Trend

Joga po bëhet pjesë e aktiviteteve të fëmijëve shqiptarë

Nga Gazeta "Si"- Deri para pak kohësh joga ishte një aktivitet që e ndiqnin të rriturit dhe duhet thënë se në vendin tonë nuk është shumë e përhapur. Por, kohët e fundit është vënë re një trend ku pjesë të jogës janë bërë edhe fëmijët.

Jola Xharo, fizioterapiste dhe instruktore joge për fëmijë thotë për Gazetasi.al se një pjesë e madhe e prindërve janë të vetëdijshëm për benefitet që sjell Joga dhe “së fundmi edhe për ndikimin që ajo ka te fëmijët”.

Sa e nevojshme është joga për fëmijët në Shqipëri?

Xharo thotë se joga në vendin tonë dhe kudo, është një domosdoshmëri, sidomos në këtë periudhë që po jetojmë. Fëmijët janë shumë të lidhur me telefonin dhe pajisje të ngjashme. Pastaj është edhe izolimi nga pandemia dhe pasojat që la, të cilat ndjehen ende në ditët e sotme.

“Fëmijët kanë qenë për një kohë të gjatë në ambientet e shtëpive, para ekraneve, telefonave dhe janë shumë të ngarkuar psikologjikisht dhe emocionalisht. Ndërkohë joga është një disiplinë që të ofron një mirëqenie fizike, psikike, emocionale dhe shpirtërore”, thotë Xharo.

Ajo tregon se mosha e fëmijëve që ndjekin joga varion nga 2 vjeç deri në 14 vjeç ku mbizotëron më shumë mosha 4,5 vjeç deri në 8 vjeç, një moshë e cila arrin të përqendrohet mjaftueshëm dhe të realizojë një seancë të mirëfilltë joge.

Seanca e Jogës kalon në disa etapa: Nxehja, teknika frymëmarrje, poza joge, teknika relaksimi dhe lojëra joge dhe çdo seancë është e përshtatur sipas grupmoshës dhe taktikës së përzgjedhur.

Një punë në ‘përqafimin’ e jogës po bëjnë edhe kopshtet me të cilat Xharo bashkëpunon, duke i futur klasat e jogës në programin dhe kurrikulat e tyre.

Janë disa kopshte private në Tiranë që tashmë kanë bërë pjesë të aktiviteteve të tyre edhe jogën.

“Kur prindërve iu prezantohet programi i Joga Class i përgatitur prej meje, shumica janë skeptike, iu duket si diçka " e mërzitshme", por sapo shohin seancën e parë dhe kuptojnë se çfarë realisht bëhet gjatë një seance joge, janë të lumtur dhe të kënaqur”.

Xharo thotë se edhe fëmijët kanë filluar të ndërgjegjësohen për benefitet që sjell joga.

Në studion e instruktores ka fëmijë që praktikojnë joga bashkë me prindërit. Ka fëmijë që shkojnë për joga sepse duan të bëhen si mami i tyre që e praktikon. Ka nga ata fëmijë që shkojnë të shtyrë nga prindërit, e fillojnë me pak "detyrim" praktikimin e jogës, “por më pas e vazhdojnë sepse e adhurojnë jogën”.

Xharo në profesion është fizioterapiste për fëmijë dhe ka mbi 7 vite që e praktikon. Prej gati 2 vitesh është certifikuar edhe si instruktore joge vetëm për fëmijë dhe, në një studim që ka bërë në studion e saj pasi ka kombinuar jogën me seancat e fizioterapisë ka dalë në përfundimin se fëmijët e trajtuar me një kombinim "Terapi fizike plus joga" kishin rezultate më të shpejta, fëmijët ishin më të lumtur dhe shkonin me më shumë dëshirë në terapi.

“Joga dhe fizioterapia ndihmojnë njëra-tjetrën”.

Benefitet e jogës janë të shumta:

-Përmirëson tonusin muskular

- Rrit lëvizshmërinë

-Rrit fleksibilitetin

-Rrit koordinimin

-Rrit balancën

-Rrit përqendrimin

-Ul ankthin, stresin etj.

Xharo shprehet se do të donte që joga të përfshihet si lëndë mësimore në shkolla pasi jo vetëm që fëmijët e pëlqejnë, por është një mënyrë për t'i ndihmuar me anë të një aktiviteti tërheqës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë