Ngjarje

Zhduket nëna me 3 fëmijët në Shkodër, vajza 9-vjeçare gjendet e mbytur në Drin, arrestohet burri. Policia: Dhunoi gruan. E mitura nuk ka shenja dhune

Gazeta Si - Një ngjarje me përmasat e një tragjedie të rëndë ka ndodhur në Shkodër, ku dyshohet se një nënë e re, Alma Arrazi, bashkë me tre fëmijët e saj të vegjël, janë vetëvrarë për shkak të dhunës që ushtronte babai ndaj familjes së tij.

Dy ditë më parë, një 31-vjeçar denoncoi në polici se bashkëshortja e tij bashkë me tre fëmijët, 9, 8 dhe 3 vjeç, janë zhdukur, por këtë të diel (5 maj), blutë kanë arrestuar Ergys Arrazin, për dhunë ndaj bashkëshortes dhe tre fëmijëve.

Fillimisht, policia njoftoi se ai dyshohet se ka shkaktuar edhe vetëvrasjen e vajzës 9-vjeçare, e cila u gjet e mbytur në ujërat e lumit Drin.

Por në një njofftim të dytë, sipas policisë, nga këqyrja paraprake e trupit të të miturës, në prani të ekspertit mjeko-ligjor, nuk janë konstatuar shenja dhune te 9-vjeçarja.

“Shkodër/Informacion sqarues shtesë: Në lidhje me informacionin e dhënë më parë, për gjetjen në ujërat e lumit Buna, të trupit të pajetë të 9-vjeçares, ju informojmë se nga këqyrja paraprake e trupit të të miturës, në prani të ekspertit mjeko-ligjor, nuk janë konstatuar shenja dhune. Policia e Shkodrës, në drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës, po vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e rrethanave të këtij rasti.”, thuhet në njoftimin e dytë të Policisë së Shkodrës.

Ndërkohë polombarët e RENEA-s vijojnë kërkimet, pasi dyshohet se janë vetëmbytur edhe bashkëshortja me 2 fëmijët e tjerë të 31-vjeçarit.

Ergys Arrazi, i arrestuar nga policia

Policia ka ndaluar bashkëshortin shtetasin Ergys Arrazi i cili më përpara kishte deklaruar për policinë se ka humbur kontaktet me familjen e tij.

Njoftimi i parë i policisë:

Hetimet e thelluara zbardhin një rast të dhunës në familje, që shkaktoi vetëvrasje. Vihet në pranga 31-vjecari, për dhunë ndaj bashkëshortes dhe 3 fëmijëve, si dhe për shkaktim të vetëvrasjes së vajzës së tij 9-vjeçare, si pasojë e dhunës. 9-vjeçarja ështe gjetur e pajetë, dyshohet e vetëmbytur në lumin Buna.

Polumbarët e RENEA-s vijojnë kërkimet pasi dyshohet se janë vetëmbytur dhe bashkëshortja dhe 2 fëmijët e tjerë të 31-vjeçarit.

Menjëherë pas kallëzimit të shtetasit E. A., 31 vjeç, të bërë më datë 03.05.2024, se më datë 02.05.2024, ishin larguar nga banesa, bashkëshortja e tij, shtetasja A. A., 39 vjeçe dhe 3 fëmijët e tyre të mitur (9, 8 dhe 3 vjeç), u ngrit një grup i posaçëm hetimor për të hetuar shkaqet e largimit nga banesa.

Bazuar në hetimet e kryera dhe inteligjenca policore, dyshohet se shkaku i largimit nga banesa ishte dhuna e ushtruar nga 31-vjeçari, ndaj bashkëshortes dhe fëmijëve, të cilët dyshohet se mund të kenë kryer vetëvrasje.

Më datë 04.05.2024, u bë ndalimi i shtetasit E. A., 31 vjeç (i dënuar më parë për kultivim të bimëve narkotike), për veprën penale “Shkaktimi i vetëvrasjes”.

Grupi hetimor ka vijuar hetimet dhe shërbimet e Policisë kanë vijuar kontrollet për gjetjen e 39-vjeçares dhe 3 fëmijëve.

Gjatë kontrolleve, rreth orës 22:00 të datës 04.05.2024, në ujërat e lumit Buna, në fshatin Darragjat, u gjet trupi i pajetë i vajzës 9-vjeçare të shtetasve E. A. dhe A. A., e cila dyshohet se është vetëmbytur si pasojë e dhunës nga babai i saj.

Policia e Shkodrës, në drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës, vijon intensivisht punën për gjetjen e 3 shtetasve të tjerë të larguar nga banesa, si dhe për zbardhjen dhe dokumentimin e rrethanave të këtij rasti.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë