Treg

Berberët dhe parukieret i tremben inflacionit, rrisin çmimet me 20-40%

Gazeta "Si"- Normaliteti i rritjes së çmimeve është bërë i frikshëm. Gjatë një vëzhgimi që bëri Gazetasi.al, berberët dhe parukieret, thuajse të gjithë, e nisnin bisedën me fjalët: “Është normale të rriten edhe çmimet tona”. Disa kanë arsye të “mëdha” si rritja e inflacionit e të tjerë shtojnë shpenzimet personale si arsye të mjaftueshme për të rritur çmimin. Pjesë e arsyeve është edhe frika se çfarë mund të ndodhë në të ardhmen.

Endri Radoviqi i cili ka një sallon tek Rruga e Dibrës, në Tiranë, thotë për Gazetasi.al se çmimet do të rriten dhe arsyeja e parë sipas tij është inflacioni, ndjekur nga rritja e rrogave të punëtorëve, rritja e çmimit të produkteve, rritja e faturave të energjisë dhe frika se do të ketë rritje të mëtejshme.

Berber Endri me klientin e tij. Gazeta Si, 7 korrik, 2022.

“Unë mbaj mend rritjen e qirave të banesave këtë vit”.

Radoviq ka frikën se mos e njëjta gjë mund të ndodhë edhe me qiranë e dyqaneve dhe ai nuk do të rrezikojë që një situatë e tillë ta gjejë të papërgatitur.

“Duhet të jesh gjithmonë një hap para dhe ti paraprish ekzistencës si biznes, normal duke u justifikuar si biznes”, thotë ai duke shtuar se rritja e çmimeve që do të ndodhë shumë shpejt do të varet nga llogaritë që do të bëjë ekonomisti i biznesit të tij.

Radoviq gjithsesi nuk e ka fare frikën se një rritje çmimesh mund të ndikojë në fluksin e punës së tij.

“Tashmë njerëzit e kuptojnë situatën plus që ka disa vite që është zhvlerësuar leku. Tani të gjithë mendojnë “çfarë blen me aq para” dhe të gjithë njerëzit janë bindur se për çdo shërbim duhet të harxhojnë më shumë se më parë”, thotë ai.

Punonjësit e “Barber Shop Lami” që ndodhet tek Bulevardi Gjergj Kastrioti, Tiranë thonë për Gazetasi.al se çmimet nuk kanë ndryshuar akoma por është një hap që po diskutohet ta bëjnë dhe së shpejti do ndodhë sepse “këtë po bëjnë të gjithë, jo vetëm berberët”.

Të njëjtën “arsye” jep edhe berber Ermali në Rrugën Don Bosko, Tiranë i cili thotë se çmimet do i rrisë sepse “këtë ka bërë gjithë Europa dhe çmimet janë rritur për këdo”.

Berber Ermali. Gazeta Si, 7 korrik, 2022.

Ai e lidh rritjen e çmimeve edhe me pjesën që tani jemi në vitin 2022 dhe sipas tij, çmimet kanë shumë vite që vazhdojnë të njëjtat dhe “rritja e këtij viti është në kohën e duhur”.

Nga ana tjetër, berber Vis Dervishi thotë se nuk do të rrisë asnjë çmim po ka vendosur ta bëjë atë për aq kohë sa edhe konkurrenca e ka bërë diçka të tillë dhe përderisa edhe jetesa e tij është bërë më e shtrenjtë.

“Jemi 5 berberë në lagje dhe të 4 të tjerët e kanë rritur çmimin me 200-300 lekë, rreth 20-40% më shumë në varësi të shërbimit. Në shtator do e rris edhe unë”, thotë Dervishi i cili shton se duke qenë se është konsumator dhe familjar, shpenzimet i ndjen më shumë muajt e fundit.

“Çdo shërbimi dhe produkti i është rritur çmimi. Duke llogaritur edhe naftën, është mjaftueshëm arsye për të kuptuar se edhe unë do e rris çmimin e shërbimit tim. Nuk mund të shërbej duke marrë të njëjtën pagë në fund të muajit kur shpenzimet e mia personale janë dyfishuar”, përmbyll ai.

Ndërkohë, parukiere Lola në Rrugën Mine Peza thotë për Gazetasi.al se rritja e çmimeve ka ardhur si pasojë e frikës për të ardhmen.

“Kur filloi rritja e çmimeve, isha e sigurt se do rritej edhe çmimi i produkteve që përdor unë kështu vendosa të rris çmimin e shërbimeve që në fillim në mënyrë që dhe femrat që vijnë këtu të “mësohen” me rritjen e çmimit. Në fakt mua mu shtua vetëm pagesa plus prej 100 lekësh në postën e dy kompanive ku marr produkte. Kam menduar ta ul çmimin pasi pashë që nuk ndryshuan shpenzimet për sallonin por ndodhi diçka tjetër. Unë në fund të muajit dilja me paratë njësoj si para se të rrisja çmimin e shërbimeve të mia pasi u rrit jetesa”, thotë ajo.

Kështu, ajo kuptoi se nëse ul çmimin siç e kam pasur më para, do më duhet të shtrëngohem vetë duke kursyer në përditshmërinë time. Prandaj, duke qenë se edhe asaj si individ çdo shërbim apo produkt i është shtrenjtuar, vendosi të mbajë çmimin e rritur që është 100 ose 200 lekë plus në varësi të shërbimit.

Ajo tregon për Gazetasi.al se asnjë nga klientet nuk është ankuar apo të jetë larguar nga salloni i saj pavarësisht rritjes.

“Duket se janë mësuar me faktin se do të ketë rritje çmimesh kudo dhe thjesht presin rritjen e radhës. E kisha shumë me merak në fillim sepse mendoja se do reagojnë keq apo nuk do pranojnë por asnjëra nga këto nuk ndodhi. Thjesht kanë paguar duke thënë se e dinin se do rritej edhe çmimi i parukiereve, si çdo çmim tjetër”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë