Histori

Harta e priftit ku vendi i shqiptarëve quhej Skënderbe

Suadela Balliu - Në “Ilustrim i një harte gjeografike”, abati Juan Andres, i cili njihej edhe si poseduesi i fundit i “Carta Nautica Uno”, kësaj harte në pergamenë, punuar nga hartografi Bartolomeo Pareto, më 1455-ën, shkruan: “Të qenit i rrallë, më shumë sesa merita, i rrit zakonisht vlerën gjërave. E prandaj, hartat gjeografike më të hershme sesa shekulli i XVI, duke qenë tejet të rralla, janë shumë të çmuara, që kushdo po e shtiu në duar, e përqafon dhe e  mban si një xhevahir. Por përtej çmuarjes së të qenit e rrallë, kanë edhe harta të tilla, një meritë  për të thirrur pranë vetes eruditin kureshtar në mes historianëve dhe bibliografëve.”Harta detare, me miniaturat e vizatuara me finesë, me ngjyra të gjalla e të freskëta, ku e kuqja, e kaltra dhe e arta i japin një pamje elegance dhe pasurie, duke e bërë punën të denjë për personazhin e lartë, për të cilin u punua; Papën. “Kjo hartë, e poseduar nga unë, është e vitit 1455 dhe, pak janë hartat që e kalojnë për nga vjetërsia”, shkruan Andres në librin “Ilustrim i një harte gjeografike”, duke e quajtur jo pa dobi për historinë letrare të gjeografisë moderne. “Mund të ekzistojnë disa harta të tjera gjeografike të atyre kohëve, por me siguri jo shumë, që i heqin vlerën kësaj sonës, për nga rrallësia”, shkruan prifti Andres, me pergamenë të zbukuruar, me personazhe të lartë. Kafshë e qytete, larmi ngjyrash të gjalla, e të shndritshme me madhështi e pasuri.

Autori i saj, është prifti Bartolomeo de Pareto, ndihmës klerik i Papës dhe qytetar gjenovez. Presbyter Bartholomeus de Pareto civis Janues Acolitus Sanctissimi Domini nostri pape composuit hanc cartam MCCCCLV. I. Janua. Pasuria dhe bukuria e hartës me shumë figura, me ngjyra fine, tregojnë që nuk është punuar thjesht për ushtrim të studimeve gjeografike apo për kalimin e kohës së Bartolomeos, por i pajtuar nga ndonjë personazh i nderuar ose për ndonjë arsye fisnike, shkruan më tej Andres. Pareto ishte prift, i dërguar i Papës dhe gjenovez. “Pika që vëzhgohet më dallueshëm e shënjuar në atë hartë është Ponto Eussino ose Deti i Zi, me të gjithë vendet me brigjet e tij, dhe dihej mirë se gjenovezët ishin për disa shekuj pronarë të atij deti, duke pasur koloni të pasur e të forta të Caffa, Soldaja, Cembalo dhe në shumë vende të tjera”, shkruan më tej Andres, ndërsa merr në shqyrtim këtë hartë të rrallë, që këto ditë do të jetë e ekspozuar në kryeqytetin shqiptar. Ekspozimi i “Carta Nautica Uno”, apo hartës detare të gjeografit gjenovez, priftit Bartolomeo Pareto, e punuar për Papën Nikolla V, në mjediset e COD në kryeministri, ishte edhe veprimtaria që mbylli zyrtarisht festimet e vitit të heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, në 550 vjetorin e tij të vdekjes. E ardhur nga Biblioteka Kombëtare Qendrore e Romës, është hera e parë që kjo hartë lë tokën italiane, e ruajtur si një artefakt i vyer, pasi për një kohë të gjatë mendohej e humbur.

Harta e  Bartolomeo Paretos, ku nën shënimin Albania, lexohet "Scanderbeco"


Për dy shekuj, komandën e patën gjenovezët, pastaj tartarët e grekët dhe më vonë venecianët. Por pas 1453, kur turqit nënshtruan perandorinë grekë dhe pushtuan Kostandinopojën dhe shtetet fqinje, sundimi i gjenovezëve u zbeh. Duke qenë se ishte shumë e dobishëm në ruajtjen e fesë katolike në mes të pafeve dhe armiqve përçarës të krishterimit dhe të kishës Romane, papët e morën përzemër mbështetjen e sundimit gjenovez dhe së pari Nikolla V e më pas Kalistoja II, që e pason në papatin e 1455-ës, hyjnë në tregti të ngushtë me republikën e Gjenovës dhe shkruhen letra të shpeshta e të nxehta dhe thesaret e Kishës shpenzohen për të inkurajuar zyrtarët, popullin dhe të huajt që të rreshtohen në mbrojtje të atyre vendeve të pushtuara nga myslimanët.


"Harta paraqet disa figura si ajo e Perandorit të Alemanjës(Gjermanisë), të Turkut të Madh, Tartarit të Madh të Sulltanit të Babilonisë dhe të sovranëve të tjerë", Juan Andres. 


Në ato rrethana, pikërisht në vitet 1454 dhe ‘55, Bartolomeo krijoi hartën, dhe duket me gjasë që qytetari Gjenovës dhe kleriku i Papës, për të ndërmarrë një punë të tillë, për të kënaqur dëshirën e magjistratëve të atdheut të tij dhe të Papës apo të Kardinalëve, me objekt për të lehtësuar njohjen e vendeve atyre që hynin në marrëveshje, ose mund të kishin ndonjë interes në atë çështje me rëndësi. Ai operon me zell të kujdesshëm; shfaq ngut për të manifestuar ngritjen e flamurit gjenovez, jo vetëm në vendbanimet më kryesore dhe të njohur të Caffa (Kafa ose Feodosia, port në Detin e zi, Krime) Soldaja, Cembalo dhe Tana. Por duke u shtrirë në Samastro, Cimino dhe Frona dhe vende të tjera, më pak të njohura për historianët. Gjithë ata flamuj gjenovezë që valëvit nëpër të gjithë Eussino-n (Deti i Zi), nuk duken aq shumë si dekorim i hartës, sesa si fenerë historikë për të na njohur më mirë me sundimin e gjenovezëve në ato krahina dhe për të thirrur të pushtetshmit dhe besimtarët, në ndihmë të atyre popujve të krishterë të luftuar nga myslimanët. Cilado qoftë arsyeja që e shtyu priftin Bartolome të ndërmerrte këtë punë, ai me siguri i ka bërë një shërbim të çmuar gjeografisë dhe historisë. Kështu mendonte ndërsa shkruante në fillim të shekullit të 19-të, katër shekuj më vonë përpilimit të kësaj harte, At’ Juan Andres.

Ilustrim i një harte gjeografike, nga Juan Andres


Sado që Bartolomeu ishte i dërguari i Kishës e jo në shërbim të marinës, harta e tij është si, edhe pararendëset, pothuajse e gjitha detare, duke u kufizuar në portet dhe brigjet, pak qytete dhe vende shënjon brenda provincave, duke lënë në të bardhë hapësira të mëdha të shteteve të paana, ku shkruan vetëm emrat e përgjithshëm të provincave ose mbretërive dhe paraqet disa figura si ajo e Perandorit të Alemanjës(Gjermanisë), të Turkut të Madh, Tartarit të Madh të Sulltanit të Babilonisë dhe të sovranëve të tjerë, të një elefanti në Egjipt dhe të disa qyteteve më të njohura. Këto figura, thotë Juan Andres, nuk janë me më pak dobi, si monumente të arteve të bukura, të ideve që kishin fuqitë e huaja dhe qyteteve me reputacion dhe ato kryesore. Këtu merr kuptim edhe emri “Scanderbego”, në hapësirën ku prifti Bartolome shkruan me të kuqe Albania. Ngjyra dhe madhësia e germave me të cilat është shënuar emri i heroit kombëtar dhe i njeriut strategjik të ruajtjes së kufirit të krishterë, është i njëjtë me atë të emrit të provincës. Ky toponim, në qendër të hartës, duket si një zbulim në rrafsh albanologjik, por edhe një kontribut që flet rreth personalitetit real të heroit arbëror Gjergj Kastriotit.

Duke qenë se ishte shumë e dobishëm në ruajtjen e fesë katolike në mes të pafeve dhe armiqve përçarës të krishterimit dhe të kishës Romane, papët e morën përzemër mbështetjen e sundimit gjenovez dhe së pari Nikolla V e më pas Kalistoja II, që e pason në papatin e 1455-ës, hyjnë në tregti të ngushtë me republikën e Gjenovës 


Harta gjithashtu shfaq elemente dekorativë dhe shënjon vende me interes të posaçëm, rrëfen një bashkëkohësi ngjarjesh historike, në mënyrë të veçantë trysninë osmane në Europë, e posaçërisht në gadishullin e Ballkanit. Studiuesi Artan Shkreli u bë shkak për ta sjellë këtë hartë në Tiranë, pasi e zbuloi ekzistencën e saj vitin e kaluar. “Kam bërë verifikimet përkatëse. Shkova në Romë, pata një takim në Bibliotekën Kombëtare, ku ruhej”, është shprehur Shkreli, ndërsa ka zbuluar se as italianët vetë nuk e kishin vënë re këtë toponim. E në fakt, as nga ilustrimi që i ka bërë hartës gjeografike prifti Juan Andres, më 1822 e as nga ajo që përshkruan Pietro Amat di San Filippo pas gjetjes së kësaj harte më 1877, e menduar e humbur kahera, nuk thuhet asgjë për emrin e Skënderbeut, të vendosur në hapësirën arbërore, ashtu si prifti kishte bërë me të tjerë sovranë. Sipas Shkrelit,  nuk ka raste të mëparshme ku vendoset emri i një njeriu në një hartë gjeografike dhe kjo sipas tij reflekton në kohë reale madhështinë e Gjergj Kastriotit. Shkreli heq paralele me rastin e Americo Vespucci-t, që i dha emrin kontinentit të Amerikës. “Është emri i njeriut në një rajon të madh dhe nuk ishte mit, por real. Europa kishte sytë dhe mendjen nga Ballkani. Ishte porta, muri mbrojtës që përmes Huniadit nga njëra anë dhe Skënderbeut nga ana tjetër, pengonin depërtimin e osmanëve.”


Gjenova siç pritet nga harta e një gjenovezi, thotë Andres, paraqitet me madhështi të epërme , thuajse mbretëreshë e botës. Më pas, Venecia dhe Roma janë të vetmet qytete të Italisë që hartohen. Napoli nuk ka pasur nder të ngjashëm nga prifti Bartolome: ndoshta qytetari gjenovez dhe i dërguari i papatit nuk ka denjuar t’i japë vend të dallueshëm, kur Mbreti Alfonso me të cilin prej shumë kohësh gjenovezët nuk kishin motiv të ishin shumë të kënaqur kundër nxitjes dhe lutjes së papës dhe të gjenovezëve, që në vend ta ndihmonte republikën e ankthshme kundër ushtrive turke, ngulmonte ta luftonte. Shërbimi që gjeografi bënte ndaj papatit e bën të vërë në dukje në Francë, përtej kryeqytetit, Parisit, qytetin e Avinjonit, që kish qenë jo shumë larg në kohë seli e papëve.

Në Spanjë nuk thekson as Toledon, as Vajadolidin as Leonis, as disa nga ata qytetet që kishin qenë oborret të mbretit, por Seviljen, që tërhiqte më shumë vëmendjen e gjenovezëve për bollëkun dhe tregtinë e pasur dhe Granatën, kryeqytet atëherë i shteteve spanjolle të Saraçenëve. Në Portugali mjaftohet duke shkruar vetëm emrin e kryeqytetit, Lisbonës. Me pamje madhështore vizaton Kajron, vend i kërkuar nga tregtarët dhe shkruan me germa të kuqe Civitas magna Karii. Respekti për fenë e bën të paraqesë dallueshëm Jerusalemin me shenimin Civitas sancta Jerusalem, Damaskun, malin Sinai, detin e Galilesë, liqenin e Pentapolit, ose detin e Vdekur, dhe vende të tjerë, të famshëm në shkrimet e shenjta. E dallon edhe m ngjyrë, që tregon emrin, Detin e Kuq, dhe i vendos një shënim: Istud mare vocator mare rubrum, per quod transierunt duodecim tribus Isarael, et non vocatur rubrum eo quod aqua sit ruea, sed quia fundum ejus est rubei coloris, et per hoc mare naves marcatorum Indiarum portant species, quas derefunt in Babilonia, postea vero in Alexandriam. Në një qoshe, të formuar nga deti indian, thoshte kështu: In istum locum vocatum Labasara veniunt naves de India carrigate speciebus, postea de eoloco, per terram portantur Damascum,et per totam Siriam cum camelis. Edhe Meka portretizohet dallueshëm, shoqëruar me një shënim që thotë: In ista civitates de Mecha veniunt aliqui Serraceni pelegrini de diversis partibus causa videndi sepulturam Macometi profeta eorum- dicente quod pstquam ipsi viderunt ipsam sepulturam, non sunt digni amplius aliquid videre.
Ka kështu plot shënime interesante që ose për ndonjë dritë historike ose për tradita të çuditshme dhe rrëfenjat që mbajnë, meritojnë vëmendjen e eruditëve. Vendosja dhe emërtimi i vendeve nuk janë gjithnjë shumë të sigurta, por ky alterim vetë i emrave dhe vendeve vë shpesh përballë historianë të tjerë dhe gjeografëve të atyre kohëve, që të ndriçojnë shumë hapa, që pa lajmin e një topografie onomatografie të tillë, do të rezultonin të pashpjegueshme. Sa qytete, sa ishuj, janë shumëfishuar pasi nuk ka pasur dijeni për emrat e ndryshëm që i vinin shkrimtarë të ndryshëm? E në të kundërt si mund të kuptoheshin ato fakte historike, nëse nuk pasqyrohet tek emrat që u vihehin qyteteve të ndryshme? Kush nuk e di se Gjeneva, ashtu si Gjenova, quhej Genua dhe Janua.


Në këtë hartë, fjala Gjenevë i vihet jo Gjenevës, por vendeve të panjohura me emër të tillë, dhe duke përfaqësuar shëmbëlltyrën e mbretit të Afrikës, ndërsa emri Rex Musameli dhe shënimi: Iste dominus noger vocatur Musameli dominus provincie de Geneva qui nobilior est ac ditios omnium aliorum propter magnam habondantiam auri, quam in ejus terra habet; et est de progenie de Cham. Kështu disa emra që tani mund të duken të vendosura keq, janë ata që më shumë do të përfitojnë nga inteligjenca e fakteve, të rrëfyera nga historianët. Në brigjet perëndimore të Afrikës thekson Bogadorin, si të gjitha hartat e atyre shekujve, që mund të ketë hedhur dritë se lundrimet dhe sipërmarrjet e portugezëve mund t’i kishin nënshtruar. Në kohën e Paretos, ato vende afrikane ishim më të njohur për zbulimet e portugezëve që ndoshta mund të kenë menduar për të përfituar në interes të tyre dhe jo të kenë komunikuar lehtë për erudicion publik. Në ishujt Kanarie, në ishullin e Lancelotit, shënjon me kryqin e Gjenovës dhe shkruan përkrah: Lansaroto Marcxello Januenis. Përse simboli i Gjenovës në këtë ishull? A ka pasur Gjenova sundim aty? Kush është pastaj ky Marcello Lancelotto dhe përse të vendoset aq dallueshëm në atë ishull? A ka pasur të bëjë ai me zbulimin?


Pareto prezanton në hartën e tij një risi. Nuk do të konsiderojnë në Azore një ishull që, në 1455 do të quhet Brazil; emër që në këtë hartë i jepet edhe një ishulli tjetër, jo shumë larg Irlandës. Brazili ose druri apo drithi i Brazilit njihej në Europë; Itali, Francë Spanjë. Historiani i njohur portugez Barrosi rrëfen se zbulimi i Brazilit është bërë aksidentalisht më 1500, nga Pietro Alvarez Cabral, që duke dashur të nisej më 3 maj për t’i dhënë emër tokës së re, vendosi një kryq mbi një pemë, në këmbët e së cilës u kremtua mesha dhe i dha tokës emrin e Kryqit të Shenjtë e ashtu u quajt vitet e para. Na ajo provincën nisi të vijë me bollëk druri i kuq që e quanin në Europë “Brazil” dhe mbeti në gojët e popullit duke anashkaluar Kryqin e shenjtë. Në fund të hartës, në pjesën më perëndimore, në Atlantik, është një ishull me shtrirje më të madhe se gjithë të tjerët e në mes të saj shkruhet me germa të mëdha Antillia, me ishuj të tjerë rrotull. Si ndodhi që, 37 vjet më parë se të zbuloheshin nga Kolombi Antilet, prifti Bartolome i shënjoi ato në hartën e tij? Apo i atribuohen lundruesve të tjerë, përpara Kolombit? Qrkullont një lajm, se kishte një ishull Antilla, në shekullin e 15-të.  Kjo hartë, e punuar për porosi të Papës Nikolla V, dihej e humbur pas vdekjes së abatit Andres, i fundmit posedues dhe ilustrues. Ajo gjend në një dhomë, në një kuvend jezuit, ku ishin fshehur libra, pergamena dhe harta me vlerë. Pietro Amat di San Filippo e gjeti në vitin 1877.Planisfera e Paretos, shkruan di San Filippo, paraqet të gjithë botën e njohur në kohët e tij. Përshkrimi dominues është ai sipas parapëlqimit të brigjeve detare dhe ishujve. Ndaj pjesët e brendshme të kontinentit janë si të anashkaluar. Edhe di San Filippo vëren se janë synuar qytetet më të rëndësishme, ndonjë legjendë, ose figura e sovranëve të atyre provincave. 

Kryeministri Rama e quajti si një borxh të shlyer, që Roma dhe Napoli kishin me Gjergj Kastriot Skënderbeun. “Me artefaktin që shfaqet këtu, në një farë mënyre, pas 500 vjetësh, jemi të larë. Roma dhe Napoli, deri diku, borxhin e kahershëm, ja shlyen, moralisht Gjergj Kastriotit”, është shprehur Rama. Duke qenë se, i dërguari i Papës, prifti dhe hartografi gjenovez shkruante emrat e qyteteve dhe të personazheve me ndikim e famë në provincat përreth dhe ata të cilët Papati dhe Gjenova, i kishin me sy të mirë, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, për ta kishte rëndësinë dhe peshën e të gjithë rajonit…


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë