardinalëve të vendeve të tjera, të merren me këtë çështje për të gjetur të gjitha mënyrat e mundshme për zgjidhjen e këtij problemi fort të rëndësishëm”.

Ndërsa, Papa Gjon Pali II, kur shkoi në Puglia, e trajtoi këtë problem të gjendjes në Shqipëri dhe  e i drejtoi përshëndetje të përzemërta popullit e besimtarëve.

“E kështu sot nuk mund të mos e hedh vështrimin përtej detit, ku Kisha heroike në Shqipëri tronditet thellë nga persekutimi i gjatë, por edhe pasurohet nga dëshmia e martirëve të saj: ipeshkvij, meshtarë, rregulltarë, rregulltare, besimtarë e qytetarë të thjeshtë. Përveç tyre, mendimi im shkon edhe tek vëllezërit e tjerë të krishterë e tek të gjithë besimtarët në Zotin të cilët pësojnë të njëjtin fat të heqjes në atë komb”, shprehej Papa Gjon Pali II nga përtej detit më 5 tetor të 1980-s, ndërsa vite më vonë do ta vizitonte vendin dhe popullin e vuajtur.

Mesha e Parë, Shkodër 1990

Rikthimi tek Zoti

Ti, o Atdhe, i vramë përnjëherë, pushofsh në paqe!  Vetëm në një ditë të “Te Deum” e në një “Alleluja” të Hendelit,  mund të ringjallesh,  thoshin meshtarët gjatë persekutimeve.

Pas 14 vitesh nga revolucioni që shkatërroi objekte kulti dhe ndaloi plotësisht praktikën e fesë, Atë Zef Pllumi kujtonte në librin e tij, natën e parë të Kërshndellave pas diktaturës. i liruar nga burgu më 11 prill të 1990-s, ai e rinisi meshtarinë pikërisht Natën e Krishtlindjes, në Kishën e Shn’Andout në Tiranë.

Atë Zef Pllumi dhe Nënë Tereza

Nata ishte shumë e ftoftë, frynte nji veri i rreptë, si kurr ndonjiherë. Unë kam ndejë shumë vjet në Tiranë, por nji veri kaq të furishëm, që çonte e merrte përpara gjithçka gjente e i fshinte të gjitha rrugat, pa lanë kurrgja në to, nuk e kisha pa kurrë. Edhe njerëzit e kishin të vështirë me ecë prej eret e prej nji acarit, të papamë në Tiranë. Mendojshem me vedi e ua thoshem edhe të tjerëve se ishte djalli vetë që e shfrynte atë erë, sepse nuk donte me e lëshue Tiranen”, kështu e përshkruante Atë Zef Pllumi natën kur, pas Shkodrës, u kremtua Mesha e Mesnatës së Krishtlindjes edhe në Tiranë.

Pak muaj më herët, më  9 majit 1990, u hoq  nga  Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë Neni 35 i Kodit Penal, me anën e të cilit “propaganda fetare konsiderohej si krim kundër shtetit” dhe për këtë akt parashikohej dënimi deri në 10 vjet burg.

Në gusht të vitit 1990 në qytetin e Shkodrës u mbyll “Muzeu Ateist” duke shënuar hapin e parë drejt lirisë fetare. Fill nisën nga funksionimi kishat, që kishin mbetur ende në këmbë.

Mesha e parë pas persekutimit për  të krishterët ortodoksë  u celebrua në manastirin e Kryeengjëjve në Derviçan të Gjirokastrës, më 16 dhjetor 1990. Liturgjia hyjnore u krye prej atë Mihal Dakos, i cili ishte dorëzuar në gradën priftërore në vitin 1959 prej Mitropolitit të Gjirokastrës, Damianit.

Më 22 dhjetor 1990 besimtarët kishin mbushur kishën e Shën Spiridhonit në Lagjen “Goricë” të Beratit, madje në këtë ditë të shënuar kishte pjesëmarrës edhe të feve të tjera. ..


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë