Libra

Kadare nuk e pret më Nobelin

Hera e fundit që Kadare do të fliste, ose më saktë nuk do të pranonte ta bënte,  ishte përmes një telefonate në maj, kur i pyetur për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar  tha se nuk donte ta ngatërronin me atë punë në një kohë kur edhe me shëndet nuk qe aq mirë.

Ndërsa me ardhjen e tetorit, zërat e shqiptarëve që shpresojnë që Akademia Suedeze ta nderojë më në fund me Nobelin e Letërsisë gumëzhijnë, vetë shkrimtari 84 –vjeçar i nderuar së fundi me çmimin “Neustad” që njihet edhe një lloj zëvendësuesi amerikan i Nobelit, prej tre vitesh nuk e pret më atë.

Këtë vit, Akademia Suedeze zgjodhi të laureojë poeten amerikane Louise Gluck, ndërsa një vit më parë u fshikullua nga kritikat me shkrimtarin kontrovers, mik personal i Millosheviçit, Peter Handke.

Ndërsa në 48 vite të “Neustad”, 32 laureatë të saj kanë fituar më pas Nobelin, bashkëshortja e shkrimtarit, Helena do të zbulonte dje për gazetarët ndërsa dhe vetë verësohej me mirënjohje  nga Qendra Kombëtare e Librit dhe e Leximit, se Kadare nuk pret më të reja nga Suedia.

Shkrimtarja Helena Kadare, vlerësohet me mirënjohje nga QKLL

“Ka tre vite që nuk e presim më Nobelin, sepse për 30 vite, kudo që ishim na merrnin gazetarët nga e gjithë bota dhe na pyesnin, ku do të jetë zoti Kadare, në orën 13:00, sepse kjo ishte ora kur jepej çmimi”, u shpreh shkrimtarja Helena Kadare, duke kujtuar ritualin prej vitit 1990, kur çifti lanë Tiranën për t’u shpërngulur në Paris, ku shkrimtari kishte vajtur më përpara përmes veprave të tij të përkthyera në gjuhën frënge e tanimë në më shumë se 45 të tilla.

Kishte gazetarë nga Tirana dhe e gjithë bota  që shkonin në shtëpinë e tyre në Paris dhe prisnin orën e shpalljes së Nobelit të Letërsisë dhe telefoni nuk u pushonte së rëni.“Ka tre vite që sinqerisht nuk e presim. Për mua dhe shumë dashamirës të Ismailit, mendojmë se duhej ta merrte prej kohësh. Nuk e ka marrë. Por nuk është ndonjë kujë. Do të ishte shumë mirë për vendin tonë”, do të thoshte Helena Kadare, e vlerësuar dje për karrierën e saj në letërsi, ku së fundi iu paraqit lexuesit me librin “Kohë e pamjaftueshme”, një libër ku ajo fton në intimitetin e jetës në krah të shkrimtarit të madh, duke zbuluar edhe disa prej tradhtive të bashkëshortit dhe ulje-ngritjet e një çifti.

Helena do të zbulonte se shkrimtari nuk kishte asnjë projekt letrar në dorë, aktualisht. I fundit ishte libri eseistik “Kur Sunduesit Grinden”, ku shkrimtari mëton të futet brenda misterit të telefonatës tri minutash mes Stalinit dhe shkrimtarit rus Boris Pasternak. “Kam sajuar këtu edhe sunduesit e tjerë, që janë sunduesit shpirtërorë, shkrimtarët. Ështënjë grindje midis Stalinit dhe Pastërnaku, por aq e ngatërruar është sa ka një shekull që nuk zbërthehet tamam”, thoshte ai për mediat më nëntor të 2018-s, ku qe vetë i pranishëm në përurimin e librit dhe nënshkruante autografe për breza të tërë lexuesish, në stendën e “Onufrit”, botuesit të tij të gjithhershëm në shqip.

“Jo nuk ka asgjë në dorë tani, dhe unë për t’ia lehtësuar, i them që gjithçka e ke shkruar, mos u mërzit që nuk po shkruan më”, rrëfente Helena, e cila dy vjet më parë, në krah të të shoqit gjatë përurimit të librit thoshte se “Kur sunduesit grinden” kishte qenë ndoshta më i vështiri që pat shkruar në karrierën e tij. Në një mënyrë, shkrimtari paralelizonte me shembujt e Stalinit dhe Pasternakut- që refuzoi Nobelin për shkak të diktatorit të vendit të tij-, marrëdhënien e tij me diktatorin  Hoxha, si një përgjigje për të gjithë kritikët që e akuzuan për pozicion të  privilegjuar gjatë regjimit. “Ka qenë raport që ai e ka përjetuar edhe vetë. Jo vetëm për vete, por edhe  shkrimtarë të shquar shqiptarë siç është Lasgushi, çfarë raporti ka pasur me sunduesin tonë”,  thoshte Helena Kadare.

“Nga intelektualët kërkohen shumë gjëra, kërkohen me të drejtë, kërkohen pa të drejtë. Disa e nënçmojnë rolin e tyre, disa e mbiçmojnë”, thoshte Ismail Kadare në një intervistë të para ca viteve, ndërsa e shihte si fisnike kërkesën e popujve të lodhur nga burokratët e pashpirt, zyrtarët shterpë e të egër, të drejtoheshin nga njerëz të kulturës, letërsisë e filozofisë.

“Për mendimin tim intelektualët, e sidomos shkrimtarët, kanë një rol për të luajtur dhe natyrisht në Europën Qendrore, në Europën e dalë nga komunizmi, për t’i afruar këta popuj, që kanë dëshirë të afrohen me Europën. Letërsia dhe artet kanë mundësinë më të madhe për t’i afruar.  Për  shembull Shqipëria ishte vendi më i mjerë, më i izoluar, nuk ka njohur historia e Europës një vend të izoluar në mënyrë kaq kriminale siç ka qenë Shqipëria, me tepër se Bullgaria, Rumania e çdo vend tjetër, e megjithatë shikoni, se rreth viteve 70-të librat e mi, pra letërsia shqipe e çau e para rrethimin dhe u bë e pranishme në botën perëndimore”, shprehej shkrimtari.

Helena dhe Ismail Kadare

Sikur ta ndjente edhe njëherë të shpjegohej për antikomunizmin e të shoqit, Helena do të kujtonte fjalët e kritikut francez Stéphane Courtois, i cili pasi pat lexuar “Koncert në fund të dimrit”,  qe shprehur se nuk kishte lexuar libër më antikomunist se ai.“Në Shqipëri ka të tjerë që kanë tjetër mendim”, thoshte Helena Kadare, e cila krahas rolit të bashkëshortes dhe karrierës së saj si shkrimtare qe shpesh redaktorja e librave të të shoqit dhe ia pat shtypur në Paris, pasi asnjë tjetër nga të njohurit e tyre atje nuk dinte shqip.

Helena do të kujtonte edhe jetën para Parisit, atje në apartamentin në pallatin e  projektuar nga Maks Velo, në rrugën e Dibrës- sot shtëpia-muze Kadare- ku shkrimtari ulej në makinën e shkrimit, pranë oxhakut të ndezur ku i dukej vetja “njeriu më i lumtur në botë” dhe shkruante çdo ditë.

Megjithëse nuk ka shkruar një vepër të re këto kohë, Kadare do të flasë më 21 tetor, kur në ambasadën  e ShBA-së  në Tiranë do të nderohet me çmimin “Neustad” , i cili si pasardhës i Orwell dhe Kafkës – siç shkruhet në motivacion – vepra e tij është sa imagjinare, aq edhe filozofike. Ky çmim i bashkohet në raftin e vlerësimeve dhe trofeve krahas “Man Booker Prize”, “Princi i Asturias” apo “Jerusalem”  dhe Nobelit të munguar të shkrimtarit, i shquar si një prej më të rëndësishmëve të Europës, i cili pjesën më të madhe të opusit e shkroi nën diktaturë...


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë