Treg

KE u jep mijëra euro fermerëve. Në Shqipëri ata gjobiten

Komisioni Europian për Bujqësi ka bërë publike një tjetër paketë mbështetëse për sektorët e bujqësisë për t'i shpëtuar nga kriza që ka shkaktuar koronavirusi.

KE për Bujqësinë ka propozuar një mbështetje prej 5000 eurosh për fermerët dhe deri në 50 mijë euro për çdo ndërrmarrje bujqësore.

Komisioneri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Janusz Wojciechowski është shprehur  se vendimmarrja ka vepruar me shpejtësi për të mbështetur fermerët dhe të gjithë ata që kanë nevojë në këtë sektor.

Fermerë në fshatin Vishnje afër Tiranës

“Ne kemi vepruar me shpejtësi që të kemi të gjitha masat e nevojshme në dispozicion sa më shpejt që të jetë e mundur për të mbështetur fermerët dhe ata që kanë nevojë. Disa tregje bujqësore dhe ushqimore janë goditur fort nga kriza. Kjo paketë dhe masat e mëparshme mbështetëse tregojnë se Komisioni është i gatshëm të veprojë ashtu siç e kërkon situata. Ne do të vazhdojmë të monitorojmë situatën në kontakt të ngushtë me palët e interesuara,” ka thënë Wojciechowski.

Kurse në Shqipëri thotë veterineri dhe sipërmarrës në fushën e bujqësisë Ervin Resuli, veterinerët dhe fermerët gjobiten “se për t’u mbështetur nuk bëhet fjalë”.

“Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural premtoi se 2020 do ishte ndryshe dhe kërkesat e fermerëve do të realizoheshin, një premtim që u dha sy më sy nga Ministri Bledi Çuçi dhe Zv.Ministri  DhimoKote. Po ku jemi sot ?”- pyet Resuli duke u përgjigjur po vetë se çfarë ka ofruar Ministria e Bujqësisë për këtë vit për fermerët:

"1- Subvencionime lëmoshe skema kombëtare për 2020 vetëm 5 milion euro, nga 25 që e ka Kosova.
2- Fondi i garancisë që në rast fatkeqësie natyrore s’u realizua kurrë për 2020 dhe s’u ekzekutua megjithëse jemi në një fatkeqësi natyrore kombëtare, Fermerët nuk bëjnë pjesë në mbështejtjen e qeverisë për Covid-19!
3- Heqja e TVSH-së një barrë që fermerët s’po e mbajnë dot në qafë, premtim i pambajtur".

Përpos kësaj - vëren Resuli - gjatë izolimit të paktën 60% e fermerëve janë ndaluar të paktën 1 herë nga policia e shtetit dhe jo më pak se 5% kanë marrë masa administrative deri 50 mijë lekë gjobë, që më pas janë falur.

“Por qeveria duhet të kuptojë që presioni psikologjik  dhe rrezikshmëria për kanosje  me gjobë apo burg i  ka stepur ata të jenë aktivë”- thotë Resuli.

Ai bën me dije se fermerët nuk ndalen për të kërkuar të drejtën e tyre dhe shumë shpejt do të nisin protestat.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë