Histori

Historia e pazakontë e Rachel Carson, ‘Greta Thunberg e parë’

Historia e aktivizmit mjedisor nuk lindi me Greta Thunberg, ajo ka rrënjë shumë më të largëta nga sa besojmë ne. Këtu është historia e biologes amerikane Rachel Carson, një Greta para Gretës, e cila në vitin 1962 botoi “Pranverën e heshtur”, një ese, e cila tashmë është kthyer në një klasik, e cila nisi lëvizjen mjedisore në Shtetet e Bashkuara.

Përpara Gretës - “Isha një fëmijë mjaft i vetmuar dhe pjesën më të madhe të kohës e kaloja në pyll, duke parë zogj, insekte, lule dhe duke mësuar”. Kështu është shprehur Rachel Carson (1907-1964) për veten e saj, duke e kujtuar veten si një vajzë e vogël në patrullimet e përditshme të fermës së madhe të prindërve të saj në Springdale (Pensilvani, Shtetet e Bashkuara), në fillim të shekullit të njëzetë. Ajo vajzë e vogël me këmbë të shkathëta dhe sy kureshtarë nuk mund ta imagjinonte rolin që do të luante për kulturën mjedisore pothuajse inekzistente të Amerikës në vitet 1960, as peshën e ankesave të saj kundër përdorimit dhe abuzimit të kimikateve në bujqësinë e gjerë të Shteteve të Bashkuara (dhe jo vetëm).

E gjithë kjo do të vijë shumë më vonë, e përmbledhur bukur në librin “Pranvera e heshtur” që Carson botoi në shtator 1962 dhe që tani konsiderohet si një gur themeli i ambientalizmit. Por kjo histori duhet treguar që në fillim.

Shtëpia në Springdale (Pensilvani), ku Rachel Carson e kaloi fëmijërinë e saj në natyrë

Idealiste me këmbë në tokë - Shenjat e së ardhmes si ambientaliste ishin të qarta që në vitet e shkollës, kur Rasheli ua besoi faqeve të gazetës shkollore tregimet e saj të shkurtra rinore të mbushura me dashuri për natyrën. Në vitin 1929, në moshën njëzet e dy vjeç, ajo u diplomua për biologji, tre vjet më vonë ajo mori një diplomë master në zoologji. Në optikën e sotme nuk duket asgjë e veçantë, por në vitet ‘30 këto ishin arritje shumë të respektueshme për një grua të re, të cilën shoqëria e kohës e kaloi në role krejt të tjera. Dhe vështirësitë kulturore nuk ishin pengesat e vetme me të cilat përballej biologia, e konsideruar tashmë si nëna e lëvizjes mjedisore.

E gjithë jeta e saj ishte në ngjitje, por e gërshetuar edhe me pikëllim, vështirësi të përsëritura financiare dhe probleme të shkaktuara nga një ndjeshmëri e pazakontë dhe shëndet i dobët. Megjithatë, ajo arriti suksese letrare dhe shkencore njëri pas tjetrit, ndër të tjera duke minuar paragjykimin se shkencëtarët janë mësuar më shumë me numrat sesa me fjalët.

Menjëherë në laborator - Pas studimeve ajo filloi të punonte me mikroskopët e laboratorëve dhe vëllimet e pluhurosura të bibliotekave, gjithmonë e fokusuar në sekretet e natyrës, protagoniste e padiskutueshme e shumë kërkimeve në terren, aktive në betejat në të cilat ajo besonte. Ajo punoi si biologe detare në Shërbimin e Peshkut dhe Kafshëve të Egra ku u ngarkua të shkruante botime natyraliste.

Më shumë se një brez lexuesish zbuluan, përmes librave të saj, bukurinë e natyrës dhe rëndësinë e ruajtjes së ekuilibrit të saj. “Me kalimin e kohës ajo u bë gjithnjë e më e shqetësuar se politika nuk po bënte mjaftueshëm për të mbrojtur zonat e dedikuara për ruajtjen e specieve (të luleve dhe të tjera) dhe e shqetësuar nga presioni ekonomik dhe teknologjik i ushtruar nga industria për të transformuar botën natyrore”, shpjegon Linda Lear, biografe amerikane e mjedisit, autore e librit “Rachel Carson. Witness for Nature”. Prodhimi i saj editorial u rrit krah për krah me urgjencën për të denoncuar dhe për t’i dhënë fund keqtrajtimit të Planetit.

Një denoncim “për të shëruar planetin” - Nga të gjitha betejat e saj editoriale, ajo që bëri bujën më të madhe ishte eseja “Pranvera e heshtur”, një akuzë e egër kundër përdorimit të metodave kimike të dëmshme për mjedisin dhe njerëzit. “Duket se jemi pushtuar nga një çmenduri monomanike për të shkatërruar, vrarë, zhdukur çdo gjë që nuk na pëlqen nga mjedisi ynë”, tha Carson. Nga ndërgjegjësimi i shtrembërimit të cikleve natyrore të shkaktuar nga përdorimi pa kriter i “biocideve”, në vitin 1962 lindën faqet pasionante të librit të saj, si rezultat i bashkëpunimit të frytshëm me shkencëtarët më autoritativë të kohës, të bashkuar jo vetëm nga kërkimi shkencor, por edhe nga dëshira për të “kuruar” botën.

Eseja mori pëlqime të shumta nga opinioni publik, por mbi të gjitha kishte meritën të tërhiqte vëmendjen e klasës politike për vlerën e natyrës. Natyrisht industria kimike, e cila përfundoi në bankën e të akuzuarve, reagoi duke e sulmuar shkrimtaren-shkencëtare, duke ngritur një fushatë mediatike shpifëse ndaj saj.

Në shënjestër, por e dëgjuar – “Shumë kritikë u befasuan nga fushata e madhe e ngritur kundër saj: industria e pesticideve shpenzoi mbi 250,000 dollarë në një përpjekje për të bindur publikun për gabimet e Carson dhe për të mbrojtur interesat e tyre”, thotë Lear. Pavarësisht diskutimeve të pafundme, jehona e “Pranverës së heshtur” ishte aq e gjerë sa arriti një audiencë të madhe; ajo vetë foli për mijëra letra që i dërgonin nga mbarë vendi. “Duke iu përgjigjur një pyetjeje që një lexues i bëri asaj (“Çfarë mund të bëjmë ne?”) Carson shpjegoi se nevojiteshin kërkime për të zhvilluar metoda alternative dhe për t’i dhënë përparësi kombëtare”, vazhdon biografja.

Për shkak të trazirave që shkaktoi vëllimi, në javët pas botimit të tij, Presidenti i Shteteve të Bashkuara J.F. Kennedy caktoi një komision ‘ad hoc’ për të verifikuar vërtetësinë e asaj që shkroi Carson. Raporti përfundimtar u shfaq më 15 maj 1963: ishte një aktakuzë e indiferencës burokratike dhe e korporatës, si dhe një konfirmim i alarmit të shkencëtares për rreziqet e pesticideve. Raporti gjithashtu vërtetoi pa mëdyshje se ishte e nevojshme të fillohej përdorimi i metodave alternative biologjike.

Ishte një sukses i vërtetë. “Shkenca, qeveria dhe industria e njohën ‘Pranverën e heshtur’ për atë që ishte në të vërtetë: një kritikë themelore sociale e të gjithë përparimit teknik”, thotë Lear. “Carson guxoi të sulmonte integritetin e të gjithë institucionit shkencor, udhëheqjen e tij morale dhe ndikimin që ushtroi në shoqërinë në tërësi”.

Lufta vazhdon - Beteja e Rachel Carson nuk u ndal me kaq. Falë vëmendjes që arriti të fitonte, ajo propozoi krijimin e një agjencie që synonte mbrojtjen e mjedisit dhe të ishte e lirë nga çdo kontroll politik. Ishte fitorja e njëqindtë, por edhe e fundit: ajo nuk mundi ta shihte të realizuar projektin e saj sepse, në vitin 1964, vdiq nga kanceri i gjirit. Tre vjet më vonë u krijua Fondi i Mbrojtjes së Mjedisit, me qëllim nxjerrjen e një sërë rregullash që synojnë mbrojtjen e të drejtës së qytetarëve për të jetuar në një mjedis të pandotur. Për shumë Rachel Carson ishte flaka që ndezi zjarrin e ambientalizmit.

Gjithçka që erdhi më pas lindi nga idetë e saj: nga aktivizmi i ri i lëvizjeve, të cilat u shndërruan në një nga forcat më të mëdha popullore të të gjitha kohërave, deri te ndërgjegjësimi për rëndësinë e angazhimit të qeverive për të luftuar ndotjen. Megjithatë, pasoja më e drejtpërdrejtë e ankesave të saj ishte ndalimi në SHBA në vitin 1972 i insekticidit DDT (dikloro difeniltrikloretani). Al Gore, kur ishte nënkryetar i Shteteve të Bashkuara gjatë presidencës së Klintonit, tha për të: “Carson u bë një provë e pamohueshme se sa fuqia e një ideje mund të ishte shumë më e fortë se fuqia e politikanëve”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë