Ekonomi

Rikthehet pesimizmi tek konsumatorët shqiptarë, presin rritje tjetër të çmimeve

Nga Gazeta "SI"- Treguesi i Besimit në Shqipëri u rrit me 2% gjatë muajit qershor 2022, drejtuar nga rritja e besimit në sektorët e industrisë, ndërtimit dhe shërbimeve. Rënie ka pasur besimi i konsumatorëve dhe bizneseve tregtare.

Besimi i konsumatorëve shqiptarë ra për herë të parë në qershor, pas dy muajsh rritje. Sipas Bankës së Shqipërisë, rënia me 0.7% lidhet me pesimizmin e tyre për situatën ekonomike të vendit dhe mungesën e gatishmërisë për blerje në shuma të mëdha. Konsumatorët presin rritje të mëtejshme të çmimeve në vend.

Besimi i bizneseve tregtare, ra me 0.8% në qershor, pas përmirësimit në muajin maj. Këto biznese nuk janë optimistë për ecurinë aktuale të tyre dhe nivelit të punësimit. Pritjet për çmimet që do të vendosin në të ardhmen janë vlerësuar me rënie nga bizneset e tregtisë  

Industria dhe ndërtimi kanë pasur rritjen më të madhe në raport mujor, me 8.1% dhe 7.3%, respektivisht.

Bizneset në industri kanë besim dhe presin për rritje të mëtejshme të kërkesës së tyre, sidomos ato lidhur me eksportet, Ato presin rritje të vazhdueshme edhe të çmimeve, mbi mesataren historike.

Bizneset ndërtuese po ashtu presin rritje të çmimeve, por edhe rritje të aktivitetit ndërtues, duke arritur nivelin më të lartë historik.

Sektori i shërbimeve pësoi rritje më të lehtë, me 1.2%, lidhur me kërkesën aktuale, por edhe atë të parashikuar. Bizneset në këtë fushë presin rënie të çmimeve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë