Ne rrjet

Italianët po i rikthehen nacionalizmit!

Një nga librat më të shitur në Itali është momentalisht një roman i bazuar në jetën e Benito Musolinit, diktatorit italian që krijoi fashizmin. "M" nga Antonio Scurati duket se do të jetë libri i parë i një trilogjie të frikshme që synon të “zbërthejë” diktatorin. Ndonëse janë vërejtur disa pasaktësi historike, romani e kap mirë shpirtin e kohës së trazuar në të cilën Musolini erdhi në pushtet.

Gjithashtu, ai portretizon një njeri i cili, kur erdhi në pushtet kishte një energji të jashtëzakonshme për të kontrolluar burokracinë italiane. Në veçanti, Musolini u përpoq të balanconte buxhetin, jo sepse i pëlqente qasja liberale e shekullit të 19-të ndaj financave publike, por sepse dëshironte që vendi i tij të kishte pavarësi nga sfera ndërkombëtare. Ai ishte i vendosur të bëntë Italinë “madhështore” sërish.

Romani i Scuratit mund të lexohet si një paralajmërim në kohën e duhur në një vend ku konventat e demokracisë parlamentare sulmohen ditë pas dite nga dy partitë populiste në pushtet. Tezat për rikthimin e fashizmit janë të ekzagjeruara, por megjithatë, nuk mund të mohohet se politika italiane po merr një fytyrë nacionaliste, për herë të parë pasi kur u bë republikë në vitin 1946.

Kur bie fjala tek financat publike, ky nacionalizëm i ri është shumë i ndryshëm nga ai që propozoi Musolini. Qeveria populiste e Italisë nuk po bën një përpjekje për madhështinë kombëtare apo përpjekje për ta rikthyer vendin në lavdinë e mëparshme.

Matteo Salvini

Ajo nuk po mbron vetëqeverisjen e popullit italian kundër burokracisë të papërgjegjshme europiane. Përkundrazi, populistët po vënë një bast të pamatur të bazuar në idenë se Italia është tepër e madhe për të dështuar dhe prandaj do të shpëtohet nga vendet e tjera anëtare, nga frika e krizës financiare. Ky nacionalizëm që nisi si një armë kundër BE-së, është përhapur në mesin e njërzve të thjeshtë, duke bërë që të rriten sulmet raciste, antipatia ndaj emigrantëve dhe krimet e urrejtjes.

Retorika e re nacionaliste e Italisë fajëson Europën për dobësimin ekonomik të vendit. Ndryshe nga e kaluara, Roma nuk ka bërë asnjë përpjekje për të justifikuar shpenzimet e larta në buxhetin e 2019-ës, duke shkaktuar tensione me Komisionin Europian.

Megjithtë, ky nacionalizëm bëhet më i rrezikshëm kur bashkohen pikëpamjet e Italisë për emigracionin. Populistët ankohen se Italia është lënë e vetme përballë krizës së emigracionit, pavarësisht nga fakti se i është dashur të kujdesej për kufirin e jashtëm të Europës. Kjo është e drejtë sigurisht, por vlen të përmendet se një pjesë e madhe e problemeve të Italisë me emigrantët është rezultat i politikave të saj të dobëta.

Duke u zotuar të vendosnin "Italianët të parët" dhe të "pastronin" Italinë nga emigrantët, Matteo Salvini fitoi 17 për qind të votave në zgjedhjet e marsit të shkuar. Ai është tanimë politikani më popullor në Itali dhe sondazhet sugjerojnë se Lega Nord është fuqizuar ndjeshëm përgjatë udhëheqjes së tij.

Edhe pse Lega nuk ka rrënjë fashiste, shumë parti të vogla neo-fashiste kanë shprehur mbështetje për Salvinin dhe në shumë prej tubimeve të tij janë të pranishëm militantët e këtyre lëvizjeve, të cilët mbajnë shpesh simbolet fashiste dhe portretet e Benito Mussolini.

Emigrantët përplasen me policinë në Romë

Salvini ka cituar thëniet e Duçes duke theksuar se fashizmi kishte shumë arritje pozitive për ekonominë italiane. Duke folur kaq shumë për nacionalizmin dhe respektimin e kombit italian, Salvini e ka kthyer sot nacionalizmin në një trend të ri, me mijëra të rinj që nuk dëshirojnë të respektojnë vendet e tjera dhe politikat europiane.

Prova më e mirë e rritjes së nacionalizmit në mesin e italianëve ishte miratimi në masë të madhe për "dekretin Salvini", një ligj që imponon masa të reja kundër emigrantëve, si heqja e mbrojtjes humanitare për emigrantët që kualifikohen për statusin e refugjatit dhe nxjerrjen e dhjetëra njerëzve nga qendrat shtetërore për emigrantët, pa u siguruar riatdhesimin.

Sikur të mos mjaftonte kjo, italianët mbështetën edhe propozimin e Salvinit për regjistrimin e popullsisë rome, edhe pse kjo u dënua nga grupet e të drejtave dhe nga bashkësia hebraike e Italisë, e cila hoqi paralele të tmerrshme me legjislacionin e miratuar nga regjimi i Musolinit në vitin 1938.

Ndërkohë, organizatat që ofrojnë shërbime për refugjatët dhe emigrantët në Itali thonë se ka pasur një rritje të sulmeve raciste, duke fajësuar qëndrimeve nacionaliste të qeverisë. Tani, shumë prej emigrantëve që mbërrijnë në Itali thonë se nuk ndihen të sigurt për shkak të klimës së urrejtjes që mbizotëron në vendin fqinj. /Politico.Eu/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë