Njerez

Kelmend Lutfia, një kampion i shumë sporteve, por edhe kundër kancerit

“Mes asaj që të sjell jeta dhe asaj që t’i do të bësh, gjithmonë ia del ajo që do”...
Ky është edhe rasti i Kelmend Lutfisë, një “airman” jo vetëm në disiplinën e sportit por edhe në jetën e tij.
Lutfia tashmë në moshën 68 vjeç, ka qenë atlet kampion dhe rekordmen në 10 garësh, 110 metra me pengesa dhe triathlon, si dhe mësues në përgatitjen e sportistëve të rinj. Ai tregoi për Gazetasi.al se në një moment të papritur kur po punonte normalisht si trajner personal në qytetin e Stambollit, zbuloi se kishte kancer në fshikëzën e urinës.

A e dëmtonte kjo gjë një sportist? Pa dyshim që po!
Lutfia ka një jetë ku mes titujsh dhe pjesëmarrjesh në gara e tregon se ka vepruar dhe jetuar me filozofinë se “njeriu duhet të ecë me objektiva dhe t’i arrijë ato”. Ai tregon se vargu i gjatë i çmimeve dhe fitoreve ka nisur që në vitet '70 kur doli kampion atletike.
“Sëmundjen e mora vesh para 5 viteve, kur po përgatitesha për të shkuar në Francë për garën e “airman”. Pas stërvitjes urinova gjak dhe kur fola me një shok që kisha mjek më tha se mund të kisha gur në veshka. Më pas shkova për të bërë analizat e gjakut. Nuk doli asgjë dhe u detyrova të bëja eko. Më doli një masë në fshikëzën e urinës, rreth 2.7 centimetra. Në ato momente u shokova, por e mora veten shpejtë dhe më pas u futa në operacion për të hequr masën”, tregon Lutfia për Gazetasi.al.

Ai shprehet se në këtë periudhë të jetës kishte mbetur mes sëmundjes dhe profesionit të tij. Lutfia shton se pas operacionit dhe qëndrimit një ditë në spital duhet të shkonte në Francë për garën. Mjekët e kishin këshilluar të mos shkonte, por siç thotë Lutfia “kisha një objektivë për të plotësuar”.
Kanceri në fshikëzën e urinës nuk e ndaloi as për këtë garë, por as edhe për tre gara të tjera që i kishte kryer përpara operacionit të dytë ku mjekët i kishin vendosur një qese mbajtëse për urinën, pasi kanceri i kishte prekur edhe muret e fshikëzës.
“Ju thashë mjekëve që kam dhe nja tre gara për të bërë, a ti bëj dhe ato tre garat dhe pastaj të bëj operacionin. I bëra garat (not, vrap, biçikletë) dhe fitova vendin e tretë”, tregon Lutfia duke qeshur.
Ai tregon se kanceri e ka shqetësuar por nuk e ka trembur. Sipas tij që në momentin që mësoi për të e cilësoi si një konkurrent të ri me të cilin do të përballej çdo ditë.

“Të nesërm u ngrita dhe fillova stërvitjen rehabilituese. Ai mund të fitoj por as nuk dorëzohem dhe as nuk shes mend që do ta mund. Unë vetëm kujdesem shumë dhe nuk e kam problem të tregoj sëmundjen time. Ka vështirësitë e veta sepse qesja duhet pastruar herë pas here, por që u mësova. Ka 5 vite që jetoj me atë”, shtoi sportisti 68-vjeçar.
Lutfia tregon se kur ka qenë i vogël ishte i përqendruar tek artet por në moshën 11 vjeçare zbuloi talentin dhe pasionin e madh për sportin. Ai e ka nisur me atletikën sepse gjithmonë ka qenë i prirur për sportet individuale.
“Ça do mbjellësh do korrësh me veten time, për mirë apo për keq i kam me veten time”, shton ai.

Duke u mbështetur në tre parimet bazë të sportit si vazhdueshmëria, gradualiteti dhe individualiteti, Lutfia thotë për Gazetasi.al se asnjë ditë të vetme, edhe pas sëmundjes nuk e ka lënë pas stërvitjen. Asgjë nuk ka ndikuar në marrëdhënien e tij me sportet, as kanceri dhe as pandemia.
“Gjatë pandemisë unë u dobësova dhe arrita në peshën dhe parametrat kur kam qenë 17 vjeç”, tregon kampioni i cili kohët e fundit ka marrë çmimin “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti i Republikës.
Vendosshmëria ka nisur së bashku me pasionin për punën që bënte, e puna e tij me veten kishte nisur shumë herët, për ta ndryshuar një sëmundje.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë