Opinion

Javier Solana: OKB, rihapja e Fabrikës së Paqes

Disa i konsiderojnë Kombet e  Bashkuara si një nga arritjet më të mëdha të të ashtuquajturit rend ndërkombëtar liberal që u krijua në fund të Luftës së Dytë Botërore, ndërsa të tjerët argumentojnë se organizata nuk ka qenë kurrë shumë liberale, ndërkombëtare ose e rregulluar. Të dy pozicionet janë bërë klishe, por e dyta është më afër së vërtetës.

Sperry Corporation ishte një prodhues amerikan i pjesëve  elektronike, pajisjeve të teknologjisë së informacionit dhe sistemeve të mbrojtjes që përftuan  kontrata fitimprurëse të armatimit të qeverisë pasi Shtetet e Bashkuara hynë në Luftën e Dytë Botërore. Kur firma zvogëloi prodhimin e saj pas luftës, një pjesë e madhe e vendit të saj të prodhimit në Lake Success, Nju Jork, nuk u përdor më dhe u bë e disponueshme për qiramarrës të  mundshëm.

Kjo është mënyra se si, përpara se të lëvizte në vendin aktual në brigjet e Lumit Lindor, Kombet e Bashkuara të sapo  krijuara përdorën  një fabrikë të konvertuar armësh nga 1946 deri në 1952 si selinë e  dytë, të  përkohshme. Në  fillim, vendndodhja mund të dukej e papërshtatshme për një organizatë të themeluar për të promovuar paqen dhe bashkëpunimin ndërkombëtar, por ç’simbol më të  mirë mund të kishte për epokën e pasluftës? Një vend që dikur prodhonte  armë lufte,  tani quhej “fabrika e paqes”.

Sot, OKB po feston 75 vjetorin e me një ngjarje që, në mënyrë të pashmangshme, do të zhvillohet kryesisht në një format virtual për shkak të COVID-19. Ky përkujtim i paraprin hapjes së Asamblesë së Përgjithshme vjetore të OKB-së, e cila për herë të parë nuk do të sjellë së bashku udhëheqës botërorë në Nju Jork.

“Pothuajse të gjitha kombet respektojnë pothuajse të gjitha parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe pothuajse të gjitha detyrimet e tyre,  pothuajse gjatë gjithë kohës”, Louis Henkin

Sado pa shkëlqim të jetë ky përvjetor, do të ishte e padrejtë të mos shfrytëzohet mundësia për të nënvizuar rëndësinë historike të OKB-së. Ne gjithashtu duhet të vlerësojmë aftësinë e organizatës për të galvanizuar vendet anëtare në trajtimin e sfidave globale – të tilla si varfëria dhe ndryshimi i klimës – përmes iniciativave të jashtëzakonshme, duke përfshirë Synimet e Zhvillimit të Mijëvjeçarit dhe pasardhësit e tyre, Qëllimet e Zhvillimit të Qëndrueshëm. Pavarësisht nga shumë papërsosmëritë dhe limitet  e OKB-së, nuk ka dyshim se bota do të ishte shumë më keq pa të.

Por ne nuk do t’i  bënim asnjë favor OKB-së duke shpërfillur të metat që e kanë penguar atë të përmbushë potencialin e saj dhe të funksionojë si një “fabrikë e vërtetë e paqes”. Organizata ka vuajtur qysh prej  fillimeve të saj nga epërsia e interesave gjeopolitike (Lufta e Ftohtë u shfaq menjëherë pas vitit 1945) dhe nga çekuilibrat e thellë të gdhendur në modelin e saj institucional. Këto janë më të theksuara në Këshillin e Sigurimit, i cili shpesh është dënuar me mosveprim nga të drejtat e vetos së pesë anëtarëve të tij të përhershëm.

Disa e konsiderojnë OKB-në si një nga emblemat më të mëdha të të ashtuquajturit rend ndërkombëtar liberal, që u krijua në fund të Luftës së Dytë Botërore. Të tjerët kundërshtojnë se 75 vitet që nga themelimi i OKB-së nuk kanë qenë edhe aq liberale, ndërkombëtare ose me rend. Të dy pozicionet janë bërë klishe, por e dyta është më afër së vërtetës Javier Solana

Pas periudhës së shkurtër të unipolaritetit të SHBA-së,  që nisi me rënien e Murit të Berlinit në 1989, konkurrenca e fuqisë së madhe është rikthyer, këtë herë me Kinën dhe Amerikën si protagonistët kryesorë. Në disa aspekte, kjo garë evokon episode të ngjashme në të kaluarën, por në shumë të tjera, ajo ka evoluar në një mënyrë të veçantë. Nën Presidentin Donald Trump, SH.B.A.-të janë fiksuar duke kontrolluar ngritjen e Kinës ndërsa u kthejnë shpinën shumë aleatëve të saj tradicionalë dhe organizatave shumëpalëshe, krijimin e të cilave ajo udhëhoqi me vendosmëri.

Në mënyrë ironike, Trump lindi në Nju Jork,  vetëm dy muaj para se OKB të instalohej në Lake Success. Administrata e tij dhe politikat e saj “Amerika e Para” kanë tronditur themelet e OKB-së dhe e kanë zhytur atë në një nga krizat e saj më të thella,  deri më tani. Trump madje ka treguar një përbuzje kapriçioze për të drejtën ndërkombëtare, e pasqyruar në vendimin e tij për të tërhequr SHBA-në  nga marrëveshja bërthamore  e 2015-s  me Iranin –i  njohur zyrtarisht si Plani i Përbashkët i Përgjithshëm i Veprimit (JCPOA) – i cili u miratua atë vit nga një rezolutë unanime e  Këshillit të Sigurimit. Madhësia e kësaj pakuptimësie ka qenë e tillë që,  SHBA kanë vendosur sanksione kundër të gjitha vendeve që janë duke përmbushur detyrën e tyre për të respektuar rezolutën.

Siç vërejti studiuesi juridik amerikan Louis Henkin në vitin 1968, “pothuajse të gjitha kombet respektojnë pothuajse të gjitha parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe pothuajse të gjitha detyrimet e tyre,  pothuajse gjatë gjithë kohës”. Edhe pse ka arsye të mira historike  ta shohësh këtë gotë gjysmë të mbushur, nuk duhet të nënvlerësojmë rreziqet që mund të sjellë një rrymë përshpejtuese e veprimeve arbitrare.

Shenja e fundit alarmuese është përpjekja e qeverisë britanike për të shmangur disa nga kushtet e marrëveshjes së saj të tërheqjes me Bashkimin Europian – dhe kështu “të thyejë ligjin ndërkombëtar në një mënyrë shumë specifike dhe të kufizuar”, siç pranoi sekretari i Irlandës së Veriut, Brandon Lewis. Kur anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit përfshihen në një sjellje të tillë të pamatur, pasojat e mundshme janë veçanërisht serioze.

Një peizazh gjeopolitik më anarkik, në të cilin qeveritë kombëtare  i zbresin organizatat ndërkombëtare në një rol mbetjesh  dhe përbuzin edhe parimet më themelore të bashkëjetesës midis shteteve kombëtare, do të përfitojnë vetëm ata që specializohen në shfrytëzimin e kaosit. Ne atëherë do të jetonim në një botë të ekspansionizmit territorial, ndërhyrjes së pajustifikuar në punët e brendshme të shteteve të tjera, sulmeve masive kibernetike në infrastrukturën strategjike, spiunimit të papërmbajtur dhe përdorimit të pandëshkuar të substancave kimike dhe mjeteve të tjera të paligjshme për të frikësuar apo edhe eliminuar kundërshtarët politikë. Kjo është pikërisht lloji i sjelljes që OKB-ja  u krijua për të parandaluar.

Disa do të tregojnë se bota nuk ka arritur të ndalojë një sjellje të tillë më parë dhe me të vërtetë vetë historia e OKB-së është plot me aspirata të paplotësuara. Por askush nuk mund të mos shohë që çarjet e mëparshme në rendin ndërkombëtar,  kohët e fundit janë zgjeruar.

Ndryshimi i këtyre dinamikave të pafavorshme është ende i mundur, por do të kërkojë një udhëheqje ndërkombëtare të guximshme, të përgjegjshme dhe të ndershme. Homazhi më i mirë për 75 vitet e OKB-së  dhe sa për frymën konstruktive të diplomatëve të parë të fabrikës së paqes, do të ishte kthimi i organizatës në një parapet të besueshëm,  nga i cili do të përballesh me konvulsionet që mund të presim në shekullin 21. Tani për tani, për fat të keq, kjo mbetet një perspektivë e largët.

*Javier Solana, ish-Përfaqësues i Lartë i BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s dhe ministër i Jashtëm i Spanjës, aktualisht është president i EsadeGeo – Qendra për Ekonomi Globale dhe Gjeopolitikë dhe Anëtar i Dalluar në Institutin Brookings. / Marrë nga Project Syndicate


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë