Drejtësia

SPAK i kërkon Kuvendit autorizim për ‘arrest shtëpie’ ndaj Sali Berishës

Gazeta Si - SPAK i ka kërkuar Kuvendit të Shqipërisë ndryshim të masës së sigurisë për ish-kryeministrin Sali Berisha, nën hetim për aferën e privatizimit të klubit “Partizani”.

Sipas shkresës që mban firmën e drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, kërkohet autorizim për dhënien e lejes me qëllim caktimin e masës "arrest në burg" ose “arrest në shtëpi” për Berishën.

Momentalisht, Berisha është në masë detyrim paraqitje dhe ndalim dalje nga vendi. Këto masa Berisha i ka kundërshtuar dhe nuk ka shkuar pranë organeve të drejtësisë, duke e quajtur si një vendim politik.

Sali Berisha ka refuzuar që të njohë vendimin e Gjykatës së Posaçme dhe nuk është paraqitur pranë oficerit të policisë gjyqësore për të vlerësuar masën "detyrim paraqitje".

Për këtë arsye, SPAK ka kërkuar që të ndryshojë masën e sigurisë në “arrest shtëpie”. Kjo do të duhet të autorizohet nga Parlamenti, për shkak se konsiderohet masë shtrënguese.

Ish-kryeministri Berisha akuzohet për korrupsion pasiv në lidhje me privatizimin e ish-kompleksit "Partizani", çështje për të cilën është nën hetim dhe në masë sigurie "arrest shtëpie" edhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi.

Kërkesa e SPAK për Kuvendin e Shqipërisë

E nderuar znj. Kryetare e Kuvendit!

Të nderuar Deputetë të Kuvendit !

Mbështetur në nenin 73 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, nenin 231, 260, 288, 289 të K.Pr.Penale, si dhe në Rregulloren e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, nenet 13 dhe 118, bashkëlidhur ju përcjellim kërkesën për dhënien e autorizimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit Sali BERISHA, nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit personal shtrëngues nga ajo e “Detyrimit për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit” parashikuar nga neni 233 i K.Pr. Penale, në atë të arrestit në burg/ arrest në shtëpi, parashikuar nga nenet 238/237 të K.Pr.Penale, në kuadrin e procedimit penal nr. 287 të vitit 2020, të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë.

Gjithashtu në respektim të nenit 288 pika 2, të K.Pr.Penale, bashkalidhur gjeni relacionin e arsyetuar, të shoqëruar me provat përkatëse.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë