Politike

Pas kërkesës për arrestimin e Berishës, hapat që duhet të ndjekë Kuvendi  

Cilat janë procedurat që duhet të ndjekë Kuvendi pas mbërritjes së kërkesës nga SPAK për arrestimin e Sali Berishës?

Fillimisht, kërkesa dhe dokumentet shoqëruese për dhënien e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj deputetit i paraqiten Kryetarit të Kuvendit nga Prokurori i Përgjithshëm. Më pas Kryetari ia dërgon kërkesën dhe dokumentet shoqëruese menjëherë për shqyrtim Këshillit për Rregulloren, Imunitetin dhe Mandatet dhe vë në dijeni deputetin.

Deputeti, për të cilin kërkohet dhënia e autorizimit, lajmërohet për kërkesën e bërë, si dhe i bëhet e ditur koha në të cilën Këshilli për Rregulloren do të fillojë shqyrtimin e kërkesës.

Berisha në këtë rast ka të drejtë të paraqesë në Këshill, me shkrim ose me gojë, shpjegimet dhe vërejtjet e tij rreth çështjes.

Në përfundim të shqyrtimit, Këshilli, brenda 4 javëve, harton një raport për në seancë plenare, në të cilin rekomandon rrëzimin ose miratimin e dhënies së autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj deputetit. Raporti i Këshillit u shpërndahet deputetëve.

Raporti i Këshillit nuk është objekt diskutimi. Kuvendi vendos me votim të fshehtë nëse do të jepet ose do të rrëzohet dhënia e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj deputetit.

Në rastin kur Kuvendi nuk merr vendim për dhënien ose mosdhënien e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ose të arrestimit të një deputeti brenda 3 muajve nga data e paraqitjes së kërkesës përkatëse, atëherë kërkesa konsiderohet e rrëzuar nga Kuvendi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë