Dan Buettner/ New York Times –Në vitin 1943, një veteran i luftës greke, i quajtur Stamatis Moraitis mbërriti në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të kuruar një krah të lënduar në betejë. I mbijetoi një plage pushke, u arratis në Turqi, foli rrugës me Mbretëreshën Elizabetë, e më pas duke shërbyer si staf anijeje, kaloi Atlantikun. Moraitis u vendos në Portin Xheferson, në Nju Jork, një enklavë me banorë prej vendit të lindjes, Ikarias. Aty nisi një punë krahu. Më pas, u shpërngul drejt plazhit Boynton, Florida. Gjatë rrugës u martua me një grua greko-amerikane, bëri tre fëmijë, bleu një shtëpi me tri dhoma dhe një makinë Chevrolet.
Një ditë, më 1976-ën, Moraitis nuk merrte dot frymë. Ngjitja e shkallëve ishte mundim i madh; i duhet ta linte punën në mesditë. Pas grafive, mjeku doli në konkluzionin se Moraitis kishte kancer në mushkëri. Siç kujtonte, nëntë mjekë të tjerë konfirmuan diagnozën. I dhanë nëntë muaj jetë. Ishte në mes të të gjashtëdhjetave.

Moraitisi mendoi të qëndronte në Amerikë dhe të kërkonte kurë për kancerin agresiv në një spital vendas. Në atë mënyrë, do të ishte pranë fëmijëve, që atëkohë ishin të rritur. Por vendosi të kthehej në Ikaria, të varrosej me paraardhësit e tij, në një varrezë ku bënin hije lisat, me fytyrë nga deti Egje. Bëri llogaritë se një funeral në ShBA do i kushtonte mijëra dollarë, një tradicional në vendin e tij vetëm 200 të tillë, kështu do të mund të linte më shumë se gjysmën e pensionit për bashkëshorten, Elpiniki.
Moraitis dhe Elpiniki u shpërngulën me prindërit e tij të moshuar, në një shtëpi të vogël, lyer me gëlqere në dy hektarë vreshta, pranë Evdilosit, në anën veriore të Ikarias. Në fillim, i kaloi ditët në shtrat, ndërsa e ëma dhe e shoqja kujdeseshin për të. Ra sërish në kontakt me besimin e tij. Mëngjeset e të dielave, kalonte kodrën për të shkuar në një kishë të vogël ortodokse, ku dikur i ati kishte shërbyer si prift.

Kur miqtë e tij të fëmijërisë morën vesh se ishte kthyer, nisën ta vizitonin çdo pasdite. Flisnin me orë të tëra, një aktivitet që padyshim përfshinte një shishe apo dy, me verë vendase. Do të vdes i lumtur, mendoi. Në muajt më pas, diçka e çuditshme ndodhi. Nisi të ndihej më i fortë. Një ditë, ndërsa ndihej ambicioz, mbolli disa zarzavate në kopsht. Nuk priti të jetonte aq gjatë sa për t’i korrur, por u gëzohej atyre duke ndenjur në diell dhe duke thithur ajrin e detit. Elpiniki do të shijonte zarzavatet e freskëta, pasi ai të kishte ikur nga kjo jetë.

Gjashtë muajt erdhën dhe ikën. Moraitisi nuk vdiq. Arriti t’i vilte të mbjellat në kopsht dhe, duke u ndjerë i fortë, pastroi edhe vreshtat e familjes. Duke e lënë veten në rutinën e ishullit, zgjohej kur e ndiente, punonte në vreshta deri në pasdite, bënte drekë për veten dhe dremitej gjatë. Në mbrëmje, shpesh shkonte te taverna e fshatit, ku luante domino deri pas mesnate. Vitet kaluan. Shëndeti i tij vijoi të përmirësohej. Ai i shtoi edhe dy dhoma shtëpisë së prindërve në mënyrë që fëmijët t’i vinin për vizitë. Ngriti vreshtat derisa prodhoi 1500 litra verë në vit. Jetoi i qetë, i shëndetshëm dhe i lumtur deri në moshën 102 –vjeçare, ku vdiq jo nga kanceri, por nga pleqëria. Kurrë nuk bëri kimioterapi, nuk mori mjekime apo ndonjë lloj terapie tjetër. Gjithë ç’bëri ishte të shpërngulej në Ikaria.

Në ishullin e largët grek të Ikarias, jo vetëm Moraitisi, por njerëzit në përgjithësi jetojnë gjatë. Rastet e kancerit, sëmundjeve kardiovaskulare dhe të diabetit janë të rralla, po ashtu edhe demenca. Dan Buettner ka udhëtuar në Ikaria me një ekip ekspertësh të jetëgjatësisë për të zbuluar se çfarë e bën këtë ishull një nga “Zonat Blu” të botës. Topografia e ishullit, e fotografuar këtu në muzg, e bën aktivitetin fizik një pjesë të domosdoshme të stilit të jetës ikaras. Banorët i djegin kaloritë vetëm duke ecur nga një vend në tjetrin, shumë herë në ditë.

Jeshillëqe dhe çajëra bimorë – Kërkuesit kanë zbuluar se çajërat bimorë dhe më shumë se 100 varietete të jeshillëqeve të pasura me antioksidantë luajnë një rol të madh në dietën ikarase. Disa nga çajërat bimorë të konsumuara zakonshëm nga vendasit veprojnë si diurektikë që ulin presionin e gjakut.

Dieta Mesdhetare – Dieta e ishullit përbëhet nga shumë fruta të stinës dhe zarzavate, bishtajore, peshk dhe vaj ulliri. Këto e bëjnë të ngjashme me dietën Mesdhetare, e cila mund të reduktojë shanset për sëmundje të zemrës dhe rrit jetëgjatësinë me afro gjashtë vjet.

Ta marrësh jetën me nge- Në përgjithësi vendasit nuk e ndiejnë urgjencën e kohës. Pak mbajnë ora dhe mbërritjet vonë pranohen nga shoqëria. Ulja e ritmeve si stil jetese ka treguar se redukton artritin dhe të tjera sëmundje të moshës.

Traditat familjare – Vendasit kanë ruajtur një stil tradicional jetese, që ruan rëndësinë e familjes dhe lidhjet e forca sociale. Fëmijët duhet t’i takojnë gjyshërit çdo ditë, një gjest që përmirëson shëndetin dhe mirëqenien si të brezave të rinj ashtu edhe të të moshuarve.

Stili i jetës për jetëgjatësi – Stili i jetës së ikarësve i ka ndihmuar të bëhen disa prej njerëzve më jetëgjatë në botë. Edhe tradita e kotjes së pasdites mund të kontribuojë në këtë jetëgjatësi. Gjumi i përditshëm ka treguar se zvogëlon rrezikun e sëmundjes së zemrës, gjasat për depresion dhe rrit lumturinë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.