Politike

I pandehur për dosjen ‘Buka’/ Ahmetaj reagon nga arratia dhe ironizon Ramën: Gjithçka mund të ndodhë, jetojmë në Tiranë

Ish zv-kryeministri Arben Ahmetaj ka reaguar sërish nga arratia pas marrjes nga SPAK si i pandehur për shpërdorim detyre për një tjetër çështje që lidhet privatizimin e ish-fabrikës së Bukës në Tiranë. Ahmetaj e ka filluar reagimin e tij me një shpotitje për kryeministrin Edi Rama kur i  huazon shprehjen e famshme:  ...“Gjithçka mund të ndodhë, jetojmë në Tiranë”

Ahmetaj e sheh drejtësinë si palë me politikën kur thotë se, “ky është akti II i tragji-komedisë së politiko-drejtësisë”.

LEXO EDHE:
Arben Ahmetaj sërish i pandehur nga SPAK, akuzohet për privatizimin e ish-fabrikës së Bukës në Tiranë

Duke bërë publike dosjen “Buka” Ahmetaj shkruan se ndryshe nga sa pretendohet ky proces nuk i ka shkaktuar dëm buxhetit të shtetit (7 mld lekë) por fitime

“Procedura e privatizimit të shoqërisë “Buka” sh.a, nis në vitin 2004 (pra thuajse 20 vite më parë) nga Ministria e atëhershme e Ekonomisë dhe Privatizimit (Urdhri nr. 11 datë 21.01.2004).

2005-2006 - Pas një kërkesë padie të familjes Myderizi, si pronarë të aksioneve nga trualli me sipërfaqe 6,370 metër katrorë në pronësi të tyre, Gjykata e shkallës së parë në vitin 2005 (Vendim 3361, datë 30.05.2005) dhe më pas Gjykata e Apelit me Vendim të formës së prerë (nr. 803, datë 27.06.2006) vendosën anulimin e urdhrit të vitit 2004 dhe ngarkuan Ministrinë e Ekonomisë të nxirrte aktin administrativ për caktimin e formulës së privatizimit të shoqërisë “Buka” sh.a, pasi të bënte përcaktimin dhe transferimin e aksioneve të familjes Myderizi, në vlerën e tregut.

Dokumentet e publikuara nga Arben Ahmetaj për dosjen "Buka"

2014 – Në zbatim të vendimit të Gjykatës dhe sipas ligjeve në fuqi, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes (MZHETS), të cilën e kam drejtuar në atë kohë, nisi procedurën për privatizimin e paketës së aksioneve shtetërore në shoqërinë “Buka” sh.a. duke kërkuar gjithashtu përcaktimin e vlerës së paketës së aksioneve shtetërore në këtë shoqëri dhe caktimin e grupit të ekspertit kontabël të autorizuar dhe të ekspertit të vlerësimit. (Shkresa 322/2 datë 30.01.2014).

Qershor 2014 – Gjykata Administrative Tiranë rrëzoi kërkesën e familjes Myderizi për masë sigurimi të aksioneve të shoqërisë, anulimin e ankandit për privatizimin e paketës së aksioneve në pronësi të shtetit dhe anulimin e Urdhrit 382/2014 të Ministrit të MZHETS. Që do të thotë, që Ministria e Ekonomisë mund të vijonte procedurën.

18.06.2015 – Pas dorëzimit të kërkesës për privatizim dhe dosjes së privatizimit nga Ministria e Ekonomisë dhe vlerësimit të saj në bazë të ligjit, Ministria e Financave zhvilloi ankandin për privatizimin e paketës së aksioneve në pronësi të shtetit të shoqërisë “Buka” sh.a.

2017 – Familja Myderizi vijoi betejën e saj ligjore duke e apeluar cështjen në Gjykatën Administrative të Apelit. Në nëntor 2017, kjo e fundit duke mos rënë dakord me vlerësimin e kryer nga eksperti i pavarur,  (Vendimi 4959, dt. 30.11.2017) vendosi shfuqizimin e Urdhrit 382/2014 dhe procedurës së ankandit të 2015. Pyetja është, a përgjigjet Ministri për vlerësimin e ekspertit kontabël të autorizuar dhe ekspertit të vlerësimit? Jo. Ligji për privatizimin e shoqërive në sektorët jo-strategjikë, e ka të qartë procedurën dhe vlerësimin.

2018 – Me zbardhjen e vendimit të Gjykatës, si Ministër i MZHETS, urdhërova  shfuqizimin e Urdhrit. Nga janari 2019, jam larguar nga pozicioni i Ministrit të Financave”, rendit Ahmetaj.

Në konkluzion, Ahmetaj thekson se si ministër i Ekonomisë, ai ka zbatuar ligjin sa i takon kompetencave që ai kishte për këtë dosje. Në fund një mesazh nga ana e tij:

“....si ka mundësi që lajmi doli së pari në mediat e inceneratorëve? E bëjnë për presion? Për të më penguar të flas? Nuk do ndodhë...

Por mund të ndodhë, ndoshta, që të thyej një rekord në raport me drejtësinë shqiptare, të bëhem i pari zyrtar që akuzohem për shpërdroim detyre sepse kam mbrojtur në bazë të ligjit, aksionet dhe interesin e shtetit...Gjithçka mund të ndodhë, jetojmë në Tiranë!"


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë