Drejtësia

Arben Ahmetaj sërish i pandehur nga SPAK, akuzohet për privatizimin e ish-fabrikës së Bukës në Tiranë

Gazeta Si - Prokuroria e Posaçme ka hapur një tjetër dosje ndaj ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj. Sipas “Report Tv”, Ahmetaj është marrë si i pandehur nga prokurori Elvin Gogaj pas mbylljes së hetimit për privatizimin e një fabrike në periferi të kryeqytetit.

Denoncimi për çështjen e kanë bërë ish-pronarët, familja Myderizi, ndërsa mendohet se dëmi i shkaktuar shkon në 7 miliardë lekë.

Nën hetim mësohet se janë edhe 6 persona të tjerë të përfshirë në çështje dhe në pagesat e realizuara. Sipas dokumenteve për të njëjtën çështje ka diskutuar më parë edhe ish-ministri i Financave Shkëlqim Cani, por duke refuzuar të nisë procedurat.

Ankandi në fjalë është hapur në vitin 2014, ku dhe është realizuar shitja e parë e aksioneve shtetërore.

Familja Muderizi ka bërë të ditur se në vitin 1994 u është njohur pronësia nga agjencia e kthimit dhe kompensimit të pronave, ndaj ata kishin edhe të drejtën e parablerjes.

Por duket se një gjë e tillë nuk është respektuar, duke u pasuar edhe me veprime në SPAK.

Ahmetaj prej korrikut të këtij viti është shpallur në kërkim, pasi SPAK ka nënshkruar fletën e arrestit, duke e akuzuar për shpërdorim detyre dhe pastrim të parave lidhur me dosjen e incineratorit të Elbasanit dhe të Fierit.

Pasi Parlamenti votoi pro kërkesës së prokurorisë për t’i hequr imunitetin, avokatët e  ish-zëvendëskryeministrit deklaruan se ai ishte larguar drejt Britanisë së madhe, por ende nuk ka një rezultat për vendndodhjen e tij.

Javën e shkuar, kreu i SPAK, Altin Dumani pohoi në një takim informal me gazetarët se së shpejti do të ketë zhvillime surprizë për Arben Ahmetajn.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë