Drejtësia

Privatizimi i ish-fabrikës së bukës, SPAK mbyll hetimet dhe merr zyrtarisht të pandehur Arben Ahmetajn

Gazeta Si - SPAK ka dërguar në GJKKO dosjen e privatizimit të ish-fabrikës së bukës, duke mbyllur hetimet për ish-zv.kryeministrin Arben Ahmetaj, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për aferën e inceneratorëve.

Tashmë Ahmetaj është zyrtarisht i pandehur për çështjen dhe akuza i është komunikuar avokatit të tij.

Nga ana tjetër, SPAK vijon hetimet për biznesmenin Lirim Fezollari, me të cilin dyshohet se Ahmetaj kishte lidhje më shumë se institucionale. Po ashtu nën hetim janë dhe 6 ish-punonjës të Ministrisë së Financave.

Lidhur me këtë aferë që i ka shkaktuar një dëm prej 7 miliardë lekësh buxhetit të shtetit, Ahmetaj akuzohet për “shpërdorim detyre”.

Ish-ministri i Financave ka deklaruar nga arratia se në procedurën e privatizimit të fabrikës së bukës në zonën e ‘5 Majit’ në Tiranë, ka mbrojtur interesat e shtetit dhe nuk e ka shkelur detyrën. Ai e cilësoi hetimin e ri ndaj tij, si aktin e dytë të tragji-komedisë së politiko-drejtësisë.

Arben Ahmetaj u shpall në kërkim në muajin korrik të këtij viti për disa akuza, më e rënda prej atyre ajo e pastrimit të parave. SPAK hapi ndaj tij një çështje tjetër për rolin që ka pasur në privatizimin e ish-fabrikës së bukës.

Denoncimin për çështjen e kanë bërë ish-pronarët, familja Myderizi, ndërsa mendohet se dëmi i shkaktuar shkon në 7 miliardë lekë.

Nën hetim mësohet se janë edhe 6 persona të tjerë të përfshirë në çështje dhe në pagesat e realizuara. Sipas dokumenteve për të njëjtën çështje ka diskutuar më parë edhe ish-ministri i Financave Shkëlqim Cani, por duke refuzuar të nisë procedurat.

Ankandi në fjalë është hapur në vitin 2014, ku dhe është realizuar shitja e parë e aksioneve shtetërore.

Familja Muderizi ka bërë të ditur se në vitin 1994 u është njohur pronësia nga agjencia e kthimit dhe kompensimit të pronave, ndaj ata kishin edhe të drejtën e parablerjes.

Por duket se një gjë e tillë nuk është respektuar, duke u pasuar edhe me veprime në SPAK.

Ahmetaj prej korrikut të këtij viti është shpallur në kërkim, pasi SPAK ka nënshkruar fletën e arrestit, duke e akuzuar për shpërdorim detyre dhe pastrim të parave lidhur me dosjen e incineratorit të Elbasanit dhe të Fierit.

Pasi Parlamenti votoi pro kërkesës së prokurorisë për t’i hequr imunitetin, avokatët e  ish-zëvendëskryeministrit deklaruan se ai ishte larguar drejt Britanisë së madhe, por ende nuk ka një rezultat për vendndodhjen e tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë