Mendim

Katastrofa elektorale e opozitës është e pazakontë

Nga Agron Gjekmarkaj - Katastrofa elektorale e opozitës është e pazakontë në permasa deri në kufijtë e asgjesimit por jo e pa paralajmëruar. Kryeqyteti, qytetet e mëdha, Shkodra, bastionet ranë të gjitha një e nga një.

Marrëzia dhe poshtërsia krah për krah u serviren si shpresë si alternative si fitore kur në fakt me zhurmën si teneqe rrugëve kishin në ballë humbjen dhe shkatërrimin.

Tek dhuna e fjalës gjeje mungesën e fisnikërisë. Zhgënjimi është i madh zemërimi po kaq. Gjuetia për fajtorë  jashte vetes s’ka asnjë vlerë, nuk shëron askënd. Në një hartë të tillë ndëshkimi nuk ka dobi të akuzosh kundërshtarin do të ishte insistim në marrëzi.

Duhet kërkuar gjithçka tek vetja, tek vetëshkaterrimi për interesa personale, tek shkolla politike, tek dominimi i së vjetrës, tek gjuha antiperendimore, tek të njëjtët që vërtiten në oborr pa mirësinë për t’u hapur vend të rinjëve dhe të rinjtë pa kurajo për t'u rebeluar, duhet kërkuar pergjegjësia tek Sali Berisha dhe Lulzim Basha e tek secili prej nesh që nuk u dolëm ballazi sa duhet e kur duhej vit pas viti.

Partia domen i bën me faj të gjithë aksionerët e PD-së shumë më tepër trupën e saj politike.

Nje degradim i tillë nuk është meritë negative vetëm e dy personave por e kujtëdo që lejoji këtë mentalitet të shndërrohej në rregull.

Kjo fundosje nuk është e një viti ajo ka rrënjë të thella. Ngjarjet e kësaj kohe, çarja, përçarja, egërsia e gjuhës, thyerja me SHBA, përdormi i njerzve si të ishin turma pa shpirt, paftësia për të rigjeneruar ide, krijuan dritare të shumta ku secili mund të shihte tragjedinë e opozitës e ndarë në “Foltore” e “Vulë”, të dyja të pandershme, e para në revansh, e dyta në mbrojtje në paaftësi për të ndërtuar konceptin e një opozite të re mospërdoruese  e një vule që i ra sipër si rrasë varri.

Deputetët janë produkte të votës, unë njëri prej tyre. Nuk e besoja kurrë që të mpihesha, të rrotullohesha mes dilemash, si mijëra të tjerë të djathtë shqiptarë, të nisesha e të kthehesha, të mos votoja produktet e një procesi fëmijë të përdhunimit dhe gjuhës kundër SHBA dhe Perëndimit, të strehuar tek sigla e Ilir Metës kaq shumë të akuzuar prej tyre  e po kaq nga kundërshtarët për të kaluarën, të refuzoja paaftësinë e vulës për t’i dhënë vendit  dhe opozitës një model të ri, kandidat dinjitoz.

Kjo nuk ka të bëjë me Pashk Gjonin i cili mbetet një person i denjë për respekt si qytetar e si mjek që në plan individual do e merrte votën time.

Po pluralizmi është në rrezik sepse ne si opozitë po vetëvritemi. Shoqëria po ecën me shpejtësi, ne nuk po dimë ta lexojmë atë. Vendi ka nevojë për një opozitë të re pa humbur mbështetesit e së vjetrës. Opozita duhet të rithemelohet, Foltorja me revanshin e saj dhe Vula me skuthërinë e vet duhet ta ulin siparin. Kjo nuk bëhet me fytyrat si shollë kundret qe as nuk skuqen e as nuk zverdhen, duhet të vendosë qëllimet e veta në kontekstin e modernitetit shqiptar, duhet të çlirohet nga varrmihësit e saj të vjetër apo të rinj, duhet të rivendosë miqëesinë dhe dialogun me SHBA-në ndryshe fatkeqësitë nuk do të na ndahen deri në pikën që tragjikja të shndërrohet në komike.

Jemi afër kësaj pike. U mund “opozita e vërtetë” shumë më teper se “opozita e shitur”. Por janë mundur të dyja. Njerzit duhet të protestojnë që sharlatanët të ikin nga opozita. Pasi të na bjerë zemërimi duhet t’i kthehemi arsyes, tolerancës përkufizimit të një vizioni që i rikthen vendit pluralizmin, demokracisë ekuilibrin, Shqipërisë një alternativë. Çdo qasje tjetër ka vetëm një horizont asgjësimin që i shpie individët një nga një të bëjnë mënjanë si fëmijë që nuk rrinë dot pa e thënë “Mbreti është lakuriq”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë