Njerez

Heqja e vizave, çfarë duhet të dijnë kosovarët?

Komisioni Europian rekomandon për Këshillin dhe Parlamentin Europian liberalizimin e vizave për Kosovën. Lajmi pozitiv për shtetasit e të vetmit vend në rajon që nuk lëvizin dot lirshëm në zonën Shengen u dha nga Komisioneri për Emigracionin, Dimitri Avramopulos.

“Komisioni konfirmon se Kosova ka përmbushur të gjitha standardet për liberalizimin e vizave. Ne inkurajojmë Këshillin dhe Parlamentin Europian që të vazhdojnë përpara me propozimin tonë”, deklaroi Avramopulos me në krah Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Të djegur nga rasti i Shqipërisë dhe Maqedonisë, ku edhe për mungesë informacioni qindra-mijëra shtetas u paraqitën në vendet e BE-së falë lëvizjes së lirë dhe më pas kërkuan azil, Avramopulos kërkoi nga autoritetet kosovare që ta shmangin këtë për të mos rrezikuar pezullimin e vizave.

“Liberalizimi i vizave ka të drejta dhe detyrime. Autoritetet duhet të informojnë qytetarët që të shmangin abuzimin me lëvizjen e lirë. Qytetarët duhet të dinë kriteret para se të nisen drejt një vendi të zonës Shengen. Abuzimi me lëvizjen e lirë mund të çojë në aktivizimin e mekanizmit të pezullimit të tyre”, tha ai.

Me blu zona Shengen, me jeshile vendet që gëzojnë statusin e rezidentit permanent, por jo statusin e plotë të zones Shengen dhe me të verdhë Britania e Madhe

Lëvizje të lirë në zonën Shengen aktualisht kanë rreth 60 vende, përfshirë këtu ato të rajonit tonë që nuk janë anëtare të BE-së. Nga ky regjim përfitojnë bizneset dhe turistët, që nuk mund të qëndrojnë më shumë se 90 ditë brenda zonës Shengen, pra kjo lëvizje nuk mund të përdoret për gjetjen e një pune, apo qëndrimi të përhershëm.

Megjithatë, qytetarët e Kosovës do të duhet të presin edhe pak kohë deri kur rekomandimi pozitiv i Komisionit të merret në shqyrtim nga Parlamenti Europian dhe më pas nga Këshilli i Ministrave të Drejtësisë dhe Ministrave të Brendshëm të BE-së, që japin vendimin përfundimtar, procedura këto që duke patur parasysh se majin e ardhshëm votohet në vendet anëtare të unionit për deputetët e rinj të Parlamentit Europian, mund të zgjasin deri në dy vjet.

Në rastin e Shqipërisë, këto procedura zgjatën disa muaj. Vendi ynë mori rekomandimin nga Komisioni në maj të 2010. Në qershor Parlamenti Europian votoi rezolutën mbështetëse ku i kërkonte Këshillit liberalizimin e vizave. Ministrat e Brendshëm dhe të Drejtësisë të BE-së miratuan në nëntor të 2010 rekomandimin e Komisionit dhe liberalizimi hyri në fuqi më 15 dhjetor të po atij viti.

Në vitet e para rregullat e lëvizjes së lirë përgjithësisht u respektuan. Në 2015 pati një fluks të pashembullt të shtetasve shqiptarë që aplikuan për azil kryesisht në Gjermani e Francë. Kjo detyroi autoritetet vendeve të prekura që të shtojnë komunikimin me Tiranën për të parandaluar këtë fenomen.

Qytetarë shqiptarë riatdhesohen në Rinas për shkelje të rregullave Shengen

Menjëherë nisi një fushatë informimi edhe nga Bashkimi Europian, ku theksohej se Shqipëria bënte pjesë tek vendet e origjinës të sigurta dhe shtetasit e saj nuk mund të përfitonin azil. Megjithatë, fenomeni vazhdon ende, ndonëse jo në përmasat e 2015.

Për të shmangur abuzimet e mëtejshme, BE ka ndryshuar rregullat e lëvizjes së lirë. Ndryshimet u miratuan në Parlamentin Europian më 5 korrik të këtij viti. Rregullat e reja do të verifikojnë udhëtarët, të cilëve nuk u duhet viza për të hyrë në BE.

Sipas këtij rregulli, udhëtarët nga 60 vende që nuk janë pjesë e Bashkimit Europian, duke përfshirë dhe shumicën e shteteve të Ballkanit Perëndimor do të jenë pjesë e një procesi verifikues para se të arrijnë në kufirin e Shengenit, duke përdorur Sistemin informativ dhe Autorizues të Udhëtimit në Europë.

Propozimi aktualisht u ka kaluar vendeve anëtare që duhet ta miratojnë atë, për të hyrë në fuqi në vitin 2021.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë