Më të mirat 2022

Inflacioni – Të varfër mbahuni ! Nga humori juaj varet ekonomia

Nga Gazeta "Si"-Me të drejtë njerëzit mund të pyesin të çuditur e të pakënaqur se pse për disa produkte apo shërbime që s’janë pjesë varësie e zinxhirit prodhues me burimin e inflacionit, janë rritur çmimet.

Fjala vjen tek shërbimet estetike si berberi dhe parukeria: Çfarë lidhjeje ka çmimi i miellit dhe i vajit me gërshërët? Nga disa pyetje në terren Gazeta “Si” mësoi se çmimet e këtyre shërbimeve janë rritur nga 20-40 për qind edhe pse shumica dërrmuese dhe lëndët e para më kritike për këto biznesese, p.sh. krahu i punës dhe gërshërët, nuk kanë lidhje me produktet e infektuara nga inflacioni.

Vala e çmimeve të larta në botë buroi nga ushqimet dhe energjia, të cilat u paraqitën në treg me ofertë të kufizuar pas nisjes së konfliktit në Ukrainë, ndërkohë që kërkesa për to mbeti e paprekur.

Nëse do të mësosh se sa ka shkuar gjatësia e kësaj vale goditëse për të ardhurat personale, vjen në ndihmë Banka e Shiqipërisë. Guvernatori i saj Gent Sejko para se të lajmëronte rritjen e normës së interesit, tha se “ndonëse dinamika e inflacionit në këta dy muaj pasqyroi kryesisht rritjen e çmimeve të ushqimeve dhe të lëndëve energjetike, kjo rritje është e pranishme në pjesën më të madhe të artikujve të shportës.”

Në gjuhën korrekte por të sofistikuar me terma ekonomikë, ndoshta njerëzit e zakonshëm e kanë të vështirë të kuptojnë e të gjejnë përgjigjen e pyetjes që parashtruam që në fillim. Zoti Sejko ndër tre faktorët përmend atë psikologjik. “Rritja e çmimeve të produkteve, shtrëngimi i kushteve financiare dhe rritja e pasigurisë, kanë sjellë një rritje të fortë të inflacionit dhe kanë filluar të frenojnë ritmet e rritjes ekonomike”.

Pasiguria për të ardhmen që kanë njerëzit do të jetë përcaktues dinjitoz në ecurinë e rritjes së çmimeve në të ardhmen. Ja se si e shpjegonte një berber rritjen e çmimeve të biznesit të tij në konteksin psikologjik:

“Unë mbaj mend rritjen e qirave të banesave këtë vit. Kam frikë se mos e njëjta gjë mund të ndodhë edhe me qiranë e dyqaneve dhe nuk dua të rrezikojë që një situatë e tillë të më gjejë të papërgatitur. Duhet të jesh gjithmonë një hap para dhe t’i paraprish ekzistencës si biznes, normal duke u justifikuar si biznes pasi rritja e çmimeve do të ndodhë shumë shpejt”.

Përtej asaj çfarë ka ndodhur, biznesi pret që e njëjta gjë dhe më tej dhe ndoshta më shumë të ndodhë. Pasiguria provokon rritjen e çmimeve edhe sikur të mos ketë arsye bindëse ekonomike për të ndodhur.

Këtë e tregoi edhe indeksi i besimit i matur së fundmi nga Banka e Shqipërisë. Në qershor ku indeksi tregoi se besimi i konsumatorëve dhe bizneseve tregtare ra për herë të parë pas dy muajsh rritjeje. Banka e Shqipërisë tha se rënia me 0.7% lidhet me pesimizmin e tyre për situatën ekonomike të vendit dhe mungesën e gatishmërisë për blerje në shuma të mëdha. Konsumatorët presin rritje të mëtejshme të çmimeve në vend.

Sa larg dhe sa thellë mund të shkojë kjo rritje?
Banka e Shqipërisë pret shfaqjen e efekteve zinxhir në një fazë të dytë. “Pasojat e kësaj goditjeje rrezikojnë të forcohen dhe të zgjaten në kohë”.

Me pak fjalë edhe nëse nuk ka ndodhur për një pjesë të vogël brenda shportës, është e sigurtë që edhe ato shërbime dhe produkte që kanë mbetur të paprekura, do të pësojnë rritje.

Por a ka mundësi që efekti negativ i psikologjisë së konsumatorit se çmimet do të rriten më tej, të balancohet nga diçka tjetër.

Ekonomistët njohin një rrugë: Rritjen ekonomike në vijim.

Në Shqipëri kjo është vështirë të ndodhë, sepse ashtu siç ajo është formëzuar, nuk jep shpresë as nga biznesi as nga qeveria, e cila ka ulur investimet publike. Megjithëse në këtë situatë e vetmja gjë e mirë e inflacionit është që i shtyn qeveritë të marrin masa, për sa kohë nuk po shikojmë instrumeta të akivizuara, shpresat do të ndjekin të njëjtin trend rënës si besimi.
Po kush do të preket më shumë. Sigurisht më të varfërit thotë “The Economist”.

Në Shqipëri me një pabarazi të skajshme të ndarjes së pasurisë, beteja me inflacionin do të jetë edhe më e vështirë për shumicën. Ndaj, të varfër mbahuni! E vetmja këshillë për ju është që mos të panikoseni, ose siç themi në zhargonin tonë të përditshëm: Nuk ka ku shkon më keq kur jeni keq. Ndoshta moskokëçarja juaj dhe sjellja racionale do të na zbutë humbjet.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë