Politike

Italia “rihap” negociatat në nëntor. Franca: E kishim me Reformën në Drejtësi, përfundojeni!

Pas dramës me negociatat në Bruksel, Italia është zotuar ta hapë sërish “dosjen” e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut muajin e ardhshëm.

Kryeministri italian Xhuzepe Konte nuk i ka kursyer kritikat për presidentin francez Emmanuel Macron duke thënë se Parisi po bën një gabim historik. Pas mbledhjes së liderëve të BE-së, Konte tha se do të propozojë që hapja e bisedimeve të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut të rifillojnë në nëntor.

Duke kundërshtuar vendimin e Macron, Kryeministri Konte tha se “brezat shqiptar janë rritur duke pritur të hyjnë në Europë”.

“Ëndrra e tyre është të bëhen pjesë e BE-së”, u shpreh Konte përpara gazetarëve. "Me vjen shume keq. Me vjen shume keq. E provova. Prandaj edhe nuk morëm një vendim tani”, deklaroi kreu i qeverisë fqinje.

Konte tregoi se personalisht ishte shumë i lidhur me komunitetin shqiptar, duke iu referuar të rinjve që studiojnë në Itali, pasi përpara se të zgjidhej kryeminisër, ai punonte si profesor pranë disa universiteteve në Romë.

"Ata kanë bërë përpjekje të mëdha. Italia do të jetë gjithmonë pranë tyre”, deklaroi kryeministri Konte.

I të njëjtit mendim më të, ishte edhe kryeministri belg Charles Michel, që gjithashtu u zotua të mos e heqë zgjerimin nga tryeza.

"Ne do t'i rikthehemi këtij debati më vonë", tha ai.

Kancelarja Angela Merkel dhe presidenti Emmaneul Macron, Gazeta Si, 19 nentor 2019

Debai i hapjes negociatave bëri që shumë liderë të BE-së ta gdhinin duke u përpjekur të bindin presidentin francez Emmmanuel Macron, por dështuan.

Pas kritikave nga lidërët europaine, por edhe Departamentit Amerikan të Shtetit, Drejtori aktual për Europën në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Francës Frédéric Mondoloni ka shpjeguar arsyet për refuzimin e Francës.

Zyrtari francez thotë se Parisi do t’i hapte në mënyrë të mënjehershme negociatat me Shqipërinë nëse çohet deri në fund Reforma në Drejtësi.

Në një intervistë me “European Western Balkans”, ai thotë se presidenti Emmanuel Macron nuk është kundër nisjes së bisedimeve, por kërkon qe Shkupi dhe Tirana të plotësojnë kushtet.

“Franca është pro-hapjes së negociatave, por ne kemi nevojë të përmbushen dy kushte. Për Maqedoninë e Veriut një nga çështjet problematike është funksionimi i Prokurorisë Speciale, dhe për Shqipërinë është implementimi i reformës në drejtësi. Këto janë çështje shumë të rëndësishme për Francën”, thotë Mondoloni.

Zyrtari i Ministrisë së Jashtme Franceze shton se Parisi dëshiron që çështjet shumë të rëndësishme, si sundimi i ligjit në Shqipëri dhe pavarësia e mediave të nisin të zgjidhen para negociatave.

Presidenti Macron tha dje në një konferencë për shtyp se se Shqipëria ka bërë përparime, por se nuk ishin të mjaftueshme. “Të mos gënjejmë veten”, u shpreh presidenti.

Pas shtyrjes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian David McAllister deklaroi se BE-ja po rrezikon reformën në Drejtësi.

"Edhe duke ditur reformat e dhimbshme që këto vende po marrin, BE-ja dështoi që tu jepte një dorë", theksoi McAllister.

"Dritarja e mundësive e hapur nga marrëveshja historike e Prespës dhe reformat gjyqësore në Shqipëri tani po mbyllen ", shtoi ai.

Donald Tusk dhe presidenti Emmaneul Macron, Gazeta Si, 19 nentor 2019

Një nga negociatorët kryesore të BE-së në krizën e vitit 2017 në Shqipëri, thotë se Brukseli ka dështuar të mbajë premtimet.

“Bashkimi Europian nuk ishte në gjendje të tregonte lidership, kurajo dhe vizion strategjik", deklaroi McAllister.

Gjatë mbrëmjes të së enjtes, udhëheqësit e BE u mbyllën duke diskutuar për Shkupin dhe Tiranën për më shumë se 4 orë, por ashtu siç tha edhe Macron nuk është gjetur një qasje e përbashkët.

“Debati ka qënë shumë i ashpër me shumë liderë që ishin mbledhur rreth Macron”, tha një diplomat tjetër i BE-së për “Politico”.

Hapja e negociatave duket se ishte kthyer në një çështje thellësisht personale për disa liderë nga Europa Qendrore dhe Lindore. Ata raportohet se i janë drejtuar Macron me “fyerje personale” duke bërë që ky i fundit të braktisë mbledhjen.

“Të gjitha vendet anëtare binin dakort se Maqedonia e Veriut ishte në një fazë më të përparuar se Shqipëria, por pesë ose gjashtë shtete anëtare nuk binin dakord për të filluar bisedimet me vetëm një nga dy kandidatët”, tha diplomati.

Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, e quajti vendimin e djeshëm "një gabim të rëndë historik".

Ashtu edhe vendet e tjera që kërkonin hapjen e bisedimeve me të dyja shtetet, janë të bindura se ngërçi në Bruksel mund të ketë pasoja serioze në Ballkan, i cilësuar si një nga pjesët më të paqëndrueshme të Kontinentit.

Në fund, e vetmja gjë që udhëheqësit mundën të bien dakord unanimisht ishte një fjali e vetme: "Këshilli Evropian do t'i kthehet çështjes së zgjerimit përpara samitit të Ballkan Perëndimor në Zagreb në maj të vitit 2020."


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë