Ne rrjet

Kërcënon Serbia: Do të pushtojmë sërish Kosovën!

Formimi i Ushtrisë së Kosovës ka xhindosur Serbinë, e cila ka kërcënuar për herë të dytë se do të ndërhyjë ushtarakisht në Kosovë dhe se do ta shpallë “territor të pushtuar”.

Pasi Prishtina zyrtare miratoi formimin e ushtrisë, Serbia ka biseduar për mundësinë e një ndërhyrjeje të armatosur në Kosovë. Beogradi e quajti formimin e ushtrisë së Kosovës një "kërcënim të drejtpërdrejtë për paqen dhe stabilitetin në rajon".   

Serbia këmbëngul se ushtria e re shkel rezolutën e OKB-së që i dha fund luftës së përgjakshme të Kosovës për pavarësi. Të shtunën Beogradi zyrtar ka paralajmëruar hapur se mund të përgjigjet me një ndërhyrje të armatosur në Kosovë.

Lajmi u bë i ditur nga Kryeministrja serbe, Ana Brnabić, e cila tha se kjo ishte "një nga opsionet në tryezë". Presidenti Aleksandër Vuçiç vizitoi të premten trupat serbe në kufirin me Kosovën. Nikola Selakoviç, një këshilltar i Vuçiç, tha se Serbia mund të dërgonte forca të armatosura ose ta shpallte Kosovën një "territor të pushtuar". 

Members of Kosovo's security forces parade a day before parliament's vote on whether to form a national army, in Pristina, Kosovo, December 13, 2018. REUTERS/Laura Hasani

Ndërkohë Ministri i jashtëm, Ivica Daçiç tha se Serbia do të kërkonte një seancë urgjente të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Në Kosovën veriore, udhëheqësi serb Goran Rakiç tha se ushtria e re ishte "e papranueshme" dhe se sipas tij, "kjo tregonte qartë se Prishtina nuk dëshiron paqe".

Rakiç u kërkoi serbëve në Kosovë të tregojnë "vetëpërmbajtje dhe të mos reagojnë ndaj provokimeve". Në shenjë kundërshtimi, serbët në veri u shfaqën me flamuj serbë në rrugë, të cilat i vendosën më pas në ballkone.

Paqeruajtësit e NATO-s janë të vendosur në qytetin e Mitrovicës. Çdo ndërhyrje e armatosur serbe në Kosovë do të nënkuptonte një konfrontim të drejtpërdrejtë me mijëra paqeruajtësit e NATO-s, përfshirë edhe ushtarët amerikanë, të cilët janë vendosur në Kosovë që nga viti 1999.

Vuçiç falënderoi ndërkaq Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg dhe zyrën e shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Europian, Federica Mogherini, që shprehën kundërshtimin e tyre ndaj mënyrës së votimit të ushtrisë.

Beogradi pretendon se ushtria e Kosovës mund të përdoret kundër pakicës serbe në veriun e Kosovës, por autoritetet në Prishtinë kanë bërë të qartë se ushtria është e të gjithëve dhe kurrë nuk do të përdoret kundër qytetarëve të saj.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se ushtria do të jetë partnere edhe me ushtrinë e Serbisë, ndërsa ritheksoi gatishmërinë për një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve.

Ai bëri thirrje për një konsensus në shkallë të gjerë për këtë proces, që duhet të përmbyllet “duke respektuar kushtetutën, sovranitetin dhe integritetin e vendit”.

Forca e Sigurisë së Kosovës e cila do të vazhdojë më emrin e njëjtë, pritet të ketë 5 mijë trupa aktivë dhe 3 mijë rezervë, të armatosur lehtë. Votimi u cilësua historik nga përfaqësuesit politikë të Kosovës por edhe ambasadori amerikan, Philip Kosnett.

Votimi u mbështet nga Britania e Madhe por edhe Gjermania e Franca, që ritheksuan kërkesën që Kosova t’i ripërkushtohet procesit të bisedimeve.

Gjenerali Kadri Kastrati, ish-komandant i Forcës së Sigurisë, i tha Zërit të Amerikës se sfidë për konsolidimin e ushtrisë së Kosovës do të jetë mungesa e përvojës, meqë Prishtina nuk ka pasur më herët ushtri.

“Presim që NATO-ja dhe partneri jonë kryesor strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të na ndihmojnë, të na këshillojnë dhe të na mbështesin në rrugëtimin tonë drejt arritjes së standardeve, qëllimeve, drejt arritjes së misionit tonë që do të jetë për ta mbrojtur territorin e Kosovës, për ta mbështetur NATO-n nëse ka nevojë në të ardhmen, për t’i mbështetur autoritetet civile dhe lokale dhe për të mbrojtur pronën dhe qytetarët e Republikës së Kosovës”, thotë ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë