Kinema

Hollywood-i nën tarifa/ Si propozimi i Trump-it për filmat e huaj rrezikon kinemanë amerikane

Nga Gazeta “SI”– Presidenti amerikan Donald Trump ka hedhur një ide që ka tronditur industrinë globale të filmit: një tarifë 100% ndaj filmave të prodhuar jashtë SHBA-së. Në një postim në platformën e tij “Truth Social”, ai deklaroi se industria e filmit në Amerikë po vdes me shpejtësi, duke e quajtur praktikën e vendeve të tjera për të ofruar lehtësime fiskale ndaj producentëve të huaj një “kërcënim për sigurinë kombëtare”.

Propozimi i tij, i veshur me një nacionalizëm kulturor të fortë, nuk është vetëm ekonomik, por i mbushur me retorikë mbi “propagandën” që, sipas tij, fshihet në filmat e xhiruar jashtë vendit.

Por çfarë do të nënkuptonte një masë e tillë në praktikë? Do të ndëshkoheshin filmat që thjesht xhirohen jashtë, apo edhe ata që zhvillohen në vende të huaja? Kush do të paguante tarifat dhe si do të zbatohej një politikë e tillë në një treg të globalizuar dixhital? Për më tepër, filmat janë të përjashtuar nga kompetencat presidenciale për masa të jashtëzakonshme sipas ligjit amerikan, çka nënkupton se çdo përpjekje do të përfundonte në sfida ligjore.

Pavarësisht absurditetit të propozimit, disa drejtues të industrisë së filmit në Los Angeles nuk janë plotësisht kundër ideve që synojnë rikthimin e prodhimeve në SHBA. Statistikat tregojnë një rënie të ndjeshme të ditëve të xhirimeve në territorin amerikan nga 3,901 në vitin 2017 në vetëm 2,403 në 2024. Produksionet madhore si “Avatar” dhe “Mission Impossible” xhirohen gjithnjë e më shpesh jashtë vendit, aty ku stimujt fiskalë janë më të favorshëm.

Megjithatë, historia është plot ironi. Në të kaluarën, ishin vendet e tjera që protestonin ndaj hegjemonisë së kinemasë amerikane, jo e kundërta. Në vitin 1946, pas marrëveshjes Blum-Byrnes mes SHBA-së dhe Francës, regjisori René Clair paralajmëroi se “do të bëheshim koloni kulturore e Amerikës”. Në 1993, kur Jurassic Park mbushi kinematë franceze, ministri i kulturës Jacques Toubon e quajti atë “kërcënim për identitetin kombëtar”, duke i bërë thirrje qytetarëve të shikonin në vend të tij “Germinal”, një dramë historike mbi minatorët francezë.

Në të njëjtin vit, për herë të parë, të ardhurat e Hollywood-it nga tregjet ndërkombëtare e tejkaluan fitimin vendas, një pikë kthese që vulosi globalizimin e filmit amerikan. Sot, mbi 70% e të ardhurave të industrisë së filmit vijnë nga jashtë.

Dhe, ironikisht, është pikërisht kjo varësi nga publiku ndërkombëtar që ka bërë që shumë filma të “zbutin” përmbajtjen: flamuri i Tajvanit u hoq nga xhaketa e Maverick në “Top Gun”. Maverick për të kënaqur Kinën (për t’u rikthyer më vonë vetëm në versionin për Tajvanin). “Bohemian Rhapsody” u modifikua për të qenë më pak queer për audiencën kineze apo “Toy Story” 2 hoqi një sekuencë me himnin amerikan.

Në të njëjtën kohë, censura e qeverive autoritare ka qenë më brutale: Kina tërhoqi Avatar-in për të promovuar një film për Konfucin, ndërsa në Iran, dy regjisorë u dënuan me burg për një film dashurie ku protagonistja nuk mbante shami. Dhe në vitin 2014, Sony u gjunjëzua përballë kërcënimeve të Koresë së Veriut për komedinë “The Interview”, duke e tërhequr nga shpërndarja pas një sulmi kibernetik dhe presioni diplomatik.

Pyetja që shtrohet është: a e ndihmon kjo Amerikën? Apo thjesht i afron SHBA-të me vendet që kritikon? Tarifat e propozuara nga Trump, në vend që të ringjallin prodhimin vendor, rrezikojnë të dëmtojnë thellësisht vetë industrinë e filmit si dhe të zhdukin kinemanë e pavarur, të pamundësojnë filmat me buxhet të mesëm dhe të bëjnë të paqëndrueshme edhe blockbuster-ët, për shkak të rritjes së kostove.

 Sipas producentëve si Bill Mechanic (që ka prodhuar Titanic dhe Hacksaw Ridge), asnjë vend përveç Kinës nuk ka ushtruar ndonjëherë presion për ndryshim përmbajtjeje.

Në fund, vetë administrata e Trump është tërhequr disi, duke deklaruar se asnjë vendim përfundimtar nuk është marrë.  Propozimi i tij duket më shumë si një tjetër akt i betejës së tij populiste kundër “elitave” dhe botës globale, sesa një politikë konkrete për të ndihmuar industrinë amerikane të filmit.

Dhe ndërsa Trump thërret për “filma të bërë në Amerikë”, bota e kinemasë i përgjigjet: filmi nuk njeh kufinj.

Hollywood-i i ditëve të sotme është më shumë një Konstandinopojë e kinemasë  ndërkombëtare, e ndërlidhur dhe pluraliste  sesa një Athinë e pastër kombëtare.

“Bota po dëgjon,” ishte dikur slogani i teknologjisë THX të George Lucas. Por sot, bota jo vetëm dëgjon , ajo po flet gjithashtu. Dhe ndoshta është koha që Hollywood-i të mësojë të dëgjojë.

Burimi: The Guardian


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë