Politike

Kërkesa e SPAK, Berisha: I paligjshëm, por do respektoj vendimin e Kuvendit

Vetëm pak minuta pas publikimit të lajmit se SPAK do të kërkojë autorizimin e Kuvendit për arrestimin e tij, Sali Berisha tha përmes një dalje për mediat se do të respektojë çdo vendim të parlamentit.

“Çfarëdo vendimi pas autorizimit të parlamentit, do ta respektoj pa asnjë diskutim.

Qëndrimi im, i përsëritur këtu, ua kam thënë sa herë keni pyetur, ka të bëjë me kushtetutshmërinë e vendit.

Unë nuk mund të bëhesha kurrë njeriu që zbatoi një vendim antikushtetues. Isha në vështirësi në këtë rast se kishte të bënte me mua, por ai ishte një akt i shkuarjes së Kushtetutës në zyrat e prokurorëve ose gjykatësve.

Nuk mund të ndodhte dhe nuk ndodh kurrë përmes Sali Berishës.

Tani parlamenti të vendosë ç’të dojë, sepse unë kam firmosur në vitin 2012, abrogimin e nenit 70 të Kushtetutës, pikës 3 që i jep atributet deputetit.

Ndaj dhe kjo është një gjë që po e vendosi parlamenti... unë vetë po e përgatisja për ta dërguar në Gjykatën Kushtetuese.

Se në rast se Gjykata Kushtetuese vendos, unë do e zbatoj sepse vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i barabartë me prerogativën kushtetuese.

Një vendim i Gjykatës Kushtetuese për mua do ishte 100 përqind i zbatueshëm për faktin se në doktrinën e të drejtës, vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i barabartë me prerogativën dhe ajo bëhej shteg për t’u zbatuar ai amendament që unë kam çuar në vitin 2012...”, tha ai

“A është i drejtë apo i padrejtë, ai është tjetër qëndrim, por asnjë lloj shmangie nga organet e drejtësisë nuk mund të ketë... Tani e zgjidh parlamenti. Sa herë kanë ardhur për të sjellë ato fletushkat, u kam thënë dërgojini në parlament. Kjo ka qenë përgjigja ime. Tani vendos parlamenti, të jetë fare i lirë parlamenti...”, vijoi Berisha

Ai nënvizoi sërish se do të zbatojë vendimin edhe pse në këndvështrimin e tij është i paligjshëm.

“Në këtë kontekst, nëse parlamenti pranon këtë vendim të paligjshëm të bazuar edhe ky mbi një vendim antikushtetues të paligjshëm është përgjegjësia e tij. Unë do të përputhem me veprimet e gjyqësorit.

Përsa i përket opozitës të garantoj se asgjë nuk e ndalon dot betejën e saj pa kthim gjer në fitore. Ajo do të zhvillohet në çdo skaj dhe shqiptarët e shohin këtë si një përpjekje tjetër për të dëmtuar opozitën dhe për ta ç’aktivizuar atë.  Por e kundërta do të ndodhë. Ky është një frymëzim për opozitën. Ky akt që ndërmerret kundër meje, është një frymëzim dhe kushtrim i ri për opozitën. Në këtë kontekst ndihem më i motivuar se kurrë...”, tha ai


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë