Historia e vajzës së humbur është vëllimi i katërt dhe i fundit i "Mikeshës gjeniale", sagës që e ngriti Elena Ferrante-n në shkallën e një prej shkrimtareve më të mira në botë.
Në fillim, pamë dy vajzat e vogla të hidhnin qëllimisht kukullat e tyre prej lecke në bodrumin e don Akil Karraçit, që mban nën kontroll gjithë të varfrit me anë të mekanizmave korruptues; të atij përbindëshi të pamëshirshëm, në portën e të cilit vendosën të trokisnin me atë shkas, duke ngjitur shkallët e duke ecur dorë për dore me njëra-tjetrën për të marrë zemër, njëra përpara, Lina, e paepur, trime, tjetra pas, frikacake e gjithnjë një hap mbrapa. Qysh prej atij çasti, që prej asaj "skene të parë" – që theu digën dhe shpërtheu vrullshëm rrjedhën e rrëfimit, në qendër të të cilit mbetet ujdia e rreptë e bashkëpunimit mes protagonisteve – zë fill një lojë pasqyrash dhe shkëmbimesh, ku mezi arrijmë të deshifrojmë se cila prej të dyjave është "mikesha gjeniale". Dy vajzat tashmë janë të rritura, më pas të moshuara. Që prej viteve '50-të deri më sot kanë përjetuar ndryshime epokale, kanë arritur e kanë dëshmuar me sytë e tyre një mirëqenie të papritur, pastaj mohimin, dehjen e lirisë së hershme seksuale, dehjen politike, vitet e plumbta, terrorizmin; kupola e kamorristëve, që kontrollon gjithçka dhe përcakton rregullat e lojës, bëhet gjithnjë e më kanosëse. Dy heroinat, Lina dhe Elena, tashmë kanë mbi shpinë një jetë plot ngjarje, zbulime, rrëzime dhe "rilindje". Elena, shkrimtare e njohur, nënë e dy vajzave, kthehet në Napoli për t'i rënë pas një dashurie rinore, që u bë sërish e pranishme në jetën e saj të re. Lina nuk është larguar kurrë nga Napoli, ku arriti të ngrinte një karrierë të mahnitshme si sipërmarrëse informatike, duke ushtruar më shumë se kurrë rolin e saj karizmatik dhe magnetik si lidere e fshehtë, por e vërtetë e lagjes. Dy gratë, pole vërtet të kundërta të së njëjtës forcë, takohen dhe përplasen, ndikoj në mbi njëra-tjetrën, largohen e sërish gjenden, zilepsen dhe admirojnë shoshoqen. Ky vëllim i katërt dhe i fundit përmbyll një vepër letrare jashtëzakonisht pjellore dhe frymëzuese, një vepër e pranuar ndërkombëtarisht si një prej më të mirave të kohës sonë. Kritika Pas kaq e kaq dekadash, vepra e parë nga Italia që ia vlen të fitojë çmimin Nobel. The Guardian Saga e saj napolitane është një kryevepër epike, një roman për jetën dhe rritjen e një artisti, i mbushur me pasion dhe furi... Ferrante është e fshehtë: familjarja, në librat e saj të shkëlqyer, është një bombë me sahat që rreh shumë fort për t'i qëndruar mospërfillës. TIME's 100 Most Influential People Këtë po e them me besimin e patundur që s'e kam ndier gjatë 15 vjetëve që jam marrë me recensione librash: saga napolitane është e jashtëzakonshme. The Sunday Times "Historia e vajzës së humbur" nuk i jep sagës një fund qetësues, por pohon edhe njëherë se Ferrante është një prej zërave më të fortë të narrativës bashkëkohore. The Telegraph Nga këndvështrimi letrar, qasja e Ferrantes është mjeshtërore: përdor trofetë melodramatike të soap-operave për të rrëfyer një histori të bukur, ku ndërkallen gjithandej vëzhgime të holla filozofike. The Economist Zemra e errët e miqësisë rrallëherë është disektuar me kaq detaje të hollësishme. The Evening Standard ... një marifet i vjetër letrar, ose të paktën, po aq i vjetër sa Prusti: rrëfimi i një historie dhembjeje dhe disfate e pastaj, në fund, pranimi se gjithçka do të shëlbehet nga arti, nga një libër – e pikërisht nga libri që po lexoni. Elena do të shkruajë për muaj me radhë… për të qetësuar shoqen e saj dhe veten, si dhe për të arritur, përtej metaforës, që të shpëtojë jetën nga brengat, që të nxjerrë kthjelltësinë nga kaosi, pa mohuar ekzistencën e brengës dhe të kaosit. Ajo afron karrigen te tryeza e saj. "Do ta shohim se kush do të fitojë kësaj radhe", thotë ajo. Arti fiton. Ne fitojmë.
Kandidate për çmimin Man Booker International, 2016. Numri 1, në revistën Time, në listën "10 librat më të mirë letrarë të 2015" e po ashtu është vlerësuar si ndër 10 më të mirët e 2015-ës edhe nga The New York Times Book Review dhe People Magazine.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.