Politike

Refuzimi i negociatave, SHBA: U hap rrugë aktorëve të tretë malinjë në Ballkan

Shtetet e Bashkuara të Amerikës shprehen të zhgënjyera për moshapjen e negociatave mes Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Europian.

“Jemi të zhgënjyer që Këshilli Europian nuk njohu reformat e ndërmarra në të dyja vendet përmes hapjes së negociatave. Një vendim pozitiv do të konfirmonte besueshmërinë dhe të ardhmen e tyre në Bashkimin Europian, si dhe do të sprapste aktorët e tretë malinjë, që synojnë të minojnë vlerat e bashkësisë perëndimore dhe euro-atlantike”, deklaroi Morgan Ortagus, zëdhënëse i Departamentit Amerikan të Shtetit.

SHBA thotë se mirëkupton që përgjigja nuk është një “jo” as për Shqipërinë, por as për Maqedoninë dhe se as BE nuk vendosi kushte të reja për hapjen e negociatave.

“Ne shpresojmë që Këshilli do të arrijë marrëveshjen për një vendim pozitiv për të dyja vendet në muajin maj, kur mbahet samiti i radhës”, vijon deklarata.

Reagimi i Departamentit të Shtetit mbyllet me zotimin se SHBA do të vazhdojë të qëndrojë një partner strategjik si për Shqipërinë, ashtu edhe për Maqedoninë e Veriut dhe do të punojë me institucionet e të dyja vendeve për të forcuar sundimin e ligjit dhe luftën antikorrupsion e krimit të organizuar.

“Inkurajojmë të dyja vendet që vazhdojnë të ndërtojnë një shoqëri demokratike, transparente, ligjore, ashtu siç u nevojitet qytetarëve. SHBA do të punojë me partnerët europianë për të arritur objektivat tanë të përbashkët për qëndrueshmërinë dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor”, mbyllet reagimi i zëdhënëses së DASH, Morgan Ortagus.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë