Histori

‘I ruante sekretari i Ismail Qemalit’, Resulaj: Si i zbuluam dokumentet e panjohura të Shpalljes së Pavarësisë

Nga Luljeta Nelallari - Shqipëria nuk e ka aktin e Pavarësisë të saj, por tashmë ka gjashtë dokumente historike të paekspozuara dhe të panjohura deri më tani që janë paraprirëse të aktit e që tregojnë krijimin e shtetit shqiptar.

Dokumentet historike për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë janë gjetur nga studiuesi Resul Resulaj, një i ri i apasionuar pas së shkuarës së vendit tonë, së bashku me koleksionistin Eros Hoxha.

Bëhet fjalë për mandatet autentike, origjinale të disa prej qyteteve kryesore të Shqipërisë që mandatojnë të zgjedhurit e tyre për Kuvendin e Vlorës në vitin 1912.

“Dokumentet që kemi arritur të gjejmë janë dokumentet e periudhës së pavarësisë së disa qyteteve të Shqipërisë të nëntorit të vitit 1912 ku përfshihet qyteti i Tiranës, Shijakut, Elbasanit, Peqinit, Struge – Ohër, Pejë. Këto dokumente përfaqësojnë mandatimin e përfaqësuesve të parisë së qyteteve të Shqipërisë për të marrë pjesë në Kuvendin e Vlorës dhe për të gjetur zgjidhje për fatin e të ardhmes së Shqipërisë”, shprehet Resulaj për Gazetasi.al.

Resulaj rrëfen për Gazetasi.al se gjetja e këtyre dokumenteve ka qenë rastësore, të cilat fill u verifikuan edhe për autenticitetin e tyre. “Ka qenë rastësi gjetja e dokumenteve dhe më pas verifikimi i autenticitetit të tyre në Arkivin Qendror të Shtetit”.

Sipas Resulaj, këto dokumente janë ruajtur deri në vitet ’50 nga sekretari i Ismail Qemalit, Qemal Karaosmani.

“Dokumentet kanë qenë pjesë e fondit të qeverisë së Pavarësisë 1912-1914 dhe janë arkivuar dhe ruajtur nga Sekretari i Ismail Qemalit, Qemal Karaosmani, i cili i ruajti në vazhdim të gjithë fondin e periudhës së pavarësisë. Mendohet se janë në total 30 mandate të delegatëve të qyteteve dhe krahinave të ndryshme që morën pjesë në Kuvendin e Vlorës. Dokumentet u ruajtën nga Qemal Karaosmani deri në vitet ’50, pasi në ato vite ai u persekutua nga regjimi komunist në Kavaje, më pas fondi i tij u shpërnda në drejtime të ndryshme për miqtë dhe bashkëpunëtorët, shumë prej të cilëve nuk e dinin rëndësinë e dokumentacionit”, vijon Resulaj për Gazetasi.al.

Dokumentet janë në osmanishte dhe vijnë nga disa qytete. Vetëm njëri nga dokumentet, ai i Peqinit nga gjashtë dokumentet është në shqip dhe në osmanishte, me firmat përkatëse dhe vulat e të gjithë parisë së qytetit të Peqinit. Fakti që dokumenti i Peqinit është edhe në shqip, sipas Resulajt tregon edhe zanafillën e shkrimit të gjuhës shqipe, “dokumenti i Peqinit është në shqip dhe shumë firma janë në shqip”.

Në total janë gjashtë dokumente: Dokumenti i parë është Mandati i Delegatëve për Pavarësinë i qytetit të Pejës; Dokumenti i dytë, Mandati i Delegatëve për Pavarësinë i qytetit të Shijakut; Dokumenti i tretë, Mandati i Delegatëve për Pavarësinë i qytetit të Elbasanit; Dokumenti i katërt, Mandati i Delegatëve për Pavarësinë i qytetit të Ohër-Strugë; Dokumenti i tjetër është Mandati i Delegatëve për Pavarësinë i qytetit të Peqinit, ndërsa dokument më vete është Mandati i Delegatëve për Pavarësinë e qytetit të Tiranës.

Resulaj shprehet se këto dokumente i kanë gjetur që para 10 vitesh, teksa vë në pah se është fat që u gjetën, pasi edhe mund të ishin hedhur.

“Para rreth 10 vitesh bazuar në disa informacione ramë në gjurmë të dokumenteve përmes disa koleksionistëve të tjerë dhe kolegu Eros Hoxha arriti t’i blinte. Është shumë fat që dokumentet u gjetën sepse ndryshe edhe mund të ishin hedhur fare, pasi pakkush e di rëndësinë. Dokumenti i parë që u gjet ishte i Peqinit (Peqini ka qenë qytet i rëndësishëm atë kohë) dhe më pas u gjetën edhe të tjerët”, shprehet Resulaj.

Ata kanë menduar edhe mënyrën se si këto dokumente t’i vënë edhe në shërbim të publikut.

“Dokumentet do të vihen në shërbim të publikut duke organizuar një ekspozitë dhe duke u digjitalizuar nga Arkivi i Shtetit, në mënyrë që të shfrytëzohen nga studiuesit e tjerë dhe të apasionuarit pas historisë”.

Ai vë në pah edhe rëndësinë kombëtare që kanë këto dokumente, pasi sipas tij përfaqësojnë një moment kyç në historinë e Shqipërisë.

“Rëndësia është shumë e madhe, sepse janë dokumente unikale dhe origjinale të kësaj periudhe të pavarësisë. Duhet bërë më shumë punë akoma që të gjenden dokumente të tjera dhe koleksionistët privatë kanë një rol shumë të rëndësishëm”, thotë Resulaj për Gazetasi.al.

Resulaj përfundon duke thënë se “kjo është një periudhë që ende nevojitet të studiohet dhe nevojitet të pasurohet me fakte dhe dokumente të tjera”.

Shqipëria u vetëshpall e pavarur në Vlorë më 28 nëntor 1912 nga Ismail Qemali. Në shpalljen pavarësisë morën pjesë 83 delegatë nga të gjitha trevat shqiptare, ndërsa 40 firmëtarët ishin ata të cilët nënshkruan aktin e Pavarësisë. Menjëherë pas shpalljes së pavarësisë, Asambleja e Vlorës formoi qeverinë e parë të Shqipërisë së Pavarur të drejtuar nga Ismail Qemali.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë