Njerez

I riu nga Kosova krijon një aplikacion për të shkruar si duhet gjuhën shqipe

Nga Sorgena Leka - Dalian Zogaj, 32-vjeçari nga Kosova, kandidat i doktoratës në Universitetin e Prishtinës, gjuhësi kompjuterike ka menduar për të gjithë ne, që, në një moment të jetës, e kemi menduar dy herë një fjalë nëse e kemi shkruar mirë apo jo, nëse është drejtshkruar si duhet. Ai ka krijuar një aplikacion, të quajtur “drejtshkruaj.com”, ku njerëzit do të mund të kontrollojnë tekstet e tyre në përmirësim, shqipërim dhe shpjegim.

“Ideja si ide për përmirësues drejtshkrimor nuk është diçka e re, përpjekje të tilla ka pasur edhe me herët për gjuhë të tjera por edhe për shqipen. Megjithatë, ky problem vazhdon të mbetet mjaft i ndërlikuar për t’u zgjidhur. Unë vetë, vendimin për t’u marrë me këtë çështje e pata marrë në Humboldt të Berlinit gjatë studimeve të doktoratës ku po bëja hulumtimet për dy fusha të tjera, për të cilat isha i interesuar asokohe: neurogjuhësi dhe gjuhësi kompjuterike për gjuhën angleze”, thotë Zogaj i cili tregon për Gazetasi.al se gjatë një seminari që po mbahej asokohe në Institutin e Sllavistikës në Berlin për korpusin e gjuhëve ballkanike “e pata vënë re mungesën e madhe të veglave teknologjike për shqipen që vlerësohet si njëra nga gjuhët e Evropës me më së paku vegla dhe resurse në fushën e teknologjisë”.

Ai shpjegon se sa ka nevojë për një aplikacion të tillë, këtë e tregon numri i madh i faqeve dhe grupeve në 'Facebook' që mundohen të japin këshilla për çështje të ndryshme gjuhësore. Kjo, për arsye se sot gjuha shqipe shtrembërohet kudo: në institucione shtetërore, në universitete, në libra shkollorë, në tabela rrugore, kudo. Kemi vendime të gjykatave e shkresa zyrtare që shkruhen me plot gabime e shtrembërime gjuhësore, dhe më e keqja, mjafton t’i shihni rrjetet sociale dhe shpejt do të kuptoni që gjuha e mirëfilltë shqipe sot po shkon drejt një tjetërsimi të pakthyeshëm.

Si dhe ku do të funksionojë ky aplikacion?

Përdorimi i këtij aplikacioni apo platforme do të jetë shumë i thjeshtë. Mjafton të regjistroheni dhe pastaj kyçeni në drejtshkruaj.com dhe të shkruani çfarëdo teksti shqip në kutinë aty, dhe pasi ta shtypni “Përmirëso” që ndodhet poshtë kutisë, do të mund të gjenden gabime të mundshme drejtshkrimore e gramatikore, shpjegimet nga konteksti si dhe gjetjen e fjalëve të huaja të panevojshme dhe sinonimeve. Tani për tani, ky aplikacion për shqipen numëron rreth 2 milionë fjalë-përdorime të ndryshme morfosintaksore, leksik i prodhuar sipas projektit MULTEXT-East, me mbi 700 mijë fjalëforma të veçanta. Për të dhënë përgjigje sa më të qëlluara, ky aplikacion ndihmohet nga modele të tjera kompjuterike, të cilat janë të trajnuara me inteligjencë artificiale në një korpus të larmishëm me fjali të përzgjedhura. Më e mira e gjithë kësaj; “sa më shumë të përdoret, aq më i saktë bëhet dhe aq më tepër do të dimë rreth gjendjes dhe numrit të fjalëve që ka shqipja në përdorim sot dhe të gjithë do të mund të kontribuojnë në përmirësimin e saj”, thotë Zogaj.

Një version të parë provues për publikun ai synon ta lëshojë për përdorim në fund të këtij viti dhe pastaj të vazhdojë ta përmirësojë atë, version pas versioni.

Zogaj tregon se interesimi ka qenë i jashtëzakonshëm ngase nevoja për një aplikacion të tillë është e madhe. Drejtshkrimi i gjuhës shqipe është mjaft sfidues, madje është sfidues edhe për gjuhëtarët që merren me shqipen e lëre më për ne të tjerët. Mirëpo, në anën tjetër çështja e procesimit dhe e ndërtimit të një aplikacioni të tillë është çështje vështirë e realizueshme. Për ta kuptuar se sa e ndërlikuar është kjo, Zogaj përmend aplikacionin “grammarly” që ofron përmirësime të gabimeve në gjuhën angleze, e themeluar që nga viti 2009, kompani me vlerë mbi 120 milionë e që ende nuk mund të ofrojë zgjidhje të besueshme për gjuhë të tjera përpos anglishtes.

“Kjo shkon e bëhet edhe më e vështirë për faktin se shqipja ka morfologji shumë më të pasur sesa anglishtja, ka rend të lirë të fjalëve në fjali dhe mbi të gjitha është gjuhë e veçantë në familjen e gjuhëve indoevropiane, kjo padyshim nënkupton zgjidhje të veçantë”, thotë Zogaj.

Deri tani, vlerësohet se në rastin më të zakonshëm do të ketë rreth 100 mijë përdorues.

100 mijë përdorues për një aplikacion që deri në versionin e parë, gjithçka është arritur me punë vullnetare.

“Qëllimi ynë kryesor vazhdon të jetë ruajtja dhe pasurimi i drejtë i shqipes, thesarit më të çmuar të kombit shqiptar, dhe ne nuk duam që paratë të jenë arsyeja pse dikush nuk do të mund ta shfrytëzojë punën që ne po bëjmë”, thotë Zogaj.

Gjithsesi, për ta bërë të gatshëm dhe për ta përgatitur dhe lëshuar për përdorim të gjerë duhet të mbulohen edhe shpenzimet përcjellëse të serverëve dhe mirëmbajtjes së tyre. Për shembull, shpjegon Zogaj, për ta përmirësuar një fjali të vetme bëhen miliona përllogaritje në prapavijë, pra përllogaritje në serverë që ofrohen me pagesë nga kompanitë si Google, Amazon, Microsoft e të tjera. Kështu që, për ta jetësuar këtë platformë për të gjithë, “ashtu siç synojmë, na duhet përkrahje. Kemi nevojë po ashtu ta zgjerojmë edhe ekipin me programues e inxhinierë të rinj të inteligjencës artificiale, me gjuhëtarë e leksikografë”.

Si rrjedhojë, përpos tjerash, Zogaj dhe bashkëpunëtorët e tij ne po synojnë të sigurojnë edhe investime apo mbështetje në mënyrë që në vitin e ardhshëm të mund t’u shërbejnë 100,000 përdoruesve të tyre të parë, dhe kështu të fillojnë ciklin e përmirësimit të shkrimit të shqipes, përmirësimin e platformës dhe ngritjen e vetëdijes gjuhësore.

“Gjuha Shqipe është, pa dyshim, thesari më i çmuar i kombit shqiptar”, shkruan në videon shpjeguese 32-vjeçari i cili ka vendosur të jetë i pari që e mbron atë, fjalë për fjalë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë